Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është duke zhvilluar një takim virtual me përfaqësues të diasporës shqiptare në 62 qytete të botës. Gjatë fjalës së tij, ai vlerësoi angazhimin e diasporës në organizimin e qindra takimeve për të siguruar të drejtën kushtetuese të votës për shqiptarët jashtë vendit.
Berisha e cilësoi këtë një mision të rëndësishëm për shpëtimin e Shqipërisë nga narkodiktatura. Ai theksoi se vendi po përballet me një eksod masiv, ku mbi 1 milion shqiptarë janë larguar vetëm në dhjetë vitet e fundit.
“Kënaqësi e jashtëzakonshme të komunikoj sot me ju, përfaqësues të komuniteteve shqiptare në 62 qytete të botës dhe të përulem me nderimin më të madh, mirënjohjen më të pakufishme para punës që ju keni bërë, në organizimin e mbi 150 takimeve të themi zyrtare dhe qindra e qindra të tjera informale, në një mision shumë të rëndësishëm, në një mision për të mundësuar qytetarëve shqiptarë jashtë vendit të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votimit në Shqipëri, në një mision do të thosha ndër më të rëndësishmit e jetës tuaj, për të kontribuar me votën tuaj në ndarjen e Shqipërisë, shpëtimin e saj me 11 maj nga narkodiktatura.
Ky regjim, i cili në disa aspekte ka goditur më rëndë materien e kombit shqiptar se çdo regjim tjetër.
Vetëm në 10 vite statistikat e BE-së tregojnë se nga Shqipëria në hapësirën Shengen, emigruan 1 milionë e 99 mijë shqiptarë, pa llogaritur këtu SHBA, Kanada e shtete të tjera që nuk përfshihen në hapësirën Shengen.
Në 10 vite rreth 45% e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria. Në rast se vazhdon ky trend, Shqipëria e vërteta është se demografikisht shkon drejt reduktimit dhe mbetet thjeshtë një nocion gjeografik.
Në kohën kur ky vend, ju vetë e dini, pa pasuri përrallore, potenciale përrallore për secilin prej jush dhe gjithë shqiptarët që të ndërtojnë ëndërrën më të bukur të jetës në Shqipëri.
Ndaj dhe thirrja ime është edhe këto 72 orë që kanë mbetur ta bëjmë natën ditë, të bëjmë çdo përpjekje për të regjistruar çdo shqiptar, shqiptare që njohim jashtë Shqipërisë në mënyrë që të firmosim në 11 maj ndarjen e Shqipërisë nga e keqja.
Të përmbysim një diktaturë të dytë, narkodiktaturën e instaluar dhe të bazuar mbi drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Të krijojmë mundësitë reale që djemtë dhe vajzat e Shqipërisë të ndërtojnë ëndrrën e tyre në Shqipëri”, tha Berisha.