Kryetarja e Apelimit në Partinë Demokratike, Adriana Kalaja, është paraqitur këtë të premte në Gjykatën Kushtetuese, ku ka bërë një tjetër denoncim ndaj gjyqtares Marsida Xhaferllari. Sipas Kalasë, gjyqtarja ka shkelur Kushtetutën dhe për këtë, ka depozituar një kërkesë në gjykatë, ku kërkon hetimin e Marsida Xhaferllari.
“Një denoncim për gjyqtaren Marsida Xhaferllari, deri në shkarkimin e saj për shkak të shkeljes së Kushtetutës por dhe ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese. Nga data 13 janar siç edhe ju jeni në dijeni të faktit, deri më sot ne nuk kemi marrë asnjë informacion se çfarë ka bërë kryetarja e kësaj gjykate, e cila ka edhe tagrin për të nisur hetimin disiplimonr ndaj një gjyqtari i cili konstatohet se mund të ketë shkelje të ndryshme në ushtrimin e detyrës.
Nga ana tjetër, ne më datë 14 janar kemi depozituar sërish një kërkesë me prova shtesë, të cilat i kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese të përdoren jo vetëm për hetimin deisplinor ndaj kësaj gjyqtareje, por edhe të përdoren në çështjen me kërkues të zotit Sali Berisha, i cili kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtares Xhaferllari në procesin që po zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese.
Kërkesa e dytë që ne kemi ditën e sotme ka të bëjë me informacionin, nëse gjyqtarja Marsida Xhaferllari ka marrë pjesë në një proces ku një palë, qoftë kërkuese apo interesuese ka qenë Prokuroria e Posaçme ose SPAK dhe në dijeninë tonë ky proces lidhet me kërkues Pëllumb Gjoka. Pasi siç e kemi cilësuar edhe në kërkesat tona vijuese, kallëzimin e parë, shtesë dhe të dytë, që për ne nuk është ligjore vendimmarrja e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.
Parësore sipas ligjit, qoftë organik apo kushtetues por mbi të gjitha ligjin për konflikt interesi, është që një gjyqtare nuk mund të marrë pjesë në një proces ku është në konflikt interesi qoftë me kërkuesin. Bashkëjetuesi i saj, ka konflikt interesi me personat në fjalë. E shoh shumë të rëndësishme të paraqesë përpara publikut që ne na intereson ky konflikt interesi”, tha Kalaja.