“Ora News” edhe më herët ka sjellë foto të Kryeinspektorit Metani në një darkë në ambiente private me kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka dhe ish-kryetaren e KLGJ-së, Naureda Llagami.
Njëkohësisht, ka sjellë edhe “foto-biseda” të vëna në dispozicion nga një qytetar që kanë të bëjnë me një bisedim në grup në “WhatsApp” mes tre krerëve (në papajtueshmëri të hapur me njëri-tjetrin për shkak funksioni).
Por duket se skandali thellohet më tej. Artur Metani, i cili është akuzuar nga opozita prej kohësh dhe që dyshohet se është nën hetim në SPAK edhe për dosjen e incineratorëve, përflitet në mesazhe nga Kryetarja e KLGJ-së se “ka hallet e tij”, pikërisht sepse është nën hetim e për këtë shkak çon në KLGJ raste të pakuptimta.
Kështu Naureda Llagami shfaqet në komunikimet më poshtë se thotë që “Turi (Artur Metani) ka hallin e vet”.
A mos nënkupton kjo një fraksion të një dosjeje nën hetim nga SPAK?
Pikërisht për këtë shkak nuk merret me peshkaqenë të drejtësisë, por me gjyqtarë e prokurorë pa mbështetje. Përmendet këtu për shembull emri i Kaçe Agollit, ish-gjyqtare në Gjykatën e Tiranës.
Madje, po ky inspektor, për inate personale të lindura gjatë një udhëtimi në SHBA në nëntor 2023, është duke proceduar dy herë brenda një periudhe të shkurtër, një drejtues prokurorie të një rrethi gjyqësor.
Aq e rëndë është situata e Kryeinspektorit dhe hetimeve ndaj tij që ka vite që zgjasin, saqë ish-kryetarja e KLGJ-së Llagami, shprehet në mesazhe se “është mirë t’ia plasësh Ildës (Klotilda Bushkës)” për Metanin, qoftë sepse sillet si shërbëtor i interesave të PS-së, qoftë sepse si një person që për shkak të hetimeve të SPAK ndaj tij, është i detyruar të kërcejë për partinë në pushtet, siç “kërcen prifti nga belaja”.
Artur Metani, ai që supozohej të ishte “dora e hekurt” mbikëqyrëse mbi sistemin e drejtësisë, është thjesht një mekanizëm i qeverisë për të mbrojtur ata që i shërbejnë kësaj qeverie e për të atakuar ata që nuk i shërbejnë.
Kryeinspektori, Artur Metani, benjamini i qeverisë në sistemin e drejtësisë disa herë nën hetim nga SPAK, kërcen ashtu “si prifti nga belaja”!