“Bashkia e Milanos nën nënshtrimin e interesave private” shkruajnë mediat italiane ndërsa zbardhin dhe bisedat e Boerit në celular
Nga Alba KEPI
“I shkrova Beppe-s, si miku me mikun, ka një situatë që më shqetëson, nuk është e mirë…’
Kështu shkruan Stefano Boeri, arkitekt dhe simbol i Milanos moderne me ndërtesa të larta, në prag të mbledhjes vendimtare të Komisionit të Peizazhit më 21 qershor 2023, për projektin “Pirellino”. Ky mesazh, konfidencial, është bërë një nga provat kryesore për Prokurorinë e Milanos, e cila prej dy vitesh heton një sistem presionesh, detyrimesh dhe konflikte interesi që përfshin politikanë, sipërmarrës dhe teknikë.
“Pirellino” është emri me të cilin njihet ndërtesa më e vogël pranë kullës legjendare Pirelli Tower (Pirellone) në Milano, e një nga simbolet arkitektonike dhe ekonomike të qytetit por dhe të Italisë.
Ndërtuar në vitet 1950, Pirellino është një ndërtesë zyrtare pranë Pirelli Tower, që për shumë dekada është seli administrative në shërbim të kompanisë Pirelli dhe aktiviteteve të lidhura me industrinë dhe ekonominë milaneze.
Ndërtesa është pjesë e qendrës historike të biznesit dhe administratës në Milano dhe ka një vlerë arkitektonike dhe urbanistike të konsiderueshme.
Në hetimin e Prokurorisë së Milaonos janë 74 të pandehur, mes të cilëve zyrtarë publikë, sipërmarrës dhe administratorë. Akuzat kryesore lidhen me një mekanizëm “shpërblimesh të tjera”, ku konsulencat milionëshe — më shumë se 3.9 milion euro — dhe lidhjet personale përdoren për të influencuar vendimet për urbanistikën e qytetit.
Kryebashkiaku Sala është nën hetim për konfirmimin në dhjetor 2024 të arkitektit Giuseppe Marinoni në krye të Komisionit të Peizazhit, pavarësisht se ai ishte nën hetim për konflikte interesi. Sipas prokurorisë, Sala ishte në dijeni, por vendosi ta mbante Marinonin në atë pozicion, nën presionin e asamblistit të Urbanistikës, Giancarlo Tancredi, i cili përfitonte për të favorizuar interesat e grupeve të mëdha si Coima dhe Kryalos.
Bisedat e regjistruara në celularin e Boerit, kapur nga Guardia di Finanza, tregojnë një sistem kompleks: Boeri ushtron presion direkt ndaj Tancredi-t, i cili vepron mbi Marinonin; Sala është në dijeni dhe nuk ndalon operacionin. Brenda 24 orëve, mendimi i Komisionit për “Pirellinon” ndryshon nga negativ në pozitiv me kusht dhe më pas plotësisht pozitiv. Boeri e njofton menjëherë Manfredi Catella-n e Coimës: «Kemi vendimin pozitiv.»
Kjo është Milano e ndërtesave të larta — Coima, Kryalos, Catella, Boeri — ku ndërtimi i pakontrolluar shoqërohet me konflikte interesi, heshtje dhe lojëra pushteti.
Korrupsioni me shumë kate
Prokuroria milaneze në hetimin e saj ka ndërtuar një “ndërtesë” simbolike korrupsioni me shumë kate:
Kati i parë: konflikte interesi të fshehura nga Marinoni dhe Scandurra, anëtarë të Komisionit të Peizazhit, që vlerësonin projekte nga kompani ku ata kishin marrë detyra profesionale.
Kati i dytë: akuza për korrupsion me pagesa milionëshe për detyra profesionale.
Kati i tretë: përfshirja e Tancredi-t dhe Salës në mbajtjen e Marinonit, pavarësisht konflikteve të interesit.
Kati i katërt: presione të padrejta nga Boeri, Catella dhe Tancredi, me Salën si ndërmjetës.
Nuk është korrupsioni i parave nën dorë: është një formë më e sofistikuar, e “shpërblimeve të tjera”, përmes detyrave të ndara, favoreve profesionale dhe marrëdhënieve personale. Por efekti mbetet i njëjtë: ta bësh institucionin të nënshtruar ndaj interesave private.
Milano rrezikon të shkatërrohet në imazhin e tij si qytet modern dhe transparent nën peshën e një hetimi që zbulon një sistem pushteti nga i cili askush nuk duket i përjashtuar, madje as kryebashkiaku. Një qytet që ndërton lart, por që rrezikon të shembet.