Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp akuzoi prokurorinë për dezinformim të qëllimshëm lidhur me kompaninë “Bankers Petroleum”. Ai u shpreh se kontrata me kompaninë është firmosur nga qeveria e Fatos Nanos dhe përmban një nen stabiliteti që ndalon ndryshime pa pëlqimin e dy palëve.
Sipas tij, gjatë qeverisjes së tij, “Bankers” ka paguar mbi 500-600 milionë euro vetëm në rentë, si dhe detyrime të tjera ndaj Albpetrolit dhe shtetit shqiptar. Berisha mohoi kategorikisht pretendimin se kompania nuk ka paguar taksa për 20 vjet.
“Tani, reagimi im ishte ndaj një pyetje.
Dhe prapë këtu, konstatoj se para dy ditësh, tre ditësh, mediat, të dezinformuara në mënyrë kriminale nga prokurori politik i Fierit, i cili në komunikatë thoshte se nuk ka paguar në 20 vite asnjë taksë, asnjë detyrim, me të drejtë filluan të flasin për qeverinë e kryesuar nga Sali Berisha dhe qeverinë e mëvonshme.
Sepse kishin përpara një mashtrim publik të një prokurori pa dinjitet. Të inkriminuar.
Pse e them këtë?
Sepse kontrata e Bankers Petroleum është firmosur jo nga qeveria jonë, është firmosur nga qeveria e Fatos Nanos, e cila pasi është firmosur kontrata me kushtet që ne nuk do ta firmosnim, është vendosur edhe një klauzolë në të cilën thuhet, neni 18 i kontratës, se nuk mund të bëhet asnjë ndryshim në këtë kontratë pa miratimin e dy palëve.
Ky nen quhet neni i stabilitetit të kontratave, përndryshe kontrata çdo muaj rrëzohet.
Ne, çfarë bëmë?
Kompania kishte fushën më të madhe të naftës në Europë. Fusha më e madhe naftëmbajtëse, jo në det, por në tokë, është Patos Marinzëë, e cila me përllogaritjet e asaj kohe, besohet se ka 6 miliardë fuçi, por do metoda më të veçanta për t’u nxjerrë. Pra ka një kosto pak më të lartë për t’u nxjerrë.
Ne, duke ndjekur kontratën, ne vendosëm të vendosim rentën.
Renta, dhe këtu e kam vendimin e Këshillit të Ministrave, ndaj dhe të thuash se edhe qeveria- pastaj bën mashtrime, renta ishte 10 përqind e shitjeve të përgjithshme, shumë më e madhe se tatim fitimi pra.
Me këtë taksë, të cilën e pranoi kompania, nuk shkoi në arbitrazh, mund të shkonte, mund ta fitonte, por nuk shkoi, ajo ka paguar gjatë periudhës që kemi qenë ne në pushtet, mbi 500-600 milionë euro vetëm rentë.
Ka paguar pagesën koncesionere për Albpetrolin. Një përqindje e naftës që nxjerr, kompania është e detyruar t’ia dorëzojë Albetrolit. E ka paguar rregullisht. Në tërësi në të gjitha vitet mund të shkojë në 200-300 milionë euro.
Përveç këtyre, tatimet tona vendosën të tatojnë holluesin në hyrje dhe në dalje, që më për mua ishte e padrejtë sepse kjo sasi nafte mund të trajtohej në hyrje, por jo në dalje, sepse e taton dy herë. Por unë nuk kam ndërhyrë, edhe pse atëherë dhe sot kam pasur këtë mendim. Po ata duhet ta zgjidhnin me gjykatë dhe jo me kryeministrin. Se ishte një problem që po u ndërhyri kryeministri tatimeve, ato nuk bëjnë më, i shkatërron.
Kanë paguar sigurime shoqërore për 1500 punëtorë, përveç rrogave. Kanë paguar taksën e karbonit. Refuzuan njëherë, por u detyruan ta paguajnë.
Po si mund të thuash atëherë në këtë mënyrë?
Këto tregojnë se dikush i ka vënë syrin, ka bërë pazaret.
Lubia, kush tjetër?
Rama me Lubinë janë këtu, nuk mund ta bëjë kush tjetër, nuk guxon kush tjetër.
Kanë gjetur mekanizmat për t’i përzënë dhe për t’ia dhënë atyre që duan, për ta marrë për vete. Nuk mund të them se çfarë ndodh këtu.
Nuk e njoh fare kompaninë që e ka marrë. Ajo tjetra ka qenë kompani publike kanadeze e listuar në bursë. Është kompani kineze, nuk e di a është publike. Duhet të jetë e listuar në bursë sepse ka blerë Bankersin, kompaninë nënë.
Kështu që ia kanë vënë syrin këta me dikë tjetër.
Por një gjë ka, të mos përpiqen me përbaltë në këtë mënyrë dhe të servirin mashtrime dhe gënjeshtra.
20 vite nuk ka dhënë një qindarkë.
Çfarë është kjo? Në 20 vite ka dhënë 1 miliard, po të marrësh edhe pagesën ndaj Albpetrolit dhe të tjera me radhë”, u shpreh Berisha.
Gazeta RD