Shkrimtarja Vilhelme Haxhiraj rrëfen “Odisenë” e vuajtjeve çnjerëzore në regjimin e komunizmit

INTERVISTË ME SHKRIMTAREN SHUMËDIMENSIONALE VILHELME VRANA HAXHIRAJ

Më pëlqen që ta zhbiroj deri në embrion jetën time të mohuar, e cila rilindi nga hiri i saj si Feniksi! Eh, sikur jeta të rilindëte përsëri nga zanafilla!  Por mjerisht… e pamundura, kurrë  nuk bëhet mundur, e bëra nuk zhbëhet dhe një jetë e varrosur nuk ripërtërihet. Ëndrrat, dëshirat, synimet e parealizuar apo të ndaluara, edhe pse nuk mund të burgosen, ato vdesin bashkë me kohën që i rrëmbeu padrejtësisht. – Vilhelme Vrana Haxhiraj

NGA GËZIM MARKU

Vilhelme Vranari (Haxhiraj) lindi në Kaninë, Vlorë, më 8.12.1944, me prejardhje nga familja e princërore e Gjergj Arianitit. Edhe pse e përndjekur nga lufta e egër klasave, me baba e xhaxha të burgosur, të internuar si fis, edhe pse i mohuan profesionin, si dhe i ndaluan diplomimin vetëm për tri lëndë, përsëri ajo mundi të kompletohej me arsim të lartë në UT, dega e shkencave sociale (Histori-gjeografi) me rezultate maksimale. Veçse ia mohuan të drejtën e ushtrimit të profesionit. Vetëm pas vitit 1990 rifilloi profesionin dhe nisi të shkruajë. Në vitet e para filloi me publicistikë, kurse më 1996 theu akullin me një vëllim të vogël poetik. Në këtë mënyrë realizoi ëndrrat e shuara, shpresat e vrara, gjithashtu gjeti vetveten e humbur në rrjedhat e kohës së vrazhdët. Nga viti 1950-1990, për Vilhelmen dhe familjen e saj, ka qenë një periudhë inkuizicioni i diktatit të egër komunist.

Vilhelmja është njëra 4-5 femrat e para në vend, që punoi për rrëzimin e diktaturës dhe u dallua si një veprimtare e shquar për emancipimin e gruas dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare. Është formuluese e të drejtave dhe lirive të gruas në demokraci me peticion drejtuar Parlamentit Shqiptar, më, 22.4.1992.

Është e para femër që ka mbrojtur me forcë liritë, të drejtat e grave e të fëmijëve, njohjen e emigrantëve nga shtetet ku kishin emigruar dhe bashkimin familjar të tyre. Qysh më 1993 ka ngritur zërin për përkrahjen nga politika dhe shteti të Himarës autoktone shqiptare. Përmes një publicistike dhe letërsie dinjitoze, ka kërkuar vendosjen e barazisë gjinore, integrimin e gruas dhe të Shqipërisë në organizmat evropiane dhe ato botërore. Këto kërkesa ajo i realizoi përmes publicistikës dhe prurjes letrare të madhe në numër dhe në cilësi.

Ja si e përcakton krijimatrinë e Vilhelmes, botuesi i krijimtarisë së autores, poeti me famë botërore,shkrimtari, një ndër 20 publicistët e shquar në botë, analisti dhe përkthyesi, Dr.Mujë Buçpapa:

“Vilhelme Vrana është një penë e fuqishme dhe e veçantë e letërsisë shqipe. Ajo ka hedhur themelet e një profili të qartë autentik si prozatore moderne, duke shëruar shpirtërat e humbur njerëzorë dhe kombin e saj nëpërmjet personazheve, të cilët mbajnë mbi vete fatet e shoqërisë sonë dje dhe sot.

*Shkrimtarja Vilhelme Vranari (Haxhiraj) ka lëvruar disa gjini letrare : poezi, skicë, novelë, tregim, roman dhe pjesë teatrale për fëmijë.

*Si publiciste në mediat brenda dhe jashtë vendit, është paraqitur me analiza, opinione, histori, përshkrime dhe intervista. Publicistika e saj botohet në Shqipëri, Kosovë, Angli, Itali, Arbreshët e Italisë, Rumani, Francë, ShBA, Kanada, Suedi, Gjermani, Zvicër, Greqi, Mal i Zi , Maqedoni  etje…

*Ka përkthyer 3(tri) libra nga gjuha italiane.

*Është e para autore femër, brenda trojeve shqiptare, që u  përkthye në gjuhën rumune, kurse tani u përkthye edhe në Greqi.

*Duke i dhuruar lexuesit mbi 50 vepra letrare, ese- publicistikë, studime  të reklamuara në mediat e vendit dhe të huaja, bija e Kaninës së lashtë  nga kritika profesionale dhe nga lexuesi, renditet mes emrave të shquar të letërsisë shqipe.

*Asnjë shkrimtar tjetër i ndaluar nga regjimi komunist, nuk ka mundur të imponohet me kaq dinjitet njerëzor dhe letrar sa Vilhelme Haxhiraj.

Ajo i bëri disa shërbime të rëndësishme letërsisë shqipe:

* Së pari: prishi hierarkinë e emrave letrarë të vendosur në mënyrë të  pandershme dhe shpesh mediokre nga kritika e oientuar politikisht.

*Së dyti: solli një një pasuri të pafundme origjinale të stilit, frazës, gjuhës, duke prishur uniformitetin e një letërsie standarte gati 50 vjeçare.

*Së treti: ajo shndërroi në letërsi vuajtjen e një kombi nën regjimin komunist, duke tronditur nga themelet piramidën letrare dhe psikologjinë që e prodhoi dhe e mbrojti atë

Proza  e saj ka përmasat e një drame globale. Përmes saj ajo ka ribërë shpirtin e humbur të njeriut dhe të kombit.

Nëse vepra e Vilhelme Vranari (Haxhiraj)do të ishte përkthyer në gjuhët kryesore ndërkombëtare, atëherë bota do të njihte letërsinë dhe artin e saj tronditës. Veç pa frikë mund të them se proza e saj është e një niveli europian dhe botëror. Unë mund ta vlerësoj shkrimtaren shqiptare Vranari si  Herta Mulerin, e cila fitoi çmimin Nobël për letërsinë 2009. Të dyja këto shkrimtare që e kaluan jetën në “Perandorinë e së Keqes”, siç ka deklaruar Presidenti Regan, kanë të përbashkët jo vetëm  persekutimin e gjatë komunist, përndjekjet, burgosjet dhe internimet, por edhe  artin  e të shkruarit, tematikat dhe personazhet. Dallimi ekziston vetëm në faktin se Herta shkruan në një gjuhë të madhe si gjermanishtja dhe ka pas vetes një shtet si Gjermania. Ndërsa Vranari dallon se vuajtjet  e saj janë të tmerrshme, të vazhdueshme dhe rrënuese. Vranarit nuk iu lejua nga regjimi komunist të ushtronte profesionin dhe as të botonte asgjë deri në rënien e tij në dhjetor 1990.”

Pra siç shohim si nga prurja dhe nga renditja e gjinive, por edhe siç e ka përcaktuar Akademik, Prof. dr. Eshref Ymeri (Personalitet i shquar i Labërisë)-ShBA, në referencën e tij: “Kur hyn në universin e fjalës artistike të zonjës Vrana-Haxhiraj, e cila operon me tërë regjistrat e gjuhës shqipe, arrin të kuptosh poezinë e madhërishme të ndjenjave që të kaplojnë, çka bën që shpirti të të mbushet me ngrohtësi, me dritë, apo edhe me një trishtim të lehtë.  Herë-herë një revoltë e brendshme të bën të shpërthesh në heshtje me zemëratë: ‘Ç’krim që bëri diktatura komuniste, që kësaj zonje të talentuar ia mohoi të drejtën e shprehjes së fjalës artistike që në rininë e saj?!”

Ndërsa Prof. Dr. Fatmir Tereziu “ Mjeshtër i MadhLondër, shprehet:“Vilhelme Haxhiraj është një shkrimtare erudite, studiuese e publiciste, me një kulturë që shtrihet në kohë dhe hapësirë të pamatë, që renditet mes emrave më të shquar të letërsisë kombëtare dhe më gjerë. Ajo shkruan në të gjitha gjinitë, si në letërsi, gazetari, në prozën e gjatë( roman) e të shkurtër( skicë, tregim, novelë, ese), poezi, satirë, fabulë si dhe një studiuese e mirëfilltë…”

Ka botuar mbi  63 vepra letrare nga të cilat 23 janë romane, kurse 13 libra të botuar përfshijnë mbi 50 novela dhe tregime. Vivra me punë, vullnet dhe me shumë dinjitet ka zenë vend të merituar në kolanën e letërsisë shqipe si romanciere e prozatore moderne. Gjithë vepra e saj është e vyer për lexim Rajonal, Kontinental dhe Boëror. Për arritje të tilla është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me Urdhrin e lartë, “Mjeshtre e Madhe e Penës” dhe me “Medalje Ari”, kurse Senati i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në New York, i dha titullin “Akademike” më, 30 tetor, 2018, me të drejta të plota. Akademia e Shkencave , Letërsisë dhe Arteve Indiane, më, 25 maj, 2020, e vlerësoi me  çmim Ndërkombëtar, “Ikonë e Letërsisë Botërore”. Jo çdo shrimtar i ka fituar kto vlerësime koblëtare dhe Nd/kombëtare. Pikërisht për shumëllojshmërinë sasijore të gjinive letrare dhe nivelin e lartë të stilit, përmbajtjes apo cilësisë,  kam analizuar e botuar librin me kritika nga krijimtaria e Znj. Vrana , me titull “Liria në Optikën e letrave të Vilhelme Vranari Haxhiraj”. Dr. F.Terziu.

