INSTAT: Numri i bizneseve të vogëla në rënie në 59% të bashkive!

Shumica e bashkive të vendit janë duke parë tkurrje të forta të popullatës dhe për rrjedhojë edhe të bizneseve.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në 36 bashki nga 61 gjithsej numri i bizneseve person fizik që zakonisht përfshijnë të vetëpunësuar ose biznese me xhiro deri në 2 milionë lekë është ulur në mënyrë të ndjeshme.

Në rang vendi si biznese person fizik ishin aktive mbi 97 mijë subjekte me 2024, me rritje vjetore vetëm 0.5%, por në bashki të vogla ka rënie të fortë për shkak të rënies së popullsisë. Personat fizikë përbënin 74% të ndërmarrjeve gjithsej, (pa përfshirë fermerët), ndërsa pjesa tjetër janë të regjistruar si persona juridikë, sipas INSTAT.

Sipas të dhënave të përpunuara për ndryshimin vjetor të bizneseve “Person Fizik” në vitin 2024 krahasuar me 2023, vihet re një polarizim i fortë mes zonave të mëdha urbane dhe bashkive më të vogla. Në pjesën më e madhe e bashkive ka rënie, ndërsa vetëm një pjesë e kufizuar ka shënuar rritje.

Në bashkitë me krizën më të madhe të bizneseve person fizik kryeson Pusteci me një rënie drastike prej -25% të bizneseve, e ndjekur nga Konispoli -7.2%, Tropoja -6.7%, Mati me –6.5% dhe Selenica -6.1%.

Këto bashki janë tipike të vogla kanë nivel të lartë emigrimi, plakje të popullsisë dhe mungesë mundësish për zhvillim të qëndrueshëm të aktivitetit privat. Rënia e bizneseve tregon jo vetëm largimin e popullsisë, por edhe mbylljen e iniciativave të vetëpunësimit për shkak të mungesës së tregut lokal.

Në të kundërt bashkitë më rritje më të madhe të bizneseve person fizik janë ajon Këlcyrës +10.7%, e ndjekur nga Delvina +8.9%, Sarandë +7.5% dhe Vorë me 6.6%, të cilat kanë lidhje të forta turistike ose logjistike, si Saranda që ka përfituar nga turizmi, apo Vora që ndodhet në korridorin industrial mes Tiranës dhe Durrësit. Po ashtu, Gjirokastra dhe Libohova kanë përfituar nga investime në agroturizëm.

Tirana, Durrësi dhe Shkodra shfaqin rritje të lehtë, çka tregon një stabilitet në aktivitetin ekonomik në qendrat urbane, të cilat ende grumbullojnë popullsi nga zonat rurale dhe në këtë mënyrë ruajnë edhe dinamikën në bizneset e vogla.

Trendët demografike janë duke u bërë përcaktuese në ekonominë rajonale. Pakësimi dhe plakja e popullsisë po çon në faliment bizneset e vogla për shkak të ngushtimit të kërkesës por edhe të emigrimit të qendrave më të mëdha urbane.

Popullsia e vendit nga viti 2011 në vitin 2024 ka rënë me 17 për qind, ndërsa ritmet e rënies po thellohen vitet e fundit nga ikja e të rinjve dhe nivelet tejet të ulëta të lindjeve. /MONITOR

 

About Redaksia

Check Also

Asnjë kafshë pa sigurim! SIGAL garanton mbrojtje për blegtorinë shqiptare

Një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë është qëndrueshmëria financiare e sipërmarrësit …