Ende pa shpalosur një program elektoral, mandatin e katërt kryeministri Edi Rama duket se synon ta fitojë përmes propagandës dhe sulmit ndaj fjalës së lirë.
Si një lider në mazhorancë prej 12 vitesh dhe me një sërë figurash të larta pas hekurave, për qeverinë socialiste ka shumë për t’u kritikuar.
Por duket se për të ruajtur imazhin e mirë, qeveria është vënë në sulm të mediave online.
Në në ditët e fundit, qarkullon lajmi se qeveria ka blerë pajisje të dyshimta për të përgjuar komunikimet në internet dhe për të ngadalësuar mediat online që janë kritike me të.
Për këtë ka folur mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Task Force” edhe gazetari Klodian Tomorri.
“Një qeveri prokuron në mënyrë të dyshimtë disa pajisje, të cilat nuk dihet se kush i ka marrë, pajisje që u përdorkan për bllokim interneti, për të bllokuar apo ngadalësuar mediat që ti do, u përdorkan për përgjime masive.
Si mund të bëhet fshehtas, dhe fakti që është bërë në fshehtësi, në sekret të plotë, tregon se kjo është tërësisht jo ligjore.
Denoncimi dhe detaje që na japin se kur ka ardhur, e ku është instaluar pajisje, ky është një informacion që i ka faktet të gatshme.
Gjërat që bëhen fshehtas, nuk kanë asnjëherë qëllim të mirë, por qëllime djallëzore nga pas.
Për mua kjo gjë duhet të hetohet nga struktura e posaçme, për faktin se kjo është një bombë që qeveria e ka në dorë dhe mund ta lëshojë kur të dojë, për interesat e veta.
Nuk mund të jetë Shqipëria një vend ku qeveria merr pajisje të dyshimta, i fut përmes metodave të fshehta, dhe mund ti përdorë si të dojë.
Ma merr mendja se edhe në Turqi, sapo vende të tjera “demokratike” nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Kjo është totalisht jashtë shinave të ligjit”, u shpreh Klodian Tomorri.
Edhe eksperti i IT, Besmir Semanaj tregoi se me justifikimin për të mbyllur TikTok, në Shqipëri kanë hyrë pajisje të dyshimta që mendohet se vijnë nga Izraeli dhe se qytetarët nuk e dinë saktësisht për çfarë po përdoren ato.
“Këto paisje kanë hyrë në Shqipëri më 11 mars 2025. Nuk janë kompani të cilat kanë bërë kërkesë dhe të cilat i kanë blerë këto paisje. Një prej këtyre është përballë spitalit nr 5. Kolegët janë të shqetësuar, sepse në fund të ditës janë qytetarë dhe kanë bërë fotografi të paisjeve.
Pajisjet vijnë nga Izraeli dhe nuk është e qartë kush ka bërë pagesën. Justfikimi i këtyre paisjeve është bllokimi i TikTok-ut. Gjatë tentativave për mbylljen e TikToku-t bënë edhe shumë gafa duke bllokuar mbylljen e shërbimeve sociale. E kuptuan që nuk mund ta bllokojnë dot TikTok-un, sepse çdo gjë funksionon në kohë reale”, tha Semanaj.