Kryetari i PD, Sali Berisha, në vijim të fjalës së tij solli në vëmendje një deklaratë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, mbi rrezikun e armikut të brendshëm për Shtetet e Bashkuara. Ai e krahasoi këtë deklaratë me një nga pohimet historike të Mihail Gorbaçovit, duke e cilësuar atë si një moment kyç në rënien e Bashkimit Sovjetik.
“Të nderuar të pranishëm, presidenti Donald Trump ka bërë një deklaratë. Një deklaratë, të cilën jo të gjithë e kuptuan në gjithë dimensionin e saj, kur tha se armiku më i rrezikshëm për Amerikën është armiku i brendshëm.
Tani dua t’u them se në jetën time, unë këtë deklaratë e krahasoj me një deklaratë të Mihal Gorbaçovit, i cili në vitin 1989 deklaroi se Rusia është sot toka e askujt.
Me këtë deklaratë, Gorbaçov tregoi se ishte gjeniu, gjiganti i guximit njerëzor sepse në atë kohë Rusia ishte në kthetrat e mamuthit politik më të fuqishme që ishte Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik.
Por ky burrë me një kurajo mbinjerëzore i tha mamuthit se Rusia nuk është e jotja dhe se Rusia nuk ishte as e rusëve, as e popullit rus.
këtë tezë, mbi këtë bazë u shkërmoq perandoria e të keqes, Bashkimi Sovjetik dhe Rusia iu kthye rusëve, Kazakistani, kazakëve e me radhë. Pra, ajo ishte një deklaratë gjeniale.
E vërteta është se më gjeniale është deklarata e Donald Trump se armiku më i rrezikshëm për SHBA është armiku i brendshëm.
Pra, cili është ky armik i brendshëm? Ky armik i brendshëm qëndron në establishment, në zyrat më të larta, më të rëndësishme.
Ky armik i brendshëm ishte kryediplomati i Amerikës dhe i botës, që kishte marrë, kishte mbledhur 51 firma për të mashtruar kombin amerikan dhe për t’i thënë se laptopi nuk ishte i Hunter Biden. Se Hunter Biden nuk kishte pasur kurrë laptop në jetën e tij, por e kishin lënë rusët tek një berber laptopin.
Dhe ky njeri, pasi u vërtetua nga hetimi i Kongresit se kishte kryer këtë akt, nuk kishte minimumin e integritetit të jepte dorëheqjen. Nuk ndjehej e turpëruar për aktin që kishte kryer.
Nuk e marr këtu për raportet e mia me Antony Blinken, por e marr se nuk është kuptuar sa duhet dimensioni i kësaj deklarate të Donald Trump.
Nuk është kuptuar sa duhet se çfarë rreziku të tmerrshëm paraqet për kombin e lirë censura.
Censurën amerikanëve nuk ua vendosi kinezi, as rusi. Jo mor jo. E vendosi ekstremi i majtë sepse donte të mbante me çdo kusht pushtetin.
Po ky atëherë është armik i lirisë se pushteti nuk mbahet me çdo kusht. Ti duhet të ndjekësh disa rregulla për të mbajtur gjallë demokracinë.
Dhe çfarë gjetën? Gjetën se ajo zyra e famshme e censurës që të kujtonte psikologjinë talebane, ajo që thoshte se po merrem me dezinformimet ruse dhe kineze, ajo merret me portalet dhe mediat e kundërshtarit. Për t’i censuruar ato.
Kjo valë censure fryu edhe në Europë. Kjo erë censure fryu në Europë. Mbyllën televizione. Vihen nën kontroll të plotë siç është këtu.
Po pse e thotë armiku më i rrezikshëm? Sepse dallimi midis forcës së njeriut të lirë dhe forcës së njeriut jo të lirë është dallim si nata me ditën.
Vendin e bëjnë të sigurt njerëzit e lirë. Amerika ka fuqinë më të pakrahasueshme në çdo aspekt. Por kur përfundon në dorën e njeriut që firmos dhe fal familjarët e tij sikur në pushtet ka ardhur Xhingis Khani, që nuk ndodh kurrë”, u shpreh Berisha.