Botime të autores:

*Poezi:

-Loti nuk ka faj, 1996

-Të pres, 2000

-Rãdãcinile-Rrënjët, shqip/rumanisht, Bukuresht-2009.

-Sa do të doja-Nacional -2018

-Rikthim në vite, greqisht

*Prozë e shkurtërNovela-tregime -skica

-Mamaja, novelë 2000

-Kush e vrau Kaftanazin (skica, tregime, novela, (2001)

-Rrugë pa kthim -(skica, tregime, novela),Toena, 2009.

-Mamaja, -novelë në gjuhën Rumune- Bukuresht -2011

-Çmimi i Dualizmit, -novelë,  Nacional-2012

-Një mall i pashuar, novelë,  Nacional-2014,

-Dashuria plagoset…, por nuk burgoset-ShB Nacional-2016

-Simfoni shpirti- skica letrare, Nacional,2018

-Legjendë…, apo e vërteta e një dashurie hyjnore?!-Nacional,2018

-Kurth, mashtrim e vetëmashtrim- Tregime-novela-Nacional,2021

-I shtrenjtë çmimi për jetën-Tregime e novela të zgjedhura-Europrint-2024

-Ngërç Hakmarrës- novelë- Europrint 2024

I shtrenjtë çmimi për jetën Edition Globus-Moldavi. Gusht 2024

*Romane:

-Dhembje nëne, Toena,1998

-Jetë në udhëkryq, Toena,2001

-Ringjallur si Krishti,Toena, 2002

-Amanti i Arbërisë, Toena, 2003

-Rrëfim në të perënduar, Omska,2007

-Unaza e Prangosur, Extra-2008

-Zonja me karafila të bardhë, 2009

-Dritëhijet e medaljes…enigmë, 2010, ShB Nacional

-Vonë tejet vonë, 2011- ShB Nacional ,2010

-Ankthi i së Vërtetës, botoi -2011- LULU-USA-2011

-Rikthim i Ismail Qemalit, botoi Lulu-USA-2012

-Rikthim i Ismail Qemalit-botimi i II- Sh.B.Nacional-2012

-Ankthi i së Vërtetës, botoi – botimi i dytë, Sh.B.Nacional-2013

-Bashkë në dashuri dhe atdhetari -ribotim- Bukuresht 2014

-Loja e mëkatit-roman-Sh.B Nacional-2015

-Unikale – roman- Sh.B. Nacional-2015

-Genti mbreti ilir i ardianëve-ShB.Europrint- 2022.

-Gjuha e zemrës

-Perëndim apo…?!

-Ai dhe Ajo…,E Çmendura”

*Trilogji-tre romane:

-Prolog Jete, roman I,Toena, 2007

-Vështroni Meduzën, roman II, Toena, 2005

-Dilema e së Nesërmes, roman III, Toena, 2006.

*Ese-Publicistikë :

“Pa Titull” – libri I, ShB Nacional-2011-

-“Pa koment”- libri II-të- ShB.Nacional-2016

-“Pa limit”-libri III,Sh.B.Europrint, 2021

Kështu ka ndodhur-libri IV-ShBEuroprint-2025

*Analiza -kritika të autorëve për Vilhelme Vranarin

– Mirënjohja, virtyt i kujtesës-Libri-1-

– Mirënjohja, virtyt i kujtesës-Libri-1I-

-Në botën Letrare të Kadri Tarellit

*Studime :

-Bashkë në dashuri dhe atdhetari-studim-Bukuresht 2012

-Rrugëtimi filozofik i Prof.Dr.Isuf Luzaj.SHB.Nacional-2017

-Tradhtia e  madhe ndaj Kombit, Nacional- 2018

-Elitat e Mohuara…,Krenari Kombëtare-ShB.Nacional-2019

-Autoktonia e Shqipërisë Jugore…, Enigma e Shekujve, ShB.Nacional Tiranë 2020

-Kanina e Lashtësisë dhe Princi Gjergj Arianiti, ShB.Nacional, 2021

-Lidhja Demikratike e gruss Vlorë – 2022

*Letërsi për fëmijë: Këtu hynë dhe dy romanet

-10 Fabula,Toena, 2000

-Bëmat e Dhelprës fabula, Toena, 2002

-Ne jemi lulet e jetës-  fabula,Toena, 2003

-Vogëlushja Bianka dhe kafshët e saj,përralla, Extra-R,2008

-E dini se ç’emër kam?! -Fabula e gjëegjëz , Extra-R,2009

– Përrallat e vendit Blu,cikël me përralla:

-Kuçedra dhe Dragoi -libri i I- përralla, 2010-ShB Nacional

-Xhuxhi dhe Gjiganti -libri i II-përralla,- 2011- ShB Nacional

-Shoku im arushi-përralla – 2013- ShB Nacional

Autorja sot i dhuron lexuesit  librin me analiza, kritika dhe vlerësime nga shumë autorë, me titull “Mirënjohja, virtyt i kujtesës”, tek i cili përfshihen 126 tema analitike, kritike dhe vleësusse të mëse 100 autorëve, personalitete vendas dhe të huaj.

*Krijimtaria e Vranarit është përfshirë në 28 antologji. Veç atyre me autorë shqiptarë, është përfshirë në tri -3-antologji italiane, arbëreshe, Mal i Zi, Kosovë, Vushtrri, Rumani, shqiptaro-rumune, Angli, Suedi, Greqi, etje, që janë në shqip apo gjuhët e vendeve përkatëse.

Vilhelme Vrana Haxhiraj është vlerësuar me 33 çmime kombëtare dhe nd/kombëtare

*Kupa e Argjendtë -Vlerësohet nga LDGSh- si nismëtarte e proçeseve demokratike, themeluese e  LDG dhe shkrimtare e integruar me vlera emancipuese për gruan dhe shoqërinë.-2000

*Medalje Ari  nga Presidenti i Republikës- 2012

*Medalje Argjendi-Bashkia Vlorë, 2010

*Medalje Bakri– Bashkia Vlorë-2008

Medalje Bronzi– Bashkia Durrës-2019

*Çmimi “Petro Marko”(2006),/

*Çmimi “Poezia e mir’interpretuar”, (2007),/

*Çmimi “Protagonist i vitit 2008”, /

*Çmimi I “Nd/kombëtar” Gj. K.Skënderbeu”, Torino (Itali -2009),/

*Çmimi “Mirënjohje e Lidhjes së Prizrenit” (Kosovë, 2009),/

*Pension i Posaçëm akorduar nga Qeveria shqiptare për prodhimtari & nivel artistik-2009/

*Çmimi “Protagonist i Vitit 2009”, nga Bashkia Vlorë,

*Çmimi “Personazh i vitit 2010”,  sondazh i medjave;

*Çmimi “Mirënjohje e Kaninës” -2010, /

*Çmimi “Mirënjohje e Klubit Drita” (Athinë, 2010), /

*Çmimi “Mirënjohje e Vlorës” me Medalie Argjendi (2010),/

*Çmimi i “Karrierës” konkursi letrar në Prozë (2010),/

*Çmimi I Nd/kombëtar- Mal i Zi” (2011),/

*Çmimi III” për romanin “Vonë tejet vonë”-2011;

*Çmimi “Mirënjohje e Arsimit Shqiptar” -7 mars 2012 (në 100 vjet Pavarësi)

*Çmimi Urdhri “Mjeshtre e Madhe ” & “Medalje Ari” nga Presidenti i Republikës, (në 100 vjet Pavarësi Kombëtare)

*Çmimi “Mirënjohje e Bukureshtit”për 100 vjetorin e Pavarësisë -28 Nëntor 2012

*Shpallet “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë” në 100 vjetorin e Pavarësisë 2012

*Fituese e çmimit “Premio internazionale di Poezia” -Firence- Italia -2010-2012.

