Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar në një konferencë për gazetarët çarjen e institucioneve shtetërore dhe manipulimin e provave të krimit. Sipas tij, në 83% të rasteve, dosjet nuk dorëzohen në prokurori, duke dëshmuar një bllokim të qëllimshëm të drejtësisë nga qeveria.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për urdhërimin e këtij mekanizmi, duke ndaluar institucionet të bashkëpunojnë me prokurorinë. Ai sulmoi ashpër drejtuesit e policisë, duke i cilësuar si mbrojtës të krimit dhe përgjegjës për fshehjen e dosjeve.
“Së pari, ky është një tregues dramatik për vendin. Ky tregon çarjen përfundimtare të institucioneve të narkoshtetit. Kjo tregon se në 83% të rasteve, provat e krimit prishen, manipulohen, përdoren për pazar dhe nuk shkojnë në prokurori. Ky është zbatimi i urdhërit të Edi Ramës.
Edi Rama ka urdhëruar institucionet që të mos kenë komunikim me prokurorinë. Dhe ky është një akt, shumë, shumë i rëndë. E them me bindjen më të madhe.
Kur unë kam kërkuar që këto institucione të reformohen, nuk mund të imagjinoj kurrë që ato të shuhen, të mos ekzistojnë, se kjo është ta shuash. Se prokuroria ka një numër të kufizuar punonjësit, qoftë prokurorë, qoftë OPGJ. Dhe natyrisht, ajo misionin e kryen mbi dosjet që dorëzon policia, Shërbimi, informacionet kur janë për çështje të sigurisë kombëtare dhe administrata.
Administrata ka me dhjetëra e dhjetëra punonjës që paguhen për këtë çështje. Duhet të çojnë dosjet.
Kur policia nuk çon 83% të dosjeve, se kjo është shifër shumë, shumë e rëndë. Unë e kuptoj se, nuk duan të thonë se i ka fshehur, por rënia në një kohë kur kriminaliteti rritet, rënia me 83% e dosjeve të dërguara nga policia, është shifra më alarmante që mund të jetë në fushën e luftës kundër krimit.
Pse ka ndodhur kjo, ta them unë ty. Proda është ‘Matrix’. Ky Ilir Matrixi shkoi aty për të bërë pikërisht për të bërë këtë gjë, pikërisht për të mbrojtur krimin, për të fshehur dosjet e krimit dhe për të mos i dorëzuar. E dinë të gjithë aty, se ai është ‘Matrix’. Ministri vetë është një ushtar i Pojës, ky Hoxha apo Hoxhaj, se nuk merret vesh si e ka, se njëherë thotë jam kështu, e jam ashtu.
Pra kjo është arsyeja.
Ju jeni dëshmitarë. Unë jam përpjekur të ndriçoj, të informoj qytetarët se si Taulant Balla, me dokumente merr dosjen e kundërshtarëve të bandës, i arreston ata, shpërblim për vota.
Se si Taulant Balla e merr dosjen nga SPAK, e çon në polici në mënyrë që ta nxjerrë jashtë afateve ligjore, asnjë veprim.
Pra lajm shumë i keq ky”, tha Berisha.
