Nga Beqir SINA
“Ç’është ky lajm që tokën drodhi? Nxin dhe diellin këtë herë. Po si vallë ne ta besojmë që na la shoku Enver?”.
Për Mero Bazen, vdekja e Enver Hoxhës, diktatorit komunist që sundoi me dorë të hekurt për mbi 40 vjet në Shqipëri, ishte diçka e tmerrshme, e pabesueshme.
Mero ishte student kur vdiq Enveri me 11 prill të vitit 1985, dhe lajmi për humbjen e diktatorit, u kthye në ngjarjen më të tmerrshme të jetës së tij. Kishte humbur “simboli i lirisë” dhe kjo gjë nuk mund të besohej.
“Vunë kujën malet, shpatet, ku ka shkelur këmb’e tij. Kujën vuri Shqipëria, po qan djalin e saj trim”.
Mero është megjithatë i sigurt se Enveri vdiq fizikisht, por jo në mendjen dhe në zemrën e tij dhe siç thekson, ai nuk vdes kurrë sepse është “simbol i lirisë” dhe “shkëlqim i historisë”.
Duket e pabesueshme, por është e vërtetë.
Këta rreshta nuk janë hamendësime apo një ironi, janë thjesht vargje të hedhura në letër, pikërisht nga Mero Baze, analisti “i pavarur” që sot “shitet” ngado si penë e së vërtetës dhe jo e shtirjes.
Por a mund të besohet kjo?
Lexoni të plotë këtë poezi që Mero Baze e shkroi pas vdekjes së Enverit, madje e botoi në një libër të posaçëm: BREZAT RRADHË-RRADHË BETOHEN
Ç’është ky lajm që tokën drodhi?
Nxin dhe diellin këtë herë.
Po si vallë ne ta besojmë
Qe na la shoku Enver?
Vunë kujën malet, shpatet,
Ku ka shkelur këmb’ e tij.
Kujën vuri Shqipëria,
Po qan djalin e saj trim.
Por jo s’vdes, Ai do rrojë
Si simboli i lirisë.
Kohërave u prive ndër beteja
O shkëlqim i historisë!
Pas lotëve të hidhërimit
Duart më fort shtrëngohen.
Për rrugën e Enver trimit
Rradhë-rradhë brezat betohen.
Mero Baze student, fakulteti Gjeologji-Miniera
Dhe ashtu siç Mero shkruan në poezinë e tij, për Enverin, “Rradhë-rradhë brezat betohen”. Betimi këtu i përket Meros, që premton botërisht se “Enveri” nuk vdes, ai do rrojë si simboli i lirisë”.
RRETH LIBRIT
Mero me shokë, “Dhimbje dhe betim”
“Dhimbje dhe betim”, është libri i botuar në prill të vitit 1985, me poezitë e 34 studentëve që në atë kohë përjetuan plot dhimbje vdekjen e diktatorit komunist, Enver Hoxha.
Në fakt, vdekja e Enver Hoxhës, u përjetua keq nga shumë njerëz atëherë, pjesa më e madhe e të cilëve, të “hipnotizuar” nga terrori psikologjik i kohës dhe frika e ndëshkimit diktatorial.
Por mes tyre, kishte dhe njerëz si Mero, që nuk u mjaftoi të bënin “detyrën” duke shkuar në homazhet për Enver Hoxhën, siç dallohet dhe Merua në këtë foto, por edhe të shkruajë poezi për të dhe ta botojë në një libër të posaçëm, bashkë me 33 persona të tjerë, intelektualët e ardhshëm të Shqipërisë.
Ja çfarë thuhet në parathënien e librit:
“Dhimbja e madhe për humbjen e udhëheqësit të shtrenjtë të partisë e të popullit, mësuesit tonë të lavdishëm, shokut Enver Hoxha, preku thellë edhe zemrat e armatës së studentëve, pedagogëve e punonjësve të Universitetit që sot mban krenar emrin e tij.
Me dhjetëra poezi janë shkruar këto ditë. Ato janë të thjeshta, por të dala nga zemra. Një pjesë e këtyre poezive i kemi përmbledhur në këtë vëllim. Në çdo strofë, në çdo varg, krahas dhimbjes së jashtëzakonshme ndihet edhe betimi: Në jetë të jetëve do të mbajmë lart emrin dhe veprën e shokut Enver Hoxha”.
“Dhimbje dhe betim”, libër i daktilografuar, me poezi, dhuruar Ramiz Alisë me rastin e ceremonisë së zhvilluar më 28 prill 1985, me rastin e vënies së emrit të Enver Hoxhës, Universitetit të Tiranës./CAN/