Nga Ndriçim KULLA
Barbaria qeveritare e shkatërrimeve në Theth, tregoi edhe një herë në dritë të pastër, se në çfarë roli asgjëje është katandisur shteti ligjor në Shqipëri. Barbarisë së shkatërrimeve i parapriu kërcënimi që i bëri kreu i regjimit Prokurorisë së Qarkut të Shkodrës, duke i përcjell mesazhe force , se roli i juaj është bërë nul nga ana e pushtetit mbi gjithçka që ka ndodhur këto ditë me ndërtimet në zonën e Thethit, duke u shpallur veten si në çdo rast, fuqiplotë dhe duke djegur kështu, çdo lloj etape që duhej të konsumonin organet e drejtësisë në proporcion me ligjin. Kjo është diktatura që ne flasim dhe çirremi përditë. Për fat të keq , shumë nga njerëzit e këtij vendi nuk e kanë marr seriozisht këtë kërcënim, por kur i iu ka trokitur diktatura brenda pragut të shtëpisë e kanë pare me sytë e tyre ferrin e pasojave të dhunës së saj.
Ai nuk është vetëm i pa shpirti kryeministër, që iu prishi shtëpitë dhe bizneset njerëzve për tekat që i krijon subkoshienca. Ai është pikërisht ai që urren njeriun,atë që sakrifikon dhe krijon vlera , atë që sakrifikon dhe i ngjit në mes të bjeshkëve kursimet e jetës së tij për të krijuar gjëra që do i mbeten këtij vendi.
Kryeministri ,i shndërruar në diktator, nuk sillet dot as si kryeministër dhe as si njeri sociologjik. E ka të pa mundur, sepse e bren nga përbrenda urrejtja narciste ndaj të gjithë atyre, që krijojnë dhe ndërtojnë pa dijeninë e tij.
Por për të qenë kryeministër i vërtetë , duhet së pari, të të udhëheq jo vetëm arsyeja, por edhe zëmra në çfarëdo vendim që do marrësh, në çfarëdo firme që do hedhësh dhe në çfarëdo urdhër që duhet të japësh.
Burgu , dinamiti, fadroma,rrëmbimi , kërcënimi janë vetëm disa nga nga ulërimat që krijojnë histeritë shkatërruese të pushtetit të tij.
Historia e malësorëve të pikës turistike të Thethit, po bëhet një nga këto episode të dhimbshme, e cila shprehë në panoramën e saj shumë nga problemet e mprehta sociale, politike, demokratike , juridike por edhe ekonomike që po përjetojmë të gjithë nën këtë qeverisje të dhunshme.
Është e tepërt ta përsërisim, sepse është e tejkaluar, duke u thënë e stërthënë prirja agresive që e udhëheq në fiksimet e tij këtë njeri, për të prishur dhe për të ngritur si rrufe edhe në qiellin e pastër, mbasi kjo është e afirmuar me fakte që tejkalojnë edhe rastin e Thethit.
Po çfarë pune prishin një ose disa kabina druri të ndërtuara sipas parametrave estetike në mes të pyjeve dhe bukurive të ashpra dhe madhështore të Thethit?!
Pylli do kishte edhe një ose disa kabina më shumë, çka do të thotë se do kishim edhe disa kapacitete të tjera për të pritur mysafirët e munguar të bjeshkëve tona të mrekullueshme.
Arroganca e kryeministrit asocial i mëshiron të gjitha cilësitë e pushtetit të përdalë . Ajo nuk është vetëm arrogancë, por dhe pabesi, edhe shpërfillje , edhe pa përgjegjshmëri dhe mizori. Këto janë cilësitë e vërteta të Edi Ramës dhe të pushtetit të cilin ai si diktator e ka të gjithë nën kontroll të plotë.
Ndërsa akti mjaft kompleks i ndërtimit të këtyre banorëve duhet të jetë subjekt një hetimi dhe gjykimi nga organet e drejtësisë ,kryeministri turret për ta shpallur si moskompetencë detyrimin ligjor të drejtësisë dhe e jep vendimin e shkelësit të ligjit vetë apriori , ashtu siç ka vepruar edhe me hotelin e biznesmenit Irfan Hysebelliu, me televizionin Agon të Françesko Beketit me televizionin Ora News e Ylli Ndroqit etj etj.
