Një tjetër kallëzim penal për shpërdorim detyre, korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera është depozituar kundër kryebashkiakut Erion Veliaj në SPAK.
Po ashtu në këtë kallëzim, të depozituar nga aktivistët Aurel Kujtimi dhe Andrea Bregu përfshihet edhe ish-drejtoresha e Rezidencës Studentore, Anila Shehu. Bëhet fjalë për një aferë me fondet e rindërtimit në “Qytet Studenti”.
Në vitin 2019, Veliaj i dërgoi Këshillit Bashkiak të Tiranës kërkesën për miratim për shembjen e godinës Nr.19. Në vitin 2021 sipas të dhënave nga platforma “Open Data Albania”, Bashkia Tiranë kryen një procedurë me prokurim direkt, me objekt rindërtimi i godinës Nr.19. Kompania fituese e tenderit me vlerë mbi 300 milionë lekë të vjetra u shpall R&T sh.p.k.
Kjo kompani, sipas procedurave, duhet të përfundonte ndërtimin e godinës së re brenda 13 muajve kalendarikë.
Por çfarë ka ndodhur?
Punimet që duhet të kishin përfunduar në vitin 2023, nuk nisën asnjëherë. Në territorin ku gjendej godina nr.19 sot ka vetëm inerte dhe shkurre.
CNA ka mundur të sigurojë pamje që tregojnë gjendjen në territorin ku dikur gjendjej godina nr. 19.
Punimet nuk u kryen, edhe pse në vitin 2023, Bashkia e Tiranës ka kryer një pagesë në vlerën e rreth 44 milionë lekëve të vjetra. Pagesa u krye për llogari të kompanisë, në kohën kur pretendohej të kishte përfunduar ndërtimi i godinës së re.
Bashkia Tiranë në procedurat e këtij tenderi përfaqësohej nga nënkryetari i Bashkisë në atë kohë, Arbjan Mazniku dhe ish-Drejtori i përfshirë në çështjen 5D në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha.
Bashkia Tiranë nuk iu ka dhënë asnjë përgjigje aktivistëve, të cilët janë interesuar për informacion pranë këtij institucioni se pse punimet që duhet të përfundonin në vitin 2023, nuk nisën kurrë.
Nisur nga mënyra e kryerjes së tenderit, paratë që shkuan për llogari të kompanisë pa u kryer asnjë punim, të çojnë në dyshimin se bëhet fjalë për një aferë korruptive të ideuar dhe iniciuar nga Erion Veliaj.
Përsa i përket rolit të ish-drejtoreshës Anila Shehu në këtë aferë ka dyshime se është përfshirë në tjetërsim të truallit dhe të hapësirës ku pretendohej të ndërtohej godina 19 në “Qytetin Studenti”.
Rasti ngjason me megaaferën e inceneratorit të Tiranës, me autor kryesor Erion Veliajn, për të cilën janë dhënë qindra milioan euro nga taksat e qytetarëve për një djegës që nuk u ndërtua kurrë.
Në këto kushte aktivistët i janë drejtuar Prokurorisë së Posaçme për të çuar para drejtësisë përgjegjësit e aferës që lidhet me rindërtimin e godinës nr. 19 në “Qytet Studenti”./ CNA