* E vetmja   autore shqiptare mes 205 autorëve nga e gjithë bota që përfshihet në Antologjinë Botërore Italiane të 3 viteve (2010-2012) Premio Internazionale;

*Çmimi “Pena e Kristaltë” në Suedi-14 Mars 2014

*“Personalitet i Shquar i Labërisë”nga Sh.A.K Mbarëkombëtare Labëria, më 4-10-2014, / *“Çmimin e Parë Internacional”-Suedi-28 mars 2015;

* “Çmimi i Karrierës »-nga ShB Nacional-2016;

* “Çmimi i Karrierës »-festivali « pranvera poetike Durrës » -2017;

*Akademike, titull i dhënë nga Senati i Akademisë Shqiptare Amerikane e Shkencave & Arteve (New York)-30.10 2018

*Nderohet me Emblemën Diplomatike të Durrësit nga Kryetare e Bashkisë Durrës, Valbona Sako, më, 24 tetor,2019;

*Çmim Nd/kombëtar të Merituar– Kalabri- Italia, 2020

*Çmim Nd/kombëtar, “Ikonë e Letërsisë Botërore të avancuar” nga Akademia e Shkencave , Letërsisë dhe Arteve Indiane,  25 maj, 2020;

* Emërohet “Presidente Nderi e LDG, 6..02.2022-në 30 vjet themelimi.

*Nderi I Kombit -7-8 mars 2023 nga Unioni Kulturor i shqiptarëve të Bukureshtit

* “Mike e Fëmijëve”-shpallet nga nxënësit, Drejtoria dhe biblioteka e shkollës 14 Nëntori, Durrës, Prill-2022

Autorja Vivra ka gati për botim tri libra:

-Mirënjohja, virtyt i kujtesës-III, – me analiza kritika tëautorëve të ndryshëm ;

– Kështu ka ndodhur, -ese-publicistikë-V

-Sikur të…, roman

______________

Në këtë bisedë ekskluzive, kemi kënaqësinë të ndajmë me lexuesit tanë pjesën e parë të një interviste të veçantë me shkrimtaren e shquar shqiptare, Vilhelme Vrana Haxhiraj. Me një jetë të ndërlidhur ngushtë me historinë, kulturën dhe sfidat e një Shqipërie të mbërthyer nga diktatura komuniste, zonja Haxhiraj sjell një rrëfim të sinqertë e të thellë mbi rrënjët e saj familjare, lidhjen me Kaninën dhe figurën e Gjergj Arianitit, si dhe mbi vuajtjet e mëdha që ajo dhe familja e saj përjetuan gjatë regjimit. Në këtë intervistë, ajo ndan me ne kujtime nga fëmijëria, përplasjet me realitetin e ashpër të kohës, sfidat në arsim dhe ndikimin e propagandës komuniste në jetën e shqiptarëve. Është një dëshmi personale që hedh dritë mbi një periudhë të errët të historisë sonë, por njëkohësisht një mesazh force dhe qëndrese përballë padrejtësive.

__________

GM: Zonja Vranari, kjo pyetje do të na kthejë pas në kohë, por besoj se do të jetë me shumë interes për lexuesit tanë. A mund të na flisni për historinë e Kaninës, rolin e saj në zhvillimet historike të vendit tonë dhe lidhjen e familjes suaj me këtë trevë, veçanërisht me figurën e Gjergj Arianitit?

