Nga Alba KEPI
Zerbinizmo ramist!
Gjunjëzimi nuk është strategji: Rama, Meloni dhe degradimi i përfaqësimit diplomatik!
Kur gjestet personale zëvendësojnë dinjitetin shtetëror, politika e jashtme humb kuptimin e saj thelbësor.
Pamjet nga Roma, ku Kryeministri shqiptar Edi Rama gjunjëzohet sërish përpara Kryeministres italiane Giorgia Meloni, përbëjnë më shumë se një moment simbolik: janë një sinjal i qartë i mënyrës së deformuar se si politika e jashtme po përdoret për interesa të brendshme dhe për imazh personal. Ajo që për disa mund të interpretohet si akt miqësor, në realitet shfaq një raport të pabarabartë, të njëanshëm dhe problematik, si në përmbajtje ashtu edhe në perceptim.
Marrëdhëniet ndërshtetërore nuk ndërtohen në gjunjë.
Italia është një aleat i rëndësishëm i Shqipërisë, në shumë plane: ekonomike, politike, kulturore. Por kjo nuk e justifikon kthimin e marrëdhënies bilaterale në një spektakël publik devocioni.
Gjestet e përsëritura të përuljes ndaj Melonit nuk e forcojnë këtë partneritet – përkundrazi, e dëmtojnë. Ato prodhojnë një imazh ku Shqipëria paraqitet si një shtet i gatshëm të heqë dorë nga qëndrueshmëria institucionale në këmbim të favoreve politike ose aprovim nga një udhëheqje e huaj.
Rama ka zgjedhur prej kohësh të personalizojë politikën e jashtme, duke e shndërruar komunikimin diplomatik në një marrëdhënie individuale me liderë të caktuar. Rasti Meloni është më i dukshmi, por jo i vetmi.
Në vend që të përfaqësojë interesat e shtetit dhe qytetarëve të tij në mënyrë të matur dhe të balancuar, ai shfaq një stil komunikimi të ngarkuar me ndjeshmëri personale, metafora emocionale dhe akte performative që rrallë shihen në nivelet serioze të diplomacisë europiane.
Në skenën ndërkombëtare, mënyra se si një lider përfaqëson vendin e tij ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si perceptohet ai shtet.
Një lider që shfaqet në mënyrë të përsëritur si “i gjunjëzuar” përballë një figure të fortë dhe të diskutueshme si Meloni, i dërgon komunitetit ndërkombëtar një sinjal të dyfishtë: ose Shqipëria është e gatshme të luajë rolin e vendit satelitor, ose ajo udhëhiqet nga një logjikë që vendos përmbajtjen pas shfaqjes.
Asnjëra prej këtyre nuk është në dobi të aspiratave europiane të Shqipërisë.
Shteti nuk përfaqësohet me gjeste personale.
Politika e jashtme nuk është terren për autopromovimi, as për demonstrim lojaliteti ndaj një qeverie tjetër. Ajo është një instrument strategjik që kërkon pjekuri, barazi dhe aftësi për të ruajtur ekuilibrat.
Në një kohë kur Ballkani Perëndimor është nën vëzhgim të shtuar nga BE, dhe kur vendimmarrja për zgjerimin kërkon maturi dhe qëndrueshmëri, Shqipëria nuk mund të përfaqësohet nga një lider që gjunjëzohet në publik – përballë cilitdo lider tjetër.
Shteti ka nevojë për përfaqësim dinjitoz. Dhe dinjiteti nuk gjendet në shfaqje teatrale, por në qëndrim.