Nga Jamarbër MALLTEZI
Në përgjigje të shpifjeve të pastra të Alfred Moisiut, i cili në një intervistë në A2CNN zgjodhi të përsëriste shpifjet e Taulant Ballës, Karlo Bollinos, Adriatik Doçit, se toka e Klubit Partizani ishte shpronësuar nga italianët dhe se drejtësia duhet të kërkonte dokumentet në Itali, sqaroj publikun se:
– Fakti që toka NUK ka qenë e shpronësuar quhet fakt i njohur zyrtarisht, përderisa është botuar në fletoret zyrtare të kohës së Italisë si tokë e rekuizuar dhe jo e shpronësuar. (Rekuizimi është okupim për periudhë të përkohshme e pa ndryshuar pronësinë). Kaq do të qe e mjaftueshme për këdo që respekton ligjin, por veçanërisht për një ish-president, nëse ai do të përmbushte kriteret e një burrështetasi – respektin për ligjin dhe jo shpifjen.
– Për merakun e ish-presidentit që mesa duket nuk ka më aftësinë të ndjekë detaje, rikujtoj se SPAK jo vetëm ka kryer 3 muaj hetime në Arkivat e Shqipërisë, por ka bërë kërkesë edhe në arkivat e Italisë nga ku ka marrë mbi 10,000 faqe dokumente, të cilat provojnë katërcipërisht atë që shkruhet në fletoret zyrtare se ajo tokë nuk ka qenë kurrë e shpronësuar.
– Zgjedhja për t’u vetëposhtëruar nëpërmjet shpifjes nuk është çështje moshe, por karakteri. Për të larguar çdo dyshim të publikut mbi këtë çështje, e njoftoj publikisht z.Moisiu që meqë ky është një fakt i ditur për të dhe meqë fjalët nuk mund t’i lëshojë siç nuk thuhet, do ketë mundësi të provojë ose jo, shpifjet e tij në gjykatë.