Gati për kulla! Rama ia kalon Pallatin e Kongreseve në administrim ministrisë së Ekonomisë

Pasi u miratua në Këshillin Bashkiak të Tiranë, sot ka marrë vendimi edhe Qeveria për kalimin e Pallatit të Kongreseve në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ky kalim pronësie është bërë në funksion të realizimit të projektit të investimit “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”.

Ndonëse kjo godinë gëzon statusin e monumentit të kulturës, kjo nën zë po flitet se Pallati i Kongreseve do të prishet për t’i hapur rrugën ndërtimit të kullave të reja.

Pallati i Kongreseve u ndërtua për organizimin e kongreseve të Partisë së Punës, por edhe të festivaleve. Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 1982 dhe përfunduan katër vite më pas në vitin 1986. Për ndërtimin e tij punuan ndërmarrjet më të mira në vend.

Ambientet brenda ndërtesës u projektuan në një mënyrë që pallati të ishte edhe shumëfunksional dhe çdo gjë e vendosur atje të përshtatej me aktivitetet që do te zhvilloheshin, një funksion që Pallati i Kongreseve vazhdon ta ruajë edhe sot pas 20 vjetësh.

Vendimi i Këshillit të Ministrave

VENDIM PËR NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA BASHKIA TIRANË TE MINISTRIA E EKONOMISË, KULTURËS DHE INOVACIONIT, TË PASURISË ME NUMËR 7/74, NË ZONËN KADASTRALE 8160, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.834, DATË 13.12.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Bashkia Tiranë te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të pasurisë me numër 7/74, në zonën kadastrale 8160, Tiranë, sipas planit të rilevimit, bashkëlidhur këtij vendimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”.

2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i hiqet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.834, datë 13.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së pjesshme të inventarit (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme shtetërore në Bashkinë Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.

3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

About Redaksia

Check Also

Përgjimet e Antimafias për Ramën/ Dy kullat për të cilat u diskutua në Aruba

Sali BERISHA Një grup ministrash, bashkëpunëtorë të narkoterrorizmit ndërkombëtar, kanë udhëtuar me një çarter në …