Aleksandar Vuçiq nuk e kishte vlerësuar mirë që ‘ishte bërë i tepër’, ndaj shefja e kabinetit të presidentit amerikan, Donald Trump ia ndaloi hyrjen në kompleksin në Florida, edhe pse ai kishte paguar që të futej në kompleks.
Kështu deklaroi ish-diplomati serb, Nebojsha Vujoviq në lidhje me lajmin se presidenti i Serbisë u kthye papritur në vend nga SHBA-ja.
“Trumpit i intereson më shumë loja individuale e shahut me Putinin. Vuçiqit nuk ia lejon t’i zgjidhë problemet e brendshme të Serbisë përmes një fotografie me të. Ai deshi, me atë foto (pranimin) në Florida, të zbusë kërcënimin nga Evropa dhe të shkojë në Moskë. U fut mes Trumpit dhe Putinit, duke ia marrë ekskluzivitetin dhe pozitën Trumpit si ‘kryetar klase’ përballë Evropës“, deklaroi Vujoviq.
Ish-diplomati theksoi se Vuçiq e ka degraduar pozitën e tij si në Uashington, ashtu edhe në Moskë, ndërsa në Evropë po e “kurorëzojnë” studentët, shkruan N1.
“Me këtë veprim ai e degradoi veten më shumë se që ia bënë studentët. Studentët e goditën në nerva dhe e çuan nga një gabim në tjetrin. Deshi të përballej shpejt me komunitetin akademik dhe të shtypte protestat, por arriti të kundërtën. Edhe ata që e shpëtonin për shkak të interesave të tyre – para së gjithash Brukseli, Parisi dhe Berlini – tani duhet t’i lidhin vetes duart“, deklaroi Vujoviq.
Ai shtoi gjithashtu se Trump, në mandatin e dytë, është më i mençur se në të parin, edhe pse bën gabime.
“Nuk është ndonjë budalla naiv, siç mendojnë shumë në Amerikë dhe Evropë. Ai nuk erdhi në pushtet me ruletë – shumica e amerikanëve e mbështetën fuqishëm. Natyrisht, edhe ai bën gabime, por po bën atë që premtoi në fushatë. Për Putinin do të jetë më i rrezikshëm se Macroni dhe të ngjashmit e tij – nuk duhet nënvlerësuar. Vuçiq e ka futur veten në kurth në mënyrë naive“, përfundoi Vujoviq.