VVH: Z. Gëzim, së pari ju falenderoj që më zgjodhët mua, për lexuesin e gazetës suaj, i cili duhet të mësojë të vërtetat e pamohueshme të një kohe që e nderoi apo e njollosi historinë e kombit tonë paqedashës. Përsa i përket historisë së Kaninës, ajo është pasqyra apo sinonim i historisë së Ilirisë, pra e gjithë trojeve tona etnike. Për lashtësinë e shqiptarëve,po perifrazoj, pellazgologun, Prof. Dhimitër Pilika, i cili  në librin Pellazgët, origjina jonë e mohuar” thotë :“Jemi këtu në vend’tënë, që pa lerë diell e pa lerë hënë”. Sipas tij, “Shqiptarët, të lindurit nga toka, janë parahënor”. Ky truall ka qenë banuar, 30 000 vite më parë. Kanina si qendër urbane, është 3750 vjeçare. Është qytet antiko-mesjetar me Kala, sipërfaqja e së cilës është 3.6 ha e që ndodhet në lartësinë 398 m, mbi nivelin e detit. Pamjen dhe klimën që të ofron Kanina, nuk e gjen në asnjë vend të botës. Duket sikur shtëpitë zbresin me vrap, në rrokopujë, përmes kodrave që ulen valë-valë, mes ullinjve dhe portokalleve, drejt kaltërsisë së detit Adriatik, ka një bukuri të rrallë e magjepsëse. Ndodhet 6 km larg nga Vlora, kurse në vijë ajrore vetëm 3 km. Bashkë me aromën jetëdhënëse të ullirit, nuhat aromën freskuese të agrumeve, luleve dhe të mjaltit të Kaninës që bashkë me vajin e ullirit i kanë dhënë emër të madh në botë kësaj treve, që unë e quaj: “ Qytet i diellit, Perla ku kanë folenë dhe prehen perënditë.” Ky qytet i fortifikuar në shek. VI pr. Kr, ka tre mure rrethues. Nga 13 kulla të kalasë aktuale sot janë vetëm 7 (shtatë). Interesante ka qenë Kulla e Sahatit me një akrep, të cilin e kishte sjellë Gjergj Arianiti nga Gjermania.Ky sahat ka qënë ekzistues deri në rininë time. Thuhet se nëna e Marie Muzakës, gruas së Gj.Arianitit, dilte në bedenat e Kalasë së Beratit që të dëgjonte sahatin e Kaninës, gjë që e lidhte me rrahjet e zemrës të së bijës, Marie. Për lashtësinë e Kaninës historikisht, si dokument vlen një hartë e Herodotit, shek.V.pr.Kr., kurse Pauzania është i pari autor që përmend Kaninën. Ka lënë të dokumentuar, një mbishkrim shek.V.pr.Kr, në Olimpia, (qyteza Mavrovë -Vlorë), ku thuhet:“Ata, pasi pushtuan Abantidën (Çamërinë), me ndihmën e Perëndive, qëndruan këtu në “Thronion”. (Emri i Kaninës para se të digjej). Qyteti antik i Thronionit që gjendet përballë maleve Keraunia (Karaburun), të cilin e dogjën apollonasit të shtyrë nga helenët, në shek. III pr.Kr, ndërkohë u dogj dhe Amantia së cilës i kanë ngelur rrënojat arkeologjike. Kurse Kanina sa herë është djegur, aq herë është rindërtuar sipas origjinalit fillestar. Si vend strategjik i lakmuar nga të huajtë, ka qenë nën sulmet e vazhdueshme shekullore, nga persët, maqedonasit, romakët, bizantinët, normanët, barbarët, anzhuinët, bullgarët, serbët, venecianët, turqit,e përzhitën Luftërat Ballkanike, Lufta e Vlorës, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, plus rreziku shovinist greko-serb që i ka qëndruar mbi kokë.
Në vitin  48, pr.kr., Jul Qesari zbriti në Palasë, u ngjit në Llogara, eci në malin Shashicë dhe zbriti në Kaninë. I mahnitur nga bukuria e natyrës dhe pozita e saj e plotpushtetshme, u shpreh:“Këtë mrekulli mbi të gjitha mrekullitë, nga ku sundohet tokë, qiell dhe det, dua ta kem timen!”
Gjeo-hartografi arab, Abu Abdullah Muhamad al-Idris, më 1154, vinte nga Siçilia për në Kostandinopojë, ndali në Kaninën e pushtuar nga Venecianët dhe iu drejtua atyre:“Po të doni merreni Kaninën, po të doni lëreni, por ama ajo aty ka qenë, aty është dhe aty do të mbetet, sepse është tokë ilire, trashëgimi e të parëve  pellazgë”(Vivra“Kanina e lashtësisë dhe princi Gjergj Arianiti” 2020.) Kanina deri në shek. e XIV ka qenë nën diktatin e kryekështjellarëve të huaj. Pozita gjeografike dhe srategjike e kalasë, nuk mund të pushtohej. Kjo ka ndodhur dy herë me tradhëti, kur kunata e despotit Bizantin, Marie Frëngu, e cila pasi vrau burrin e parë, hapi të tri portat e kalasë që të hynin normanët e Guiskardit. Kështu veproi dhe herën e dytë. Ajo vrau edhe burrin e dytë e u hapi dyert venecianëve. Vetëm Princesha Rugjina Balsha dhe Gjergj Arianit Komneni, si komandant kështjelle ishin të vetmit shqiptarë. Arianitët, ishin të ndarë në dy degë; në atë Veriore dhe Jugore. Gjergj Arianiti, pas martesës me Marie Muzakën, mori nën sundimin e tij, prikën e gruas, (Mallakastrën), duke bërë kryeqendër të principatës së tij Kaninën dhe futi nën juridiksionin e tij Himarën, Tepelenën deri në Golem të Gjirokastrës. Aty ende dhe sot ndodhen nipërit e Arianitëve me mbiemrin “Golemi”. Studieusit dhe vendasit thonë, se aty ndodhet dhe varri i Princit të Madh, Gjergj Arianitit.
……………
*”Kanina e lashtësisë dhe princi Gj. Arianiti”, V. H. Vrana, libër studimor, ShB.Europrint,Vlorë 2021. Në këtë libër, me 421 faqe, ka shumë fakte e dokumente nga autorë të huaj e vendas që flasin për ndikimin e qytetërimit dhe shkëlqimin e Kaninës.
GM: Ju keni lindur dhe keni kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës suaj në Kaninë. Si ishte atmosfera atje gjatë fëmijërisë suaj? Cilat janë kujtimet më të spikatura që ruani nga ajo kohë, qoftë nga jeta e përditshme, marrëdhëniet me komunitetin apo ndonjë ngjarje që ka lënë gjurmë te ju?
VVH:  Kanina, është vendlindja ime për të cilën Sami Frashëri thekson:“Kanina është vendi ku lindi aristokracia feudale në Evropën Juglindore”. Vetëm një thënie e tillë, nga një personalitet i nderuar i kulturës kombëtare, një Rilindas i shquar, më bënte e më bën të jem krenare. Ishte kohë lufte, kur linda unë. Kanina për nga pozita gjeografike dhe si pikë strategjike,ishte nën një mësymje të përhershme të të huajve. Ndaj shumë shtëpi të saj, sidomos ato rreth kalasë i dogjën pushtuesit, mes të cilave dogjën edhe shtëpinë trikatshe të familjes Vrana. Në vitin 1943, Vranajt u vendosën në Qishbardhë, në çifligun e tyre, që gjendet në këmbët veriore të Kalasë së Lashtë. Pikërisht te çezma e çifligut Vrana, më 1451, ndaloi Skënderbeu, ku u freskua, piu ujë bore që vinte nga Mali i Çikës dhe u fal në Kishën e Bardhë. Më pas, bashkë me krushqit, iu ngjit të përpjetës së Kaninës për të marrë nusen, Donika Arianitin, të bijën Gjergj Arianitit. Kjo ishte një martesë diplomatike që bëri Gjergj Arianiti, për të shuar grindjet mes principatave dhe të bëhej bashkimi i tyre nën udhëheqjen e Skënderbeut. Për mohimin e vlerave të princ Gjergj ArianititFranc Babinger i pakënaqur në librin “Fundi i Arianitëve”, thotë:“Fama e dhëndrrit e zbehu madhështinë e vjehrrit!” Në vitet 1001-1018, njihet emri i David Vrana Arianitit, si patric-strateg që luftoi kudër bullgarëve në Shkup. I biri i tij, Kostandini, emri i të cilit përmendet më 1049-1050 si ushtarak në shërbim të Bizantit. Emri i Davidit, është ndër të parët që njihet si klasë feudale shqiptare që ka nisur të formohet. Kurse, në vitet 1230-1253, përmendet Andrea Vrana Arianiti, si strateg i Himarës, Kaninës, Apollonisë e deri në Durrës. Në të njëjtat ngjarje, i njëjti emër del ndryshe, Grana, Uran, Harenit, Arnit ose Arenit dhe Vrana. Në vitin 1373, Gjergj Arianit i parë (gjyshi),bëhet fjalë për Arianit Komnenin, i cili ka vënë mbishkrimin Gjergj Arianiti në Epitafin e Gllavinicës, ku i zotohet Papës, se do t’i qëndrojë besnik së bashku me shtetasit e tij. Fama e Gjergj Arianitit u rrit në qëndresën kundër Turqisë, në vitet 1432- 1443, i cili për disfatën që u shkaktoi ushtrive turke, bota e quajti “Madhështori”. Për lashtësinë e familjes,  është një kronikë bizantine e vitit 1253, kur Irena Komnena, mbesa e perandorit martohet në Kaninë, të cilën ia dhuron asaj si prikë. Familja Vrana -Arianiti nga kjo martesë, mbanin dhe mbiemin “Komnen”. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, mbretëresha Donika Arianit Kastrioti, kërkoi strehim në Mbretërinë e Napolit,  dhe gëzonte të drejtat e rangut të saj, bashkë me Xhovanën e Spanjës. Pas vdekjes së Gjegj Arianitit, gruaja e dytë e tij, Pjetrina Toko, me tre djemtë, Thoma, Kostandin dhe Arianit, kërkoi mbështetjen e Republikës së Venedikut, (te Doxhi i Venedikut). Doxhi e refuzoi Pjetrinën për të marrë djemtë titullin “Senjori” si babai i tyre,(Gjergji), se ishin në moshë minore. Atëherë iu drejtuan Vatikanit. Kostandini u bë i dëgjuar kryegjeneral, më vonë si protonoter i Papës. Kostandini i shquar si diplomat, ndali luftën mes Papatit me Francën dhe me Gjermaninë. Ai mbante marrëdhënie me të motrën (Donikën), deri sa vdiq në Valencia të Spanjës, në vitin 1506. Dëshmi është varri i saj që ndodhet në Spanjë. Djali i madh i Gjergjit, Thomai, u kthye në Kaninë, ndërroi fenë dhe u quajt Ali Beu. Më 1516, Kostandini u emërua zot i Fanos, në Italinë qëndrore, princ i Epirit dhe i Maqedonisë dhe vdiq atje më 1531. Varri i tij gjendet në kishën e 12 apostujve në Romë. Kostandin Arianiti ishte shqiptari që edhe sot italianët e quajnë personalitet diplomatik të tyre, megjithëse ai prezantohej si shqiptar me emblemën dhe simbolet e vendit të tij. Stema e Arianitëve, ruhet në arkivat e Vatikanit. Kurse vëllai i vogël Arianiti, ishte tip i ahengjeve dhe nuk ka lënë ndonjë bëmë që të kujtohet. Madje jeta dhe stema e familjes Arianiti, është përjetësuar në “Librin e Artë të familjeve fisnike të Mesdheut“Il Libro D’oro delle famiglie nobili Mediterraneo”,  në të cilin përfshihet Gjergj Arianiti dhe i biri, Kostandin Arianiti. Krahas mbiemrit Arianiti, kjo familje fisnike, përmendet në burimet historike edhe me emra të tjerë, si:Komneni, Vrana,Golemi, Topia, si dhe me disa tituj fisnikërie. Por kjo familje për gjysmë shekulli, për shkak të mbiemrit Vrana Komneni, nuk është kujtuar nga pushteti, se u quajt e deklasuar.
Ngjarjet i kalojmë në shek. XX.
 Familja autoktone, Vrana Komneni, mbart lashtësi dhe kulturë ndër shekuj. Vranajt, pas djegies së shtëpisë trikatshe në Kaninë, në portën e parë të Kalasë, u vendosën në çifligun e  Qishbardhës. Po dhe aty ishin nën goditjen e sulmeve të rënda armike. Atëherë më 1944, u vendosën në Vlorë në Shtëpinë e Musa Sharrës, në Sheshin e Flamurit (përballë Bankës Kombëtare), i cili ishte martuar me motrën e gjyshit tim, Xhevit Ali Vrana (Kanina). Familja Vrana qëndroi dy vite në Vlorë. Unë linda në këtë familje 10 ditë pas çlirimit. Gjatë kësaj kohe, familja e rindërtoi shtëpinë e Kaninës dhe pas dy vitesh, më 1945, u vendosën në Kaninë. Ndërkohë riparuan shtëpinë e shkatërruar të Çifligut në Qishbardhë. Unë, Kaninën e kam shijuar, kur shkoja tek halla ime, apo te tezja e babait. Kisha një ndjenjë krenarie prej fëmije për qytezën dhe kalanë e lashtë me histori të lavdishme. Qysh e vogël e shihja Kaninën si një qytezë të jashtëzakonshme, me bukuri përrallore, me shtëpitë 2-3 katshe, me muret e bardhë dhe me çatitë e kuqe që mahnitën mësuesin shkodran të shkollës “Tregtare”, Ernest Koliqi, i cili, kur i pa nga mali Shashicë, shtëpitë e bardha prej guri, me çatitë e kuqe mes luleve të  kumbullave e bajameve të sapoçelura që dukej sikur vallëzonin mbi tjegullat e kuqe, i mrekulluar shkroi:
“Për Kaninën Perëndia,
Kur e pa si diell mbi det,
tha:
– Jo, nuk është nga veprat e mia.
Këtë mrekulli mbi tokë,
dikush tjetër e ka bërë,
do ketë qenë një tjetër Zot
!”(Ernest Koliqi)
Skuqesha kur më thoshnin, stërmbesa e Gjergj Arianitit. Ndërsa dikush më përkëdhelte dhe më thoshte:“Vogëlushe e di ti që je një ‘Komnene’?! Sepse stërgjyshja jote e herëshme, ishte e bija perandorit bizantin Aleks Komnenit.” Aty për aty, më tregonin gojëdhënat për këta njerëz të mëdhenj. Më vonë mësova nga studiuesi Paolo Petta, Aristidh Kola, i cili shkruan: “Historikisht, nga familja Vrana e Kaninës, qysh në shek. VI-VII të epokës së re e në vazhdim, kanë dalë 33 burra gjeneralë, të cilët Perandoria Bizantine i kishte emëruar në Meseni të Peloponezit si kryekështjellarë, despotë dhe administrator, të cilët pasi kryenin detyrën janë kthyer në vendlindje.

