Berisha: Ne do garantojmë suksesin e çdo nëne dhe vajze në Shqipëri!

Në shpalosjen e programit ‘Fuqizimi i grave dhe vajzave’ të PD, kryedemokrati Sali Berisha theksoi se beteja është kundër murit të patriarkisë.

Duke i garantuar suksesin grave në Shqipëri, Berisha u shpreh se PD do të bëjë ‘gjithçka që paga minimale, e cila në tërësi është më e zakonshme tek gratë se tek burrat, për shkak të disa sektorëve, të jetë reale dhe të mos guxojë të veprojë, siç u tha se i marrin disa dhe i kthejnë prapë’.

“Çështja themelore, vetëkuptohet, është muri i patriarkisë.

Muri i patriarkisë është një mur shekullor dhe e them gjithnjë, është dhunuesi kryesor i lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe në botë.

Ndaj dhe beteja kundër këtij muri është para së gjithash betejë për emancipimin shoqëror dhe njerëzor.

Ky mur ka konsoliduar pabarazi të mëdha.

Unë u them ju, në vitin 2005, kur ne përllogaritëm rrogën e punonjësve burra dhe gra, rezultonte se gratë e kishin rrogën 36 përqind më të ulët se burrat.

Sigurisht që bëmë ndërhyrje shumë të vendosura, dyfishimin dhe mbidyfishimin e rrogave në sektorët që dominoheshin nga gratë dhe kjo zbriti afërsisht në nivelet e BE, zbriti në 17.8 përqind.

Unë dhashë një shembull, ndaj dhe jam sot këtu para jush për t’u garantuar se beteja jonë do të jetë e vendosur së pari kundër murit të patriarkisë.

Kundër çdo forme diskriminimi.

Fatmira theksoi një moment shumë interesant, të gjithë ata që kanë dhënë mësim, kanë pasur një raport absolutisht në 10 studentë apo nxënës, 8 kanë qenë vajzat më të shkëlqyera, 2-3 kanë qenë djem.

Kjo është epërsi e padiskutueshme intelektuale e vajzave.

Në dekada, testet e inteligjencës dilnin eprore tek burrat. Po ka nja dy dekada, që ato dalin qartësisht eprore te vajzat.

Pse? Sepse tani kampionet e studimit janë me shkollim të barabartë, janë vajza dhe djem të shkolluar.

Dhe këto teste faktojnë se vajzat kanë treguesit intelektualë eprorë ndaj bashkëmoshatarëve të tyre djem

E theksova këtë moment sepse çështja e qëndrimit ndaj rolit të vajzave dhe grave nuk është vetëm çështje thelbësore e emancipimit shoqëror, por edhe çështje e potencialeve të jashtëzakonshme që gratë dhe vajzat mbartin në vetvete, të cilat duhet të shfrytëzohen në interesin më të mirë të tyre dhe të shoqërisë.

Çdo grua, çdo vajzë, çdo organizatë e mbështetjes së të drejtave të rolit të grave, duhet të marrë një gjë parasysh, që ato gra dhe vajza nuk duhet të dorëzojnë kurrë karrierën e tyre.

Ato duhet t’i qëndrojnë me sakrifica të mëdha.

Por nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa të qëndrojnë të pamposhtur në mbrojtje të karrierës së tyre dhe të ndjekin karrierën e tyre.

Studimet më të besueshme kanë treguar se rruga e mundimshme e ndjekjes së karrierës është garancia më e madhe e suksesit të tyre.

PD është e vetëdijshme për këto potenciale të jashtëzakonshme që ekzistojnë te vajzat dhe gratë.

Dhe unë u garantoj se do bëjë gjithçka për të gjitha hapësirat në të gjitha fushat.

Ku jemi ne sot si komb? Sot si komb, kulmet tona janë tek gratë dhe vajzat.

Shikoni se ku e ngritën këngën dhe zërin çikat e Kosovës dhe Shqipërisë, Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha, Ava Max, Ermonela Jaho.

Kurse në Olimpin e teknologjisë sot është Mira Murati.

Por është edhe një tjetër, më eprorja. Është Nënë Tereza, e cila me dhuntitë e vajzës shqiptare arriti të meritojë titullin më madhështor, nënë e të gjithë njerëzimit.

Pra, unë jam sot këtu për t’u zotuar para jush se programi i PD do të synojë së pari të ndërhyjë me urgjencë në varfërinë ekstreme me të cilën përballen sot qindra e mijëra gra shqiptare.

Paketa e dhembshurisë që e quajmë ne do i japë fund varfërisë ekstreme.

Do bëjmë gjithçka që paga minimale, e cila në tërësi është më e zakonshme tek gratë se tek burrat, për shkak të disa sektorëve, të jetë reale dhe të mos guxojë të veprojë, siç u tha se i marrin disa dhe i kthejnë prapë.

Do bëjmë gjithçka që nënat me fëmijë të kenë pagesat për fëmijë.

Që nëna me fëmijën e tretë do i paguhet nga lindja gjer në 23 vjet tërësisht nga shteti fëmija i tretë.

Do bëjmë gjithçka për suksesin e biznesit të tyre me kredi, me grante, me diferencim në taksa dhe të gjitha këto janë jo vetëm interesi më i mirë i tyre, por suksesi i çdo nëne, i çdo motre, i çdo vajze, është sukses i të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Dosja 184/ Kalaja dërgon në SPAK prova të reja ndaj Pjerin Ndreut: Krim zgjedhor dhe korrupsion

Partia Demokratike ka depozituarprova të reja dhe ka apeluar për hetim më të thellë për …