Kryeministri Edi Rama, sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, sërish doli zbuluar. Po marrim versionin që kanë gënjyer si më të mirin e mundshëm që i duhet kryeministrit tonë.
Siç e gënjyen për vilën e Erion Veliajt se e kishte blerë babai i Ajola Xoxës, ndërkohë që shoferi i Ajolës në dokumente thotë se, s’ka qenë, s’di kurrë që babai i saj të ketë pasur lidhje me ndonjë vilë në Qerret dhe kur ka ndërruar jetë në vitin 2019 nuk ka lënë ndonjë testament apo t’i ketë dalë Ajolës ndonjë dëshmi trashëgimie.
E më pas, pas vitit 2020 shfaqet vila në Qerret që është e Ajolës dhe Erionit, në foto në ndërtim kur përfshihet dhe shtetasi Olsi Eftimi, ndërtim pishinash etj., në një sipërfaqe trualli rreth 500 metra katrorë.
Por le të shohim qëndrimin e sotëm një gënjeshtër tjetër publike që e nxjerr lehtësisht zbuluar kryeministrin Edi Rama.
Zoti kryeministër tha se i kish ardhur një mesazh nga një qytetar i cili thoshte se Erioni Bani ishte një gjyqtar i targetuar që targetohej për çështjet e zyrtarëve të PS.
Rama ekzaktësisht tha se:
“I njëjti gjyqtar i angazhuar në të gjitha çështjet e veçanta me target njerëzit tuaj. Është selektuar gjyqtari, ju informoj se gjyqtarë të tjerë nuk kanë pranuar t’i rrinë së njëjtës kërkesë për arrest se gjyqtari e lehtëson masën jo ta ashpërsojë”, tha Rama.
Por Kryeministri ynë gënjeu ditën për diell.
Gënjeu grupin parlamentar gënjeu shqiptarët nuk e ka zgjedhur Erion Banin prokurori i SPAK apo e ka targetuar prokurori i Spak. Nuk e ka zgjedhur Erion Banin as Altin Dumani, as Ols Dado, mjafton të lexohet vendimi i dhënë nga gjyqtari Erion Bani.
Po i sjellim një pasazh, një dokument, ku tregohet qartazi dhe shpjegohet në vendim se gjyqtarja paraprake ka qenë gjyqtarja Atalanta Zeqiraj.
Dokumenti që tregon se Erion Banin “e peshkoi” Veliaj
Për shkak se gjyqtarja ka shkuar me leje lindje gjyqtari i gatshëm ka qenë gjyqtari Erion Bani dhe është bërë kërkesa sipas dokumentit numër 81 nga shtetasi Altin Kumara për vlerësim të paligjshëm të masës të sekuestrimit të telefonit e të tjerë.
Sipas dokumentit, thuhet se: “Gjatë periudhës së gadishmërisë më datë 23.01.2025-ora-09:00 në kuadër të procedimit nr. 27 të vitit 2024, është paraqitur kërkesa me Nr. 81, datë 23.01.2025, me Kërkues: Altin Kumara: Objekti: Vleftësimin e paligjshëm të veprimit hetimor të sekuestrimit të aparatit celular që i përket shtetasit Altin Kumara, si dhe kërkohet kthimi i këtij aparati telefoni celular. Ndodhur në këto kushte, duke qenë se mungon gjyqtare Atalanta Zeqiraj për arsye të marrjes së lejes së lindjes të gjitha kërkesat penale që lidhen me procedimin penal 27 të vitit 2024 gjykohen nga gjyqtari i hetimit paraprak Erjon Bani, në respektim të nenit 278 pika 2 të K.Pr.Penale. Në nenin 112 pika 4 të K.Pr.Penale nën titullin “Format e disponimit të gjykatës” parashikohet shprehimisht se: “Vendimi merret në dhomën e këshillimit, pa praninë e sekretarit dhe të palëve.”
Ky dokument tregon qartë se Erion Bani nuk është i targetuar se Erion Bani në këtë çështje si gjyqtar ka qenë për shkak se, ka ikur nga hetimet paraprake me leje lindje kolegia e tij, për shkak se ka qenë në periudhë gjyqtar i gatshëm dhe nëqoftëse e quan të targetuar në grep gjyqtarin e ka hedhur kërkesa e Altin Kumarës për sekuestrimin e telefonit.
Pra, Erion Banin e kanë zgjedhur vetë njerëzit e Erion Veliajt. Erion Banin e ka zgjedhur vetë Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa.
Edi Rama gënjen nuk e ka targetuar kush. Mjafton të lexojë vendimin. Kërkesa e Altin Kumarës ka çuar në proces Erion Banin. Çështjen në duart e Erion Banit e ka çuar vetë Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, njerëzit e tij. Pra nuk ka targetim, kryeministri gënjeu ose të paktën po e quajmë se e kanë gënjyer./ CNA/