…………….
* Në vitin 1253, në kronikat bizantine, përmendet Gulem ose Gulam Arianiti, i cili ishte dhëndërr në oborrin perandorak të Bizantit, u martua me Irena Komnenën. Që atëherë nisën të quheshin Arianit-Vrana Komnen. Më vonë përmendet Gulielm (Vilhelm) Arianiti (zoti i Albanonit), i  zonës përballë Karaburunit (sipas Ptolemeut), gjë që është e gabuar. Kanina dhe gjiri i Vlorës janë përballë me Keraunet. Albanoni ndodhet në rrethinat e Krujës.
*Kisha e Bardhë; “Sipas Konicës, çi
?it iu dha bekimi ungjillor në Qishbardhë (Në Kishën e Bardhë) afër Kaninës. Qishbardha ishte Çifligu i Vranajve, deri në vitin 1945, kur u sekuestruan nga Reforma Agrare.

GM: Si e kujtoni momentin e parë, kur u ndërgjegjësuat për natyrën represive të regjimit? Cili ishte kontakti juaj i parë me realitetin komunist?
VVH: Kam lindur në një familje të madhe patriarkale, me 32 persona. Gjithsesi ishte një familje me kulturë, me shumë rregulla dhe respekt të ndërsjellë. Në atë shtëpi të madhe me tri porta, ku flitej nën zë, filloi edukimi im mes njerëzve me edukatë të trashëguar dhe të arsimuar në universitetin e Stambollit, Aleksandrisë, Firences dhe Vjenës, gjë që është për të pasur zili sot në një sistem tjetër që pretendohet të jetë më i mirë, ndaj e vlerësoj dhe sot, pas 80 vitesh mirëkuptimin dhe tolerancën mes tyre. Kam mall e nostalgji për ato vite të papërsëritshme. Në kujtesën time janë ngulitur vetëm gjashtë vitet e para që kam qenë e lumtur, e përkëdhelur nga gjyshërit, prindërit dhe të afërmit e mi. Ishte një kohë e shkurtër, e papërfillshme, gjithsesi ka lënë vragë në formimin tim individual. Kam qenë një fëmijë, pa fëmijëri,një e re pa rini, bashkëshorte dhe nënë që nuk u plotësoja dot kërkesat atyre që i doja më shumë. Aq hije sa bën gjilpëra, me të cilën përballova jetën, aq të mira materiale i dhuroja familjes. Cilido mund të pyesë: -Pse vallë?
Isha 6 vjeçe, kur arrestuan babanë, si armik i popullit dhe si sabotator. Pas 15 muaj torturash çnjerëzore në hetuesi, bashkë me 75 burra, të lidhur këmbë e duar si skllevër, vetëm se s’mund të shlyenin taksat e jashtëzakonshme, babanë e dënuan me burgim të përjetshëm. Bashkë me sekuestrimet e Çifligut, sekustruan dhe shtëpinë e Kaninës, në të cilën, si nisën reformat u vendos një familje komuniste. Një e mitur si unë, nuk kuptonte se ç’është mohimi i lirisë, aq më tepër i fjalës së lirë.  Unë nuk e pashë se si e prangosën babanë. Unë, vocërrakja pyesja veten pse nuk po kthehej babai në shtëpi?! Çfarë i kishte ndodhur vallë?! Ngaqë nuk gjeja dot përgjigje, heshtja dhe u mbylla në vetvete. Ende nuk e kuptoja se cila ishte e drejtë apo çfarë ishte e padrejtë. Pas 15 muaj torturash të tmerrshme në hetuesi, babait iu bë gjyqi, në mars të vitit 1951. Unë e ndoqa mamanë nga pas se doja të shihja babanë. Prisja të më përkëdhelte, por kur pashë 75 burra të lidhur me zinxhirë si skllevërit, atëhere mësova të vërtetën. Ky ishte zhgënjimi më i madh për një  6-vjeçare. Pas dënimit të tim etit, në shtëpi erdhën disa burra të egër me një kamion që sekuestruan gjithë pasurinë dhe shtëpinë që na përkiste. Ishte vetëm nëna dhe ne, katër fëmijët e saj. Familja ime kishte një dhomë më vete me libra të sjella nga Firence, Austria, sidomos nga Stambolli, ku gjyshi, Xhevit Ali Vrana kishte kryer universitetin amerikan. Ndërkohë djali i xhaxhait, Mehmet Sali Vrana, kishte kryer Rektoratin e Stambollit, ku punoi për 30 vite. Kur u kthye në familje, solli një pasuri kulturore, prej 24 sëndukë me libra në disa gjuhë. Biblioteka e familjes Vrana ishte një ndër tri bibliotekat e pasura të Vlorës, me atë të Familjes Vlora dhe të Ibrahim Shytit. Mua më pikonte në zemër, kur ata i hidhnin si sende pa vlerë librat në kamion. Na nxorën nga shtëpia në oborr dhe morën gjithë orenditë, deri te shtresat e gjumit. Shtëpinë e rrethuan me një shirit të kuq, ku shkruhej “Pasuri Shteti”. Unë nuk qaja se ngelëm pa shtëpi, në mes të katër rrugëve, por kërkoja engjëllin tim që kisha te koka e krevatit, me të cilin bisedoja deri sa më zinte gjumi. Me këtë veprim që ndoshta ishte pa vlerë, mua të voglës më vranë ëndrrën fëmijënore. Kjo ishte dhembja e parë që unë u ndjeva ndryshe nga vitet e shkuara, kurse më pas e ndjeja se nuk isha më si të tjerët. Kur nisa të kuptoj e të ndërgjegjësohem, gjatë ecjes në rrugë, më dukej sikur kisha të shkruar pas shpine një tabelë turpi, e cila më ndante nga moshatarët e mi. Kjo ishte ndjesia e parë e persekucioit dhe luftës së klasave, më e egra e njerëzimit, e cila, si familje na ka ndjekur pas si hije vdekjeprurëse.
Njëri nga ata burrat, më fërkoi kokën dhe më tha:
-Ka menduar Partia për ju. Ndaj, mos qaj!
Ato pak plaçka dhe sende, apo enë kuzhine që na lanë, i hodhën në një kamion dhe bashkë me to edhe ne të pestëve e na çuan në një kasolle në mes të kënetës, në një fshat të Fierit me pak shtëpi. Qysh atë çast që dolëm nga shtëpia nisi rrugën “Odisea” e vuajtjeve dhe dhembjeve çnjerëzore për nënën time dhe për ne vocërrakët e saj. Askush nuk pyeste në ishim gjallë apo vdekur.
GM: Gjatë periudhës së arsimimit tuaj nën regjimin komunist, me çfarë sfidash dhe pengesash u përballët? A pati ndonjë moment specifik, kur e ndjetë më shumë ndikimin e sistemit në rrugëtimin tuaj arsimor dhe profesional?
VVH: Në shtëpinë tonë ishte strehuar një mësuese, e cila trajtohej në familje si hallat e mia. Nuk kisha mbushur ende 6 vjeçe. Mësuesja kishte vënë re interesin tim për librat. Një ditë më mori për dore dhe shkuam bashkë në shkollë. Kur u drejtohej nxënësve, më pyeste edhe mua. Javë pas jave unë u përshtata me ta  dhe fillova të fitoja po ato njohuri si ata që ishin një apo 2 vite më të mëdhenj se unë. Pas 4-5 muajsh, mësuesen e transferuan dhe sollën një mësues që ishte nga Kanina. Nëna erdhi një ditë dhe e pyeti për mbarëvajtjen në mësime të vëllait dhe motrës që ishin më të mëdhenj. Mësuesi më shumë i foli për mua:
-Vajza e vogël është fenomen. Do ta klasifikoj edhe pse është nën moshë. Ajo kalon në klasën e dytë.
Për fat të keq, klasën e dytë të sapofilluar, e vazhdova në internim. Pas pak muajsh erdhi daja im dhe për të ndihmuar disi mamanë (motrën e tij), më mori në fshatin e tij, të vazhdoja shkollën. Më pas shkova në një fshat tjetër te halla,  te tezja, kështu vazhdova deri në klasën e pestë.Shkoja nga një fshat në tjetrin. Më mbanin si ujët e pakët, por mua më mungonte familja që doja. Më mungonte dora e ngrohtë, fjala e ëmbël dhe përkëdhelitë e nënës. Buka e botës është e hidhur, të dhemb zemra, kur ta zgjasin dorën,sikur të japin lëmoshë dhe kafshata ngurtësohet e bëhet lak mbytës në fyt, që zvarget me vështirësi derisa të të zërë frymën. Kur fëmijët e tyre thërrisnin “mama”, mua më vagëllonin  lotët dhe diçka më sëmbote në zemër. Vrapoja e strukesha në një kënd të errët dhe qaja. Nuk ka dhembje më të madhe se fëmija jetim me baba gjallë. Ndoshta to vite që vërtitesha si një top prej lecke, e urrej mshirën dhe sot në moshën  e tretë. Klasën e VI-të e vazhdova në shkollën e parë shqipe “28 Nëntori”, Shkolla Nr 1, në Vlorë.  Pavarësisht se në ndërgjegje më rëndonte faji i pafaj që nuk isha si të tjerët, sepse isha e vetmja që vija nga internimi. U jam mirënjohëse të gjithë mësuesëve që më trajtonin si të tjerët dhe më vlerësonin për aq sa njohuri kisha. Veçoj drejtorin e shkollës, Skënder Hamitin, i cili vinte në atë bodrumin, ku jetonim ne dhe takohej me nënën, së cilës i thoshte fjalët më të mira për mua.

