Kryetari i PD, Sali Berisha ka denoncuar përpjekjet e Edi Ramës për të manipuluar raportet e zgjedhjeve, duke theksuar se besimi i tij i palëkundur qëndron tek institucionet ndërkombëtare.
Ai ka deklaruar se Rama po ushtron presion të jashtëzakonshëm, por edhe pse ai po përdor mekanizma për të ndryshuar raportin e Këshillit të Europës, institucioni ndërkombëtar ka dhënë një rekomandim të rëndësishëm që e bën të qartë se zgjedhjet e 11 majit 2025 janë të papranueshme dhe të manipuluara.
“E dënoj me forcën më të madhe të gjithë presionin dhe unë informoj komunitetin ndërkombëtar se Edi Rama po bën përpjekje të jashtëzakonshme.
Por besimi im i madh, i palëkundur është tek institucionet ndërkombëtare, të cilat siç konstatoj unë do të qëndrojnë në mbrojtje të të vërtetave të hidhura të farsës elektorale 11 maj 2025.
Përdori të gjithë ato mekanizma për të ndryshuar raportin e Këshillit të Europës, por mori goditjen më fatale me rekomandimin ku thuhet ‘rekomandojmë që në Shqipëri të ndahet partia nga shteti’. Kaq.
Në qoftë se ky rekomandim bëhet, atëherë për të gjithë ata që kanë ABC-në, alfën e kulturës ligjore elektorale, vetëkuptohet se zgjedhjet kanë qenë farsë.
Prandaj ne kemi besim sepse të vërtetat tona janë të jashtëzakonshme.
Shikoni, ata kanë folur për patronët, kanë shkruar se ato janë në kundërshtim me parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve, por ne do u çojmë të gjithë veprimtarinë kriminale të Ballukut me patronë, të gjithë miklimet që u bën qytetarëve për të blerë votën.
Pra, në një mënyrë ose në një tjetër, ne kemi arritur para jush dhe shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar të paraqesim manipulimet më monstruoze të zgjedhjeve që mund të jenë bërë ndonjëherë”, tha Berisha.
