“Duam t’ju informojmë se koncerti në Durrës, i planifikuar për të dielën në orën 19:00, është anuluar. Na ndiqni për përditësimet e ardhshme.”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-ve.
Ndërkohë, nuk është dhënë asnjë arsye zyrtare për anulimin e koncertit, i cili ishte pjesë e aktiviteteve të organizuara me rastin e vizitës së anijes komanduese amerikane USS Mount Whitney – flamurtare e Flotës së 6-të të SHBA-së – në portin e Durrësit.
Ambasada ka ftuar qytetarët dhe ndjekësit të qëndrojnë të informuar për zhvillimet e mëtejshme lidhur me aktivitetet që mund të organizohen gjatë qëndrimit të anijes amerikane në portin shqiptar.
Anija USS Mount Whitney, flamurtarja e Flotës së 6-të të SHBA-së ishte planifikuar të mbërrinte në Durrës për të qenë në pritjen zyrtare të njoftuar, ku ishte planifikuar të merrnin pjesë e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, Nancy VanHorn, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, si dhe Komandanti i Forcës Detare.
Pas anullimit të koncertit në Durrës është anulluar sot edhe mbërritja e anijes amerikane si dhe një tjetër koncert i parashikuar të mbahej në Tiranë.
Njoftimi i Ambasadës
Për shkak të një procesi mirëmbajtjeje të paparashikuar, mbërritja e USS Mount Whitney në Shqipëri ka ndryshuar, dhe koncerti në Tiranë, i planifikuar fillimisht për sot, është anuluar. Ju falënderojmë për mirëkuptimin. Ne vazhdojmë të presim me kënaqësi mbërