PD çon në SPAK Bushkën dhe Llagamin për përgjimet e bëra publike, për lidhjet e tyre me çiftin Veliaj-Xoxa dhe ushtrimin e ndikimit të paligjshëm në sistemin e drejtësisë.
Bushka ka grabitur një pronë me disa bashkëpronarë në Rrugën e Dibrës me falsifikim, për shkak të pozicionit politik të saj.
Avokatja Adriana Kalaja, në një prononcim përpara SPAK theksoi se, kallëzimi bazohet në përgjimet e publikuara nga OraNews dhe kërkoi sekuestrimin e aparateve celularë të akuzuarve.
Ajo kërkoi gjithashtu masë sigurimi për Bushkën dhe Llagamin, pasi dyshohen për pengimin në zbardhjen e së vërtetës dhe përfitime të paligjshme nga fondacionet e Xoxës.
“Sot vijmë me një kallëzim të ri. Kallëzojmë kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, kallëzojmë ish-kryetaren e KLGJ-së, Nereda Llagamin, bashkë me Erion Veliajn dhe Ajola Xoxen, për shkak të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm për shumë çështje në sistemin gjyqësor, por mbi të gjitha për shkak të të gjitha atyre përgjimeve të bërë publike nga OraNews dhe për të cilën ne, me këtë rast, i kemi kërkuar SPAK-së, sekuestrimin e aparateve celularë të dy të akuzuarve prej nesh, pra si Bushkës ashtu dhe Llagamit.
Nga ana tjetër, kemi sjellë një informacion shumë të zhvilluar me lidhjet që këto dy anëtarë mund t’i quajmë plotësisht të Partisë Socialiste, se si kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në sistemin e drejtësisë, por duke përfituar të ardhura të ndryshme nga fondacionet, të cilat ishin në zotërim nga Ajola Xoxa.
Ne gjykojmë se Klotilda Bushka, qoftë edhe për veprën penale që po hetohet tani nga SPAK, për pengimin në zbardhjen e së vërtetës, është një vepër penale e cila në fakt duhet të shoqërohet me një masë sigurimi. Për këtë arsye, ne i kemi kërkuar SPAK-së marrjen e një mase të sigurimit personal për të dyja këto shtetase, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë gjithë kësaj periudhe në vendimmarrje të ndryshme në sistemin e drejtësisë.
Nisur nga fakti që janë qoftë objekte të SPAK, por edhe objekti i këtij kallëzimi është i SPAK, ne kërkojmë që krahas masës së sigurimit personal, të fillojë edhe një hetim pasuror për Bushkën dhe Llagamin, pasi sipas informacioneve më të fundit që na kanë ardhur në Partinë Demokratike, Klotilda Bushka, nëpërmjet falsifikimit të dokumentave, nëpërmjet ushtrimit të ndikimit të paligjshëm për shkak të pozicionit politik që ka, ka grabitur një pronë e cila ka qenë në emër të disa bashkëpronarëve, por që sot, në mënyrë të paligjshme, është në emër të saj, në emër të familjarëve të saj dhe për të cilën të gjithë ish-bashkëpronarët e kësaj prone janë ankuar në PD.
Dhe jo vetëm që jemi në krah të tyre, por do jemi në krah të çdo qytetari, të cilët janë ndjerë në gjithë këto vite të pseudo-reformës në drejtësi, si janë persekutuar, dhunuar dhe nxjerrë nga prona e tyre me qëllim përfitimin e një grupi njerëzish të caktuar”, u shpreh Kalaja.