E drejta që s’u dha, por u fitua: Emigrantët shqiptarë në Itali dhe beteja e tyre 30-vjeçare!

Nga Alba KEPI

Pas dekadash kontributi në ekonominë italiane, letra, peticionesh dhe pritje të gjata, emigrantët shqiptarë në Itali më në fund fitojnë sot të drejtën për të përfaqësuar veten. Jo falë politikës, por falë vetes.

Prej vitit 2021, qeveria shqiptare e drejtuar nga Edi Rama ka deklaruar se marrëveshja për njohjen e disa të drejtave të emigrantëve shqiptarë në Itali ishte “arritur”. Por kjo marrëveshje, për pesë vite me radhë, u përdor kryesisht si instrument propagandistik për qëllime elektorale – duke u përmendur sa herë afronin zgjedhjet dhe duke u premtuar emigrantëve të drejta që në praktikë mungonin.

Vetëm në mars të vitit 2025, kjo marrëveshje u kthye më në fund në ligj. Pas më shumë se tre muajsh pritje, ajo hyri në fuqi, duke u dhënë shqiptarëve në Itali një pjesë të drejtave që kishin kërkuar prej dekadash. Ky është një hap historik për komunitetin shqiptar jashtë kufijve, por jo një sukses i politikës shqiptare – përkundrazi.

Një Komunitet i Instrumentalizuar Politikisht

Gjatë gjithë kësaj periudhe, emigrantët shqiptarë janë përdorur nga partia në pushtet si një masë elektorale: një komunitet i përmendur në fushata, i vizituar me kamera e premtime, por i harruar menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit.

Në vend që të trajtoheshin si qytetarë me të drejta të barabarta, ata janë reduktuar në simbolikë propagandistike, të instrumentalizuar për qëllime politike. Megjithatë, ajo që është arritur sot nuk është fryt i asaj politike – është fryt i integritetit, punës së ndershme dhe përkushtimit këmbëngulës të vetë emigrantëve shqiptarë.

Kjo është një betejë e fituar nga vetë shqiptarët në Itali – ata që për më shumë se tre dekada kanë kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në ekonominë italiane, në shoqërinë mikpritëse, dhe që, përveç ndërtimit të një jete të re, kanë ndërtuar dhe mbrojtur dinjitetin e një komuniteti të tërë.

Por kjo fitore është gjithashtu e brezave të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë – djem e vajza të lindur ose rritur në Itali, të cilët për shumë kohë kanë jetuar me një identitet të dyfishtë, shpesh të lënë në harresë nga vendlindja e prindërve të tyre. Janë ata që janë rritur duke dëgjuar për Shqipërinë nga prindërit, por pa pasur të drejtën që kjo lidhje të njihej zyrtarisht nga shteti shqiptar.

Janë ata që kanë jetuar mes dy kulturave, që janë integruar me sukses në Itali, por që nuk kanë hequr dorë nga rrënjët e tyre. Sot, më shumë se kurrë, ky brez meriton njohje, përfaqësim dhe një lidhje reale me atdheun që ndoshta nuk e kanë parë kurrë, por që e ndjejnë pjesë të qenies së tyre.

Një Fitore Morale dhe Sociale

Ky nuk është thjesht një hap ligjor. Është një fitore morale dhe sociale për një komunitet që, ndonëse larg vendit të lindjes, nuk e ka harruar rrënjën, kulturën dhe të drejtën për të qenë pjesë aktive e fatit të kombit. Kjo fitore duhet njohur si e tillë – dhe më e rëndësishmja: duhet mbrojtur, zgjeruar dhe garantuar për të gjithë shqiptarët jashtë vendit, përfshirë edhe brezat e ardhshëm.

About Redaksia

Check Also

“Rama në samitin e kokainës”!

Nga Basir ÇOLLAKU Edi Rama në Samitin e Kokainës në vitin 2019?! Zaret janë hedhur Luftë …