Në mbyllje të prezantimit të programit të PD-Shqipëria Madhështore, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se, vendi po bëhet i pajetueshëm.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se, qeverisja e Partisë Demokratike do të ngrejë një infrastrukturë për një mjedis më të shëndetshëm.
Fjala e kreut të PD, Sali Berisha
Ju falënderoj për ndërhyrjet që bëtë.
Paraqitet një program, për të cilin Shqipëria ka nevojë jetike, pa të cilin Shqipëria çdo ditë e më shumë bëhet një vend i pajetueshëm, çdo ditë e më shumë bëhet një vend i pashëndetshëm.
Dua t’u garantoj se qeveria e ardhshme në një aspekt do jetë qeveria më miqësore ndaj mjedisit dhe të gjithë faktorëve që përbëjnë kompleksin e tij.
Portofoli i këtyre fushave do të jetë një ndër më të rëndësishmit.
Ju siguroj se nuk do lëmë ligj pa miratuar, kriter pa zbatuar, investim pa bërë, që të shënojmë një kthesë rrënjësore në ruajtjen, zhvillimin e mjedisit, e zonave të mbrojtura, e pasurive të tyre të pafundme.
Mbrojtjen nga ndotjet të ajrit, të tokës, të ujërave.
Për ne, janë dhe do mbeten përparësi të mëdha.
Ne do bëjmë gjithçka që shqiptarët në përputhje me standardet më të mira, të përfitojnë maksimalisht nga pasuritë e pafundme të pyjeve, kodrave, maleve, kullotave të këtij vendi.
Të bimëve aromatike, medicinale dhe bimëve të tjera.
Do të ringremë një infrastrukturë efiçente me të gjitha institucionet dhe institutet e domosdoshme për të përmbushur këtë mision, për t’i rikthyer Shqipërisë dhe shqiptarëve një mjedis të shëndetshëm, një mjedis të begatë natyror.
Ju ftoj që çdo propozim që keni, t’ua dorëzoni zotërinjve drejtues të departamentit sipas fushave.
Ky program do të publikohet pasi të pasurohet me vërejtjet, sugjerimet, propozimet tuaja.
Ju falënderoj shumë për angazhimin tuaj.