Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në takimin me mësuesit me rastin e festës së 7 Marsit garantoi se brenda një mandati, nga jugu në thellësitë e Alpeve qeveria do të financojë instalimin e paneleve diellore në të gjitha çatitë e Shqipërisë.
“Shqipëria Madhështore’ i ka zënë në befasi kleptokratët dhe narkoqeveritarët. Natyrisht përpiqen me çdo kusht që të zhvlerësojnë këtë term. Por ne që kemi paraqitur këtë program, ne kemi paraqitur atë me bindjen më të thellë se është plotësisht i realizueshëm.
E kemi paraqitur me bindjen më të thellë, sepse ishte për shqiptarët madhështi, kalimi nga njerëzit më të varfër, nga grupi i kombeve me të ardhura të ulëta, kalimi në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.
E gjithë elita ekonomike botërore e vlerësoi atë moment si ‘quantum liptum’ si një hap kuantik të jashtëzakonshëm.
Askush nuk e imagjinonte dot se në dy mandate mund të ndërtoheshin dhe rindërtoheshin 11 mijë km rrugë. Ju them këtu unë ju, nuk i harroj kurrë fytyrat e bashkëpunëtorëve të mi. Kur kemi deklaruar se do të ndërtojmë Rrugën e Kombit, qoftë dhe me vathë dhe byzylykë ata janë zbehur. Ka patur prej tyre që janë zbehur. Por ne ndërtuam 2-3 herë më shumë se atë që shpallëm.
Nuk i ndërtuam me vëthë dhe byzylykë, por i ndërtuam me paratë tuaja, taksat tuaja. Ato i përdorëm për të bashkuar kombin.
Shqipëria nga vendi më i pasigurtë u bë anëtare e NATO-s. Unë besoj se ky ishte një akt madhështie për vendin më të pasigurtë që i kishte provuar të gjitha pushtimet në kohëra.
Nga vendi që kishte gjithsej 4.8% të penetrimit të internimit të internetit në shoqëri, kaloi në 63% dhe u bë vendi më i hapur ndaj internetit, për shoqërinë.
Shqipëria është vend plot me ujëra. Dhe kur deklaruam në vitin 2007 se do të bëheshim superfuqi e vogël rajonale e energjisë së rinovueshme u tallën, përqeshën, por në fakt Shqipëria sot është eksportuesi i energjisë së rinovueshme. Dhe janë edhe qindra hidrocentrale të tjera për tu ndërtuar.
Por miqtë e mi. A kemi ne të drejtë të themi se Shqipëria do të jetë Madhështore në prodhimin e energjisë?
Ju garantoj se brenda një mandati, nga jugu në thellësitë e Alpeve qeveria do të financojë instalimin e paneleve diellore në të gjitha çatitë e Shqipërisë.
Do ta bëjmë ne këtë, që qytetarë shqiptarë pas instalimit të tyre do të paguajnë dhe tre vite të tjera koston e instalimit si çmim energjie, dhe pastaj do i kenë falas ato. Do ta marrin energjinë falas, e kanë nga Zoti, e kanë nga dielli. Vend me 280 ditë diell, vend i bekuar nuk ka si Shqipëria”, u shpreh Berisha.