Në Shkodër u zhvillua ceremonia në nderim të 4 martirëve që u vranë nga regjimi komunist në grahmat e fundit te tij, më 2 Prill të vitit 1991, në Shkodër.
Kryetarja e PD Shkodër, Eliona Shkreli tha se, sot jemi në një regjim totalitar të dytë. Jetojmë në kohën e një narkoshteti ku ligjin e bëjnë mafia dhe bandat. Dhe ku kryeministri është i gjunjëzuar ne këmbim të pushtetit të tij. Jetojmë në kohën e mungesës së lirisë ku spiunët e sigurimit janë kthyer në patronazhsitët modernë.
“Sot përkujtojmë një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë, jo vetëm të Shkodrës por të mbarë Shqipërisë. 2 prilli është ditë e kujtesës, nderimit dhe respektit për heronjtë e demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën.
Përkujtojmë sot një nga ngjarjet më të lavdishme por edhe nga më tragjiket, kur këta të rinj u vranë pabesisht vetëm se donin demokracinë, donin lirinë, donin votën e lirë. Por gjithashtu kujtojmë një ngjarje shprese të atyre kohëve të zymta për Shqipërinë ndërsa po çlirohej nga zinxhirët e regjimit gjakatar diktatorial. Shkodra pararendëse e rënies së sistemit komunist. Në memorien e çdo shqiptari dhe në veçanti në memorien e çdo të riu dhe të reje të saj kohe, mbeten imazhet e asaj që po ndodhte pikërisht këtu, para ish komitetit të partisë kur të rinj dhe të reja guximtarë dhe trima shpërthyen në revoltë për të përmbysur një regjim të pashpresë ku liria privohej në çdo kuptim të saj.
Ishte ditë që shënoi vrasjet tragjike por njëkohësisht ishte edhe ditë shprese. Shembulli dhe guximi i Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës, tashmë është shkruajtur me shkronja të arta në historinë e Shkodrës dhe të Shqipërisë, të cilët u flijuan në këmbim të lirisë që ju mohua shqiptarëve në 45 vite. Ai sistem i pamëshirshëm lau me gjakun e 4 të rinjve rrugët e Shkodrës dhe këtë Shkodra nuk e harron kurrë.
Sot jemi në një regjim totalitar të dytë. Jetojmë në kohën e një narkoshteti ku ligjin e bëjnë mafia dhe bandat. Dhe ku kryeministri është i gjunjëzuar ne këmbim të pushtetit të tij. Jetojmë në kohën e mungesës së lirisë ku spiunët e sigurimit janë kthyer në patronazhsitët modernë”, u shpreh Shkreli.