Edhe në shkollën pedagogjike “Jani Minga”, të gjithë mësuesit më trajtonin si nxënësit e tjerë.Vetëm mësuesi i Pedagogjisë, nga Labëria, ish student në B.S. komunist i betuar, kishte një urrejtje pathologjike për fisnikërinë. Luftën e Klasave që bënte ndaj meje e shprehte me ulje note. Drejtori i shkollës, Harilla Kuçuli, më inspiroi që pas diplomimit të bëja dokumentet për të vazhduar Universitetin. Madje lëshoi dhe një deklaratë mirësjelljeje. U diplomova në vitin 1962. Më emëruan mësuese në fshatin Armen. Ndërkohë u pranova në Universitet, fakulteti Histori-Filologji me korrespondencë. Në gushtin e vitit 1967, shkova në Tiranë për të likujduar tri provimet e fundit të diplomës. Sekretarja më tha se kisha një ndalesë për t’u futur në provim. Me gjithë bisedimet me dekanin, ai më nisi në Vlorë, se ndoshta ishte bërë ndonjë gabim. U ktheva e dëshpëruar dhe të nesërmen shkova në Komitetin Ekzekutiv, ku u gjenda para një të papriture antihumane. Shkallët e tri kateve të godinës e deri jashtë ishin plot me njerëz të dëshpëruar. Ishte një lajm i hidhur se kishin flakur në rrugën e madhe 165 intelektualë të profesioneve të ndryshme. Më nxorën jashtë radhëve të arsimit, me motivin se do të kaloja në pritmëni të hapjes së ndonjë vendi. Por e vërteta qëndronte tek lufta e klasave. Revolucioni Kulturor Kinez u përpilua në Kinë, po gjeti zbatim në Shqipërinë komunisteDatat 15-16 gusht, 1967, ishin si një vdekje e paralajmëruar. Humba çdo shpresë.Atë kohë isha martuar me Fitim Haxhiraj, kërcimtar, koreograf i Shtëpisë së Kulturës e Estradës së Vlorës, cili vinte nga një familje e përfshirë në luftë. Gjithsesi edhe familjen e tij e kishin bërë kulak. Ndërkohë ishim bërë prindër me një vajzë të vogël, e cila kërkonte përkujdesje. Ishim shumë të varfër, jetonim në kabinat e plazhit. Kjo bëri t’i shkoja Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, ku gjeta intelektualë të tjerë.  Ai na futi brenda si një kope bagëtish. Duke na shpërfillur shikonte disa shkresurina. Pastaj pas shumë propagande, tha:

-Për ju nuk ka vend pune në arsim.
Kryetari, ishte kushëri i parë i babait tim, nënat motra. Mora guximin e i thashë:
-Nuk keni faj ju, se jeni kaluar.
Ai, i nevrikosur përplasi grushtin mbi tavolinë sa theu dhe syzat e tij të  miopisë.
Nëse jam kaluar, jam në kalin tim.
-Ne nuk duam kalin tuaj, se nuk ecim dot me atë revan. Ne duam kalin tonë.
-E paske gjuhën të gjatë?! Shkoni kërkoni punë në Këshillin e lagjes
! Atje, atje në rrugë e keni vendin.
Pa asnjë shpresë, shkova në Këshillin Popullor të lagjes. Aty më pritën me këmbët e para:
-E kujt je ti moj vajzë? Sa morën vesh emrin e babait, m’u sulën:
-Ti?! Ti e bija e armikut të popullit që dergjet nëpër burrgje, ti, që ke lyer duart me gjak, kërkon punë?! Pushteti Popullor s’ka punë për ty. Goditjet e urrejtjes klasore vinin njëra pas tjetrës, madje dhe në dyqanin e bukës. Zmbrapsesha, kur ndonjë e pacipë, më thoshte:
-Ti prit, do marr unë e para se kam 5 fëmijë.
Vetëm Zoti dhe shpirti im i lodhur dhe i helmuar, është dëshmitar për lotët dhe dhembjen e një nëne të re. Kisha kryer kursin e ekonomisë shtëpiake, 3 muaj pranë Ministrisë së Arsimit, më 1964.Kjo më dha dorë. Nisa të merresha me punë dore. Qëndisja dhe qepja pajat e vajzave që martoheshin, punoja trike me shtiza dhe me makinë qepse.Nxirrja pak të ardhura për të ndihmuar bashkëshortin që të rritnim vajzën. Veshjet tona të vjetra ua përshtatja fëmijëve. Kurse bashkëshorti im, Fitimi, plus rrogës në Kombinatin e Konservave, merrte një pagë nga Estrada, por ishin të pamjuaftueshme për një familje të re që e nis jetën nga zero.  Ishte i detyruar që në pasditet e lira të bënte një punë të dytë. Për Fitimin i ndarë 4 copash, ishte sakrificë e madhe. Më 1970 i shkruajta Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, Lefter Goga. Ai dërgoi zëvendësin e tij, njeri i mië, ishte familje fisnike nga Nivica, Xhevdet Beqo në praninë Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të qytetit, më ofruan punë në rrobaqepësi dhe të drejtën për të vazhduar studimet e mohuara. Më,1975 u diplomova shkëlqyeshëm, të gjitha10-ta, vetëm një 9-të. Dekanata bëri kërkesë në Kom.Ekz, Vlorë që unë e mohuara,të rifilloja punë në arsim. Zv/kryetari më thirri dhe më tha se nuk e bëja dot luftën e klasave. Iu përgjigja:
Kërkesën për rifutje në arsim, nuk e bëra unë. Dekanatës duhet t’i ktheni përgjigje dhe ta gjykoni.. Veçse si zhvillohet Lufta e klasave e di, se e kam hequr 30 vite në shpinë, po ju keni organet tuaja të sigurimit që e bëjnë në mënyrë të përkryer, madje me mënyra dhe forma nga më  shtazaraket.

