Berisha: Ambasadori Daum ishte zëri më i fuqishëm brenda Shqipërisë në vitet ’90 kur të tjerët donin që vendi ynë të mbetej Kuba e Adriatikut

Gjatë vizitës në Bashkinë e Kavajës, lideri historik i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, vlerësoi ish-ambasadorin gjerman Werner Daum si zërin më të fuqishëm të demokracisë brenda Shqipërisë në vitet ’90, në një kohë kur vendi ndodhej ende nën izolim të plotë dhe shumë faktorë ndërkombëtarë ishin skeptikë për ndryshim.

Berisha theksoi se, ndërsa disa dëshironin që Shqipëria të mbetej “Kuba e Adriatikut”, Daum inkurajoi dhe mbështeti lëvizjet antikomuniste, duke takuar eksponentë të rinj të ndryshimit në Shkodër, Kavajë dhe qytete të tjera.

Kryetari i PD, Sali Berisha, kujtoi rolin kyç të ambasadorit në ngjarjet e korrikut 1990, kur ambasada gjermane u kthye në një strehë të vërtetë për të rinjtë që kërkonin liri, duke simbolizuar rrëzimin e “Murit të Berlinit në Tiranë”.

Berisha vuri në dukje se ndërsa bota kishte iluzione për reformatorë si Ramiz Alia, realiteti ishte ndryshe, një regjim i lëkundur, por ende i dyzuar mes ideologjisë komuniste dhe hapjes.

Në përfundim të fjalës së tij, lideri opozitar, Sali Berisha falënderoi Daum për mbështetjen ndaj demokratëve të parë shqiptarë dhe për rolin e tij të guximshëm në mbështetje të lirisë dhe shpresës për një Shqipëri demokratike.

FJALA E PLOTË

Edhe njëherë dua t’u falënderoj zoti ambasador për rolin shumë të veçantë që luajtët në vitet ’90.

Në një vend shumë të izoluar.

Në një vend për të cilin mendimet shkonin nga le të mbetet siç është Kuba e Adriatikut, tek idetë se këta janë të apasionuar pas nacional-komunizmit të Enver Hoxhës dhe të rrinë me të.

Unë mund të them se në atë periudhë, brenda Shqipërisë ju ishit zëri më i fuqishëm, dhe jashtë Shqipërisë ishte një gazetar i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj.

Ju takonit grupe antikomuniste ose eksponentë të tyre në Shkodër, Kavajë dhe qytete të tjera dhe kjo jehonte me bindjen se Gjermania mbështet lëvizjen pro-demokratike në Shqipëri, e cila në fakt ishte në fillesat e saj.

Por edhe ajo që ju bëtë, që e shndërruat ambasadën në një kështjellë të vërtetë të atyre heronjve, që ishin të rinjtë, që de facto e përmbysën Murin e Berlinit në Tiranë apo Perden e Hekurt.

Ju u përpoqët që ajo ngjarje të kurorëzohej njëlloj si në vendet e tjera ish-komuniste, por për fat të keq shoqëria shqiptare nuk ishte realisht u tregua indiferente dhe nuk ndoqi, nuk përfitoi nga akti i kryengritësve, një akt heroik.

Por ju e bëtë më të madhen.

Kishte në atë periudhë idera se Ramiz Alia është Gorbaçovi i Ballkanit, veçanërisht media evropiane të majta, por edhe qeveri të majta.

Në fakt, ai ishte shumë interesant si person. Një javë ishte Gorbaçov dhe sillej si Gorbaçov, javën tjetër ishte Brezhnjev dhe ia kalonte Brezhnjevit.

Do t’u jap një shembull. Themeluam PD-në më 11 dhjetor. Domethënë mblodhi plenumin dhe e pranoi pluralizmin.

Më 21 dhjetor mblodhi konferencën kombëtare të Partisë së Punës, ku deklaroi se marksizëm-leninizmi do të jetë përjetë ideologjia e Partisë së Punës.

Mirëpo marksizmi dhe opozita nuk pajtohen.

Ky ishte ambiguiteti i tij.

Në atë periudhë, e vetmja ambasadë ishte ambasadori hungarez, sepse ambasadat ishin në meremetim pas ngjarjeve të korrikut.

I vetmi ambasador ishte ambasadori hungarez që vinte tek ne dhe lajmet për ne, përveç Zërit të Amerikës, i jepte radio e Hungarisë.

Por ju keni luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe shumë nga aktivistët e atyre viteve në Shkodër dhe kudo kanë folur për inkurajimin që ju u bëtë atyre në lëvizjen e tyre.

 

About Redaksia

Check Also

Banorja në Theth: Rama na tha kthejini djemtë nga emigracioni dhe ndërtoni! M’u thafshin duart për atë votë që dhashë!

Kryetari i PD, Sali Berisha ka publikuar në Facebook një video ku një banore nga …