Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas shkresës zyrtyare të GJKKO dhe SPAK, lidhur me mosreagimin e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve, militantë të PS dhe administratës së Bashkisë së Tiranës në mbështetje të kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, teksa mbahej seanca për vleftësimin e masës së sigurisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi teksa kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, thotë se gënjeshta isntitucionale e këtyre dy institucioneve, provon edhe autorësinë e urdhrit politik për të penguar drejtësinë që të mbajë përgjegjës para ligjit cilindo, pavarësisht statusit të tij.
Reagimi
Ministri i Brendshëm gënjeu dje publikisht dhe keqinformoi Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mosveprimin e Policisë së Shtetit ndaj tentativës mafioze të drejtorëve batakçi të Bashkisë së Tiranës për të intimiduar fizikisht në krye të detyrës gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm. Ky mashtrim institucional dhe publik i Ministrit të Brendshëm, provon edhe autorësinë e urdhrit politik për të penguar drejtësinë që të mbajë përgjegjës para ligjit cilido, pavarësisht statusit të tij.
Erion Veliaj nuk është mbi ligjin. Ai është mik e bashkëpunëtor i afërt i Edi Ramës, por ky i fundit nuk mund të keqpërdorë shtetin dhe Policinë e Shtetit për ti ardhur në ndihmë një personi që hetohet për korrupsion dhe pastrim parash. Edi Rama mund të zgjedhë të jetë avokat i Erion Veliajt, por këtë duhet ta bëjë privatisht, jo duke keqpërdorur institucionet e shtetit.
Mosveprimi i Policisë së Shtetit, që sipas GJKKO dhe SPAK, ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ, në krye të detyrës, nuk mund të kalojë në heshtje.
Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duhet të shkarkohen menjëherë nga detyra dhe të ndiqen penalisht.
E kundërta, mosveprimi i Edi Ramës, e bën atë jo vetëm drejtpërdrejt përgjegjës për situatën, por është edhe një grusht shteti i pushtetit ekzekutiv ndaj pushtetit gjyqësor, duke zbatuar parimin mafioz se nëse gjykata e prokuroria dënon e heton pa leje, atëherë do jenë të vetëm e pa mbrojtjen e shtetit. Kjo nuk do të ishte thjesht e paprecedentë, por KRIMINALE!