GM: A mund të na përshkruani në mënyrë të detajuar kalvarin e familjes suaj gjatë regjimit komunist, duke filluar nga momentet e para të persekutimit, masat e marra ndaj jush, jeta e përditshme në atë kohë dhe si arriti familja juaj ta përballojë këtë periudhë deri në fund?
VVH: Vranajt ishin një familje me emër  në trevën e Vlorës e më gjerë. Gjyshi, Xhevit Vrana dhe i vëllai i tij, Mahmud Vrana ishin pjesëmarrës në ngjarjet patriotike të trevës së Shqipërisë. Fisnikët kaniniot, si dhe Xheviti, formuan shoqatën “Djelmoshat e Kaninës”,më 1902, të cilët ishin të parët që vunë në skenë dramën “Vdekja e Pirros”. Më pas këtë dramë e vuri në skenë Klubi “Labëria”, në 1908-tën.  Një nga themeluesit e të cilit ishte dhe gjyshi im, Xhevit Kanina.Gjatë kësaj periudhe u krijua shoqata kundër Dorës së Zezë,(kundër rrezikut serbo-grek) me nismën e Josif Bagerrit. Ndër 13 anëtarët e kryesisë, të gjithë nga familje fisnike të Vlorës, ishte dhe gjyshi im, Xhevit Vrana. Ishin 32 burra të Kaninës me gjyshin tim që bën një peticion drejtuar fuqive të mëdha, që forma e regjimit në Shqipëri të ishte Republikë. Me shumë atdhetarë shqiptarë ka marrë pjesë në Luftën e Pesë Puseve në Janinë, në tribunën e ngritjes së Flamurit, më 28 Nëntor 1912, në Luftën e Vlorës ku u përfshi gjithë familja,sepse në Vreshtat e Mëdha të Vranajve, u vendos prapavija, me komandant Mahmud Mersin Qataj nga Armeni, gjyshi i bashkëshortit tim, Fitim. Edhe sot kujtohet me nderim thënia, se, sa njihej vreshta e Xhevit Vrana Kaninës, nuk njihej kazaja e Vlorës. Ishte shtëpi bujtëse për çdo udhëtar që e zinte nata në rrugë. Familje bamirëse që ndihmonte të varfërit.  Vajzave jetime u bënte pajën dhe dasmën. Në operacionin e dimrit,1943, Brigadës së V-të Ushtrisë Çlirimtare, kjo familje i fali 2400 kokë bagëti që parizanët të mos vdisnin urieMë 1944-45, strehuan 6 familje shqiptare nga Çamëria, u dhanë shtëpi, bagëti e tokë bujqësore që të jetonin.
Më 14 gusht 1944, xhaxhai im, Skënder Vrana, ishstudent i shkollës “Harry Fullc”, diplomuar në Universitetin Prato, Firence, Administrator i Fermës së Llakatundit, u internua nga Gjermanët. Përfundoi në krematorium, Aushvic, më 9 Maj,1945. A nuk duhej të ishte simbol i fitores mbi nazizmin, Skënder Vrana,porpër 51 vite  u quajt viktimë se ishte me origjinë princërore?! Këto dhe të tjera si këto, u harruan nga pushteti i ri. Shpallja e fitores ndaj të huajve, për familjet fisnike dhe intelektualët me kulturë perëndimore, ishte fillimi i një pushtimi të ri komunist. Për këtë fillim terrori, kam botuar një trilogji (3 libra) me mbi 1100 faqe, me titull, “Vështroni Meduzën”.
Në vitin 1945, reforma agrare konfiksoi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme. Më pas Vranajt dhe familjet e padëshiruara nga Partia Komuniste, u cilësuan kulakë, pa asnjë të drejtë e liri fjale dhe vote. Shteti vuri taksat e jashtëzakonshme dhe pamundësia e shlyerjes të tyre, mbushën burgjet me njerëz të pafajshëm. Në nëntor 1946, shteti komunist vrau padrejtësisht inxhinierët e kënetës së Maliqit si sabotator. l pari që varën ishte Abdyl Sharra, djali i motrës së Xhevitit, kushëri i parë i babait tim. Familjen Sharra, teksa po e internonin, babai im Veip Vrana, u bë garant dhe i mori në shtëpinë tonë, ku kryen dënimin 3 vjet. Aty u qanë dhe pritën ngushëllimet për gjëmat e njëpasnjëshme të djemve të familjes Sharra dhe Vrana.
Xhaxhai im i vogël, Batjar Vrana, 18 vjeç, më 1947, në vitin e fundit të Tregtares në Vlorë, spiunët e ndiqnin pas që të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, por ai nuk pranoi. Një ditë shkurti, kur kthehej nga shkolla, lidhi kafshën dhe kontrolloi një ngastër me ullinj, mbi spitalin e Vlorës. Dy spiunë të Sigurimit enkas i vunë gozhdë në samarin e kafshës, e cila u tërbua dhe që nga Vlora deri në Kaninë e mori zvarrë Batjarin. Nuk di si e përjetoi gjyshja atë krim makabër. Ajo, dhe shpirti i saj i copëzuar e dinë. Si nuk u çmend ajo nënë, kur në shtëpi i shkoi kafsha vetëm me gjysmë këmbe të djalit (deri te gjuri) që kishte ngecur në yzengji. Trupin e tij, copa- copa e mblodhën gjithë kaniniotët natën me pishtarë. Tok me jetën, bishat e kuqe, i vranë dhe ëndrrën për t’u bërë piktor, se ishte tejet i talentuar.
Në 10 tetor, 1947, varën kryeinxhinierin e Minierës së Rubikut, Sulo Klosi, vëllai i gjyshes sime nga babai, diplomuar në Francë-Strasburg, me grupin e deputetve
. Ndërkohë dënuan në mungesë dy vëllezërit Sharra, që prej vitesh jetonin jashtë. I madhiImer Sharra, shef ketedre i shkencave ekzakte në universitetin e Bolonjës, Itali. Kurse vëllai i dytë, Hysni Sharra, ishte tregtar në Paris. Kjo është çmenduri, absurditet, të dënosh dikë pa arsye, vetëm nga mbiemri. Më 1948, arrestuan xhaxhanë tim, Mynyr Vrana, se nuk piu dollinë për mustaqet e  Stalinit. E dënuan me 8 vjet burg për agjitacion dhe propagandë. Vëllanë e Abdyl Sharrrës, Shyqyriun e burgosën, se përkrahu grupin e  deputetëve. Paradokset e luftë  së klasave për gjysmën e shqiptarëve nuk kanë fund.  Në burgun-Beden të Kavajës të burgosurit i varrosnin të gjallë me kokën jashtë në diell, në shi e në borëShyqyri Sharra nuk e duroi torturën, preu barkun me brisk dhe vdiq gjatë rrugës për në spital, më 1950. Po këtë vit burgosën babanë tim, Veip Vrana. U dënua me burgim të përjetshëm,si armik populli dhe sabotator. Gruas së tij (nënës tonë me 4 fëmijë nga mosha 12- 6 mujash, i morën shtëpinë, mjetet e jetesës dhe na internuan. (shih më sipër).Mamaja jonë edhe pse ishte bijë e një familjeje dëshmori nga “ Pashajt të Koculit”, përsëri e internuan. Më 1953një vdekje makabër e vëllait të vogël, Lekmi Sharra hetuesia e mbylli në një kasafortë hermetike, ku e gjetën të vdekur nga asfiksia. Trupin pa jetë, e hodhën nga dritarja se gjoja u vetvra se gjoja donte të arratisej, duke u hedhur nga kati i tretë i hetuesisë.
Pas 3 vitesh, familja ime mbaroi internimin. Nëna mendonte se ku do të jetonim. Reforma na kishte lënë me gisht në gojë dhe nën trysninë e mllefit e urrejtjes së fshatarëve. Në fshat nuk kishim as shtëpi dhe as pronë, as në çiligun e Qishbardhës dhe as në Kaninë. Sapo ishte liruar nga burgu xhaxhai, i cili na mori atje ku jetonte vet. Kjo mirësi më dha mundësinë që të arsimohesha. Nuk ka gjë më të hidhur, kur nëna gjithë ditën punonte argate në ullinjtë e saj dhe në darkë, ajo grua e dhimbshur na mblidhte ne barktharët me lakra pa vaj. Pas pak kohësh, xhaxhai shiti shtëpinë në fshat dhe shkoi në qytet (Vlorë). Përsëri na mori me vete. Mamaja filloi punë në mirëmbajtjen e rrugës nacionale, bashkë me dy shoqe të shtresës së saj. Në vitin 1957, vëllanë e saj, dikur partizan, tani  me funksion të lartë ushtarak e zhveshën nga ushtria, sepse kishte burrin e motrës në burg, e cila duhej ta ndante bashkëshortin dhe fëmijët t’i linte në mëshirën e fatit. Daja im, punoi në kooperativën bujqësore. Kaluan 5 vite që unë punoja mësuese në fshat. Tashmë ishin plotësuar kërkesat me njerëz të arsimuar nga ata proparti. Në këtë mënyrë intelektualët nga shtresa e persekutuar, ishin të tepërt. Vitet 1966-67, ishin etapa e tretë e Luftës së KlasaveRevolucioni Kulturor Kinez,veç mohimit të profesionit, dogjën kisha dhe xhamia, dënuan me burgim apo ivranë priftërinj katolikë dhe hoxhallarë. Kishim pak vite në qytet, kur papritur familjet e deklasuara i dëbuan me dhunë nga qyteti, pa një lajmërim, që ishte një internim i dytë nëpër fshatra. Si njerëz jashtë ligjit, natën, policia erdhi me kamion dhe na çuan në fshatin Sherisht, ku s’kishim as shtëpi dhe as pronë. Atëherë, pas 13 vitesh, ishte liruar babai nga burgu. Familjen tonë e strehuan në kotecet e pulave të kooperativës, kurse xhaxhanë në varrin e pashait turk, Sinan Pashës, në Kaninë. Babai dhe tre xhaxhallarët ndërtuan nga një shtëpi elbasanse. Im Atë, për ta ndërtuar shtëpinë,  kërkoi një kredi në bankë, të cilën ia dhanë. Nuk kaloi shumë kohë dhe pa urdhër nga zyrat shtetërore të konfiskimeve, ia morën shtëpinë si i burgosur politik që ishte. Ishin; Kryetari i Frontit Demokratik, i Plotfuqishmi i Kaninës dhe Kryetari i Këshillit Popullor, të cilëve u kishin dhënë ligjin, bashkë me kërbaçin. Ngelëm përsëri jashtë. Babai me vëllanë filluan të mbledhin gurë me karrocë dore, pse jo edhe në supe. Me shumë mundime arritën të ndërtonin një shtëpi tjetër, dykatshe dhe me binca nën tokë. Ishin duar artë. Sollën dhe ujin brenda në shtëpi. Kur kalonte rrugës babai,teksa mbante gurë mbi supe, e pështynin fshatarët dhe fëmijët e tyre, duke e fyer me fjalët,”Kulaku i qenit”.Fatin e babait, duhet ta ndiqte edhe e bija, unë me familjen time. Më 8 Nëntor,1977, kur gjysma e shqiptarëve të përkrahuar nga Partia-Shtet, festonin, duke rrëkëllyer gotat ditën e themelimit të PPSH, na nxorën nga shtëpia. Ishte pallati i tretë me kontribut vullnetar, ku Fitimit i kishte rënë bretku se punonte çdo pasdie për të marrë një dhomë më shumë. I gjetëm të dy fëmijët(vajza 11 vjeçe dhe djali 3 vjeç ) në shi dhe në një thëllim, pranë pirgut me plaçka. Koshijet Nigjare Berberi dhe Shefikate Spahiu, i morën të dy fëmijët në shtëpitë e tyre, ua thanë veshjet, i ngrohën pranë zjarrit dhe  u dhanë për të ngrënë. Nërkohë ne të dy çuam plaçkat përsëri në atë dhomë të vogël, pa diell, ku kishim jetuar12 vite me familje tjetër. Pas pesë vitesh na dhanë një apartament , që e la sekretari i Partis së Uziënës mekanike , i cili nuk jetonte dot në një shtëpi pa diell, por i dhanë apartamentin që komisioni i strehimit na i kishte dhënë ne. Nga 1967- 1991-familjet Vrana ishin të internuara. Më 1993, gjashtë anëtarët e familjes, prindërit dhe ne të katër fëmijët, na dhanë statusin politikKy ishte internimi i dytë, nga viti 1967 deri në vitin 1990, por ne dhe gjithë të përndjekurit mbijetuam. Sepse mbijetesa është virtyt i fisnikërisë.

