VNA ka mësuar disa nga debatet e zhvilluara sot në seancën e GJKKO, ku pritet të merret vendimi për Erion Veliajn, bashkëshorten e tij dhe të akuzuarit e tjerë.
Në fjalën e tij para trupës gjykuese, Veliaj tha:
“Nuk më është shpjeguar edhe sot pse jam i arrestuar. Unë jam kryetar bashkie, i votuar nga populli i Tiranës dhe kam bërë detyrën time. I kam hyrë në hak familjes, sepse kam punuar edhe të shtunave, të dielave dhe gjatë festave. Por, mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend, sepse bëhet objekt sulmi dhe përfundon në situatën ku jam unë sot. Vila në Qerret nuk është e jona. Është e natyrshme që aty të gjenden lodrat e fëmijës tim, pasi bashkëshortja ime është fëmijë i vetëm dhe vjehrra ime ka atë shtëpi. Nuk e kuptoj pse duket kaq e panatyrshme që të jenë lodrat e fëmijës në shtëpinë e gjyshes.”
Më tej, Veliaj shtoi: “Bashkëshortja ime është një kryezonjë dhe është përndjekur në mënyrë perverse.”
Në këtë moment ndërhyri prokurori Olsi Dado, duke e paralajmëruar që të ruajë etikën në komunikim. Veliaj reagoi: “Pse të dogji? Nuk përmenda emra. Me këtë fjali kisha parasysh median dhe politikën.”
Prokurori ia ktheu: “Sepse i ke shkruar në Facebook. Këtu nuk je në Facebook, ndaj përmbahu provave dhe fakteve.”
Më pas, prokurori Dado shtoi: “Të gjitha veshjet kishin kod unik dhe ishin veshje personale, përfshirë buzëkuq dhe bizhuteri.”