Raporti i lidhjes së tij me çdo njeri gjendet vetëm tek vota dhe pushteti dhe asgjëkund tjetër. Çdo gjë tjetër përvec kësaj lidhje është diçka që nuk ka ekzistuar kurrë.
Afërsisht tre muaj më parë kryeministri ishte tjetër njeri ,me sjellje të përulëse dhe krejtësisht njerëzore në dukje mes këtyre njerëzve dhe gjithashtu edhe problemeve të tyre. Në vija të përgjithshme ai inkurajoi të vijonin punën dhe u premtoi jo vetëm amnisti fiskale dhe ligjore për ndërtimet pa leje ne tokën e tyre duke krijuar një atmosferë paqeje mes palëve.
Por paqja e shtirur e kryeministrit buronte vetëm nga ankthi për të siguruar pushtetin e tij. Përtej interesit të pushtetit s’ka më njerëz për kreun e regjimit. Ai sot në të gjithë qenien e tij është në ekstas prej pushtetit të stërzgjatur dhe të grabitur dhe ata njerëz qe për atë dje ishin subjekte të rëndësishëm vote tashti që po merr frymë i lehtësuar për mandatin e katërt të grabitur, janë thjesht gurë zalli, që nuk kanë më vlerë as t’iu hedhësh sytë.
Dhe zbatimi i ligjit për këtë pushtet sot ka në thelb vetëm filozofinë e shkopit të Maliqit. Shkopi i Maliqit godet butë, por godet edhe fortë. Duke mos e ndjerë shkallën e dëmit , pasojat e kësaj goditje janë kthyer në një humnerë të vërtet social-ekonomike dhe psikologjike për çdo person ose familjar të penalizuar, pa u gjykuar sipas rregullave të një shteti ligjor.
Konflikti i banorëve të Thethit me shtetin për ndërtimet e ekzagjeruara pa leje në mes të pyllit dhe gërxheve, tregon më së miri humnerën e thellë psikologjike që ka krijuar qeverisja antipopullore e Edi Ramës. Natyrisht që ndaj respektimit të ligjit duhet treguar kujdes dhe çdo kush duhet bërë çmos për tu respektuar.
Po ku është detyrimi parandalues dhe paralajmërues i shtetit ndaj qytetarëve të saj taksapagues, të cilët më së shumti nuk kanë edhe kulturën e nevojshme të këtij lloj informimi?
Pastaj gjykimin e shkallës së shkeljes së ligjit nuk e bën kryeministri, por e bëjnë gjykatat dhe organet ligjëzbatuese.
Po në fund të fundit , çfarë shëmtire i krijohet bukurisë së një qyteze turistike në mes të maleve ?! Çfarë kontrast i krijojnë gjelbërimit të një pylli, një ose disa kabina druri të dizenjuara në përshtatje me stilin dhe modelet e ndërtuara edhe në destinacione të tjera turistike alpine si në Valbonë, Qafëthore , Selcë apo Lepushë?!
Leja e ndërtimit duhej që formalisht të ishte një formalitet, por kur vetë kryeministri hynë në lojëra abuzuese premtimesh për falje gjobash dhe legalizime premtimesh në prag të zgjedhjeve, pse duhej të ishte e nevojshme të bënte një kthesë radikale 360 gradë për të krijuar një dramë të tillë ndëshkimi dhe hakmarrje ?!
Në librin tim të botuar disa muaj më parë “Narkodiktatura shqiptare në oborrin e Evropës”, Edi Rama lëviz si një përbindësh,për të burgosur , për të ndëshkuar ,për të prishur e për të ndërtuar gjithçka sipas qejfit të tij. Ai i urrejnë njerëzit sidomos njerëzit që krijojnë pa dijeninë e tij. Sepse është një narcist i sëmurë dhe sëmundja e bën edhe më të rrezikshëm pushtetin e tij.
Autori austriak Robert Musli në librin e tij “Njeriu pa cilësi”,botuar edhe në shqip, do ti bënte një shërbim çdo kujt që do ta lexonte për të kuptuar më mirë sjelljen asociale të këtij njeriu përbindësh, i cili nuk ka filozofi njerëzore brenda vetes së tij për të administruar sjelljen dhe vendimmarrjet e pushtetit .Është e pa mundur që të gjesh urtësi dhe mirësi njerëzore në psikikën e sjelljes që ai manifeston .
Ky është në fund të fundit ai djalli i vërtetë dhe jo ai gjiganti siç i thonë disa patronazhistë andej nga Vlora.