GM: Propaganda anti-perëndimore e komunistëve ishte aq e fuqishme saqë kishte ndikuar në mënyrë të thellë në mendësinë dhe bindjet e shumicës së qytetarëve shqiptarë. Në atë kohë, regjimi e paraqiste Perëndimin si një armik të rrezikshëm, një botë shfrytëzuese dhe të pamëshirshme, ndërsa Shqipërinë si një fortesë të pathyeshme të socializmit. Si e perceptonit ju personalisht botën perëndimore në atë periudhë? A kishte momente dyshimi apo burime informacioni që ju krijonin një perspektivë më të ndryshme nga ajo zyrtare?
VVH: Agjentët jugosllavë në Konsullatën e Vlorës dhe të Korçës, përhapën idetë komuniste. Shumë shpejt dogmat marksiste-leniniste u përhapën si fara e krisjes që helmon drithërat.Ndikimi i agjentëve titistë, me idetë shkombëtaizuese të komunizmit, përçau shqiptarët, futi mllefin dhe urrejtjen mes njëri-tjetrit. Të paudhët, shovinistët sllavo-grekë, ndikuan në vrasjet pa gjyq të kundërshtarëve politikë e klasorë të Enver Hoxhës dhe ideve komuniste, si dhe ndaj intelektualëve të arsimuar në perëndim. Këtë fushatë shfarosjeje e filluan qysh vite më përpara dhe gjatë luftës. Në psikozën gati gjysmëshekullore të shqiptarit,ishte krijuar ideja se, ne, si atdhetarë jetonim në dy botë të ndryshme, ndarë në dy grupe; proparti dhe antiparti mes një humnere të thellë dhe të pakapërcyeshme. Të mohuarit apo të anatemuarit s’kishin asnjë të drejtë e liri, kur gjysma tjetër nën ombrellën e partisë, sikur dhe hu gardhi të ishin, bëheshin drejtora, shefa, deputet, ministra dhe diplomatë. Kishin në dorë jetën dhe vdekjen e gjysmës së shqiptarëve të denigruar. Ne ishim “të vdekurit e gjallë”që na kishin prerë gjuhën për të mos shprehur asgjë, por nuk na e ndalonin dot trurin të gëlonte mendimet e lira, as syrin të shikonte të vërtetën e hidhur dhe as veshin të dëgjonte bëmat vrastare të djallit të kuq, që udhëhiqej nga një “peshkaqen i pangopur me gjak shqiptari”. “Demoni Enver Hoxha, i rehatuar në lozhat luksoze, duke duartrokitur Hamletin, me gjak të pastër shqiptari, firmoste vrasjet, burgosjet dhe inetrnimin e ajkës së kombit. Komunizmi vrau trurin dhe palcën e kombit, shtresën e mesme që mban kombin në këmbë dhe inteligjencën me kulturë perëndimore.” Sekuestrimi dhe rrëmbimi i pronës nga hajnët komunistë pa origjinë, humbi identitetin kombëtar dhe varfëroi familjen shqiptare materialisht dhe mendërisht. Ata tradhtuan shqiptarizmin dhe përqafuan idetë e djallit të kuq sllav. Qysh para lufte nisi Propaganda dhe gjatë luftës, duke reklamuar mikun e madh Tito, se Jugosllavia ishte shpëtimtare që do t’i siguronte Shqipërisë lirinë, pavarësinë dhe garancinë e një të ardhmeje të lumtur. Pas çlirimit, edukimi dhe propagnda fillonte qysh në kopsht e rritej ndër vite gjatë arsimimit, figura e diktatorit dhe e Partisë nderohej, meqëllim që te brezi i ri të rritej dashuria për sistemin komunist.Kjo bëhej përmes mediave, radios, gazetave dhe revistave.Ndërkohë, “Shqipëria e bukur si ëndërr ishte shndërruar në një burg gjigand, ku kishte vetëm rojëtarë dhe të burgosur. Ky vend, me pasuri prrallore mbi e nën tokë, por tejet i varfër, ishte shndërruar në një varrezë gjigande, plot me varre pa emër.  Përballë këtij realiteti që e mohonte shqiptarin si“askushi” pa atdhe, pa vend varri, të kallur në një gropë pa emër, Partia-shtet propagandonte me të madhe se Shqipëria ishte fanar ndriçues në botë. Kudo shkruhej: “Do të djegim me zjarr e do t’i presim kokën, cilitdo që merr nëpër këmbë nderin dhe dinjitetin e grave dhe vajzave”, por në fakt sa gra ishin të burgosura apo sa vdiqën pa pasur një varr, këtë nuk e tregonin. Ndërkohë që gruaja ishte një skllave e shumëfishtë dhe në karikatura paraqitej një grua vigane, e ashpër, e përçunduar që ia kalonte dhe forcës së gjigandit, me grushtin shtrënguar e “tejet e lumtur”, brohoriste e ngazëllyer: “Parti- Enver, jemi gati kurdoherë!”ose “Ç’thotë Partia, bën populli dhe ç’do populli bën Partia! I shkreti popull, ndërsa flinte gjumë, një trokitje alarmuese dhe e frikshme në portë, si një vdekje e paralajmëruar dëgjohej: Në emër të popullit je i arrestuar!” Shqiptarët jetonin 2-3 familje në një apartament të vogël, ndërkohë që Partia Shtet ndërtoi 750 000 bunkere për t’u mbrojtur nga kapitalistët dhe imperialistët e rrezikshëm që na kishin halë në sy. Ndërkohë ishin 23 burgje dhe 48 kampe internimi. Trastat në shpinat e nënave dhe grave që shkonin nëpër rrugët e përbaltura të atdheut “BURG”, ishin më të rënda se prangat në duart dhe këmbët e burrave apo djemve të tyreKëto zonja të shfytyruara nga vuajtjet për rritjen dhe edukimin e fëmijëve, kishin forcë të brohorisnin të detyruara:“Rroftë Partia!Roftë Enveri!”, “Të rrojë Shqipëria, kala e pamposhtur e komunizmit!” Mediat buçisnin përditë kundër sistemit kapitalist dhe imperialist, ku njerëzit gjasma vdisnin për bukë e ngriheshin në revolta kundër sitemit të tyre politik. Përceptimin rreth jetës në Perëndim e mësonim përmes emisioneve në gjuhë të huaja apo përmes filmave italianë dhe të Hollivudit që i shikonim vjedhurazi dhe të frikësuar edhe nga muret se mos na dëgjonin.Qysh fëmijë më të mëdhenjtë na porositnin: “Kujdes, mos flisni, se edhe muret kanë vesh!” Të dy fëmijët tanë, vajza dhe djali, natën, fshehurazi me nënzërima, mësuan gjuhën italiane dhe anglishten. Kjo mënyrë tinëzare e të mësuarit të së vërtetës, është:“Të kesh frikë nga vetja dhe të ruhesh nga vetvetja”. Ishte një luftë e ashpër shpirtërore, psikologjike, ndërgjegjësore mes Qenies (Nevetes) dhe realitetit të hidhur realInformacion për ndryshim rrënjësor ishte realiteti shqiptar. Shkaqe ishin: burgimet pa faj, papunësia, varfëria, dhuna, niveli i ulët ekonomik, shqiptarët të përçarë dhe në hasmëri me njëri- tjetrin. Krim nuk është vetëm kur vret me plumb, krim është dhe kur mungon drejtësia, kur të privojnë lirinë, të drejtat e një jete të qetë, të mohojnë profesionin, arsimimin dhe kur të shohin me urrejtje si armik. Krim është dhe kur të lënë pa gjumë, se lufta psikologjike është një vdekje e ngadaltë, e paralajmëruar, e cila të qëndron mbi kokë si shpata e liktorit. Janë këto arsyet që qytetari shqiptar kërkon një zgjidhje të këtij kaosi antinjerëzor, që për 80 vite i është zvargur në fyt si kockë e pakapërcyeshme derisa të shpopullohet ky vend i bukur dhe i lashtë sa vetë jeta apo njerëzimi. Koha kërkon ndryshim të cilin do ta sjellin vet shqiptarët sepse u ka vajtur thika në palcë.

About Redaksia

Check Also

Falja e namazit të Kurban Bajramit, kreu i KMSH: Festë e dyfishtë, përkon me ditën e xhumasë!

Mëngjesin e sotëm, në faljen e namazit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kreu i KMSH …