Durrësi noton nën ujë, mbi 300 biznese dhe banesa të përmbytura

Reshjet e shiut kanë pushuar, por shumë biznese, banesa dhe objekte në qytetin e Durrësit kanë prani të lartë uji. Janë 40 hektarë tokë bujqësore nën ujë.

Situata paraqitet e rënduar në zonën e ish-Kënetës, ku rrugët dytësore vazhdojnë të jenë të pakalueshme, pasi niveli i ujit nuk ka rënë.

Situatë problematike mbetet në Shkozet, Sukth, Katundi i Ri.

Uji ka hyrë në rreth 300 banesa në total, nga të cilat 200 shtëpi janë në zonën e Durrësit të Ri, 60 në zonën e Shkozetit dhe Plazhit, 4 banesa në njësinë administrative 4, 1 shtëpi në njësinë 1, 20 banesa në Sukth, 10 në Katund të Ri dhe 5 shtëpi në Rrashbull.

Në lajgen 17, pamjet tregojnë një situatë tepër problematike, me ujin që ka hyrë në shtëpitë dhe bizneset e zonës, duke shkaktuar dëme të mëdha.

“Kjo rrugë gjithmonë kështu mbytet. Asnjë nuk na ka marrë në telefon, asnjë nuk ka ardhur”, thotë për A2 CNN një banor i zonës.

“Këtu ka qenë uji një metër, akoma në ujë po rrimë. Hipëm në kat të dytë, në dorë të Allahut… E gjithë shtëpia është përmbytur. Mund të ketë 10-15 herë që jemi mbytur dhe kalon uji mbi një metër e ca”, tha banori.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se disa familja janë evakuuar nga zonat e përmbytura dhe janë dërguar te Kavalishenca, ndërsa gjatë natës forcat e ushtrisë punuan për largimin e ujit nga burgu i Durrësit.

  

Edhe IEVP Durrës ndodhet nën pushtetin e ujit. Pompa që është vënë në dispozicion për të tërhequr ujin dhe derdhur në pusetë, nuk po funksionon.

About Redaksia

Check Also

Binaj jep numrin e kontaktit/ Një lëvizje për ndryshim për ta shpëtuar Tiranën

Mesazhi: Me këtë video, dua të bëj një falënderim të sinqertë. Faleminderit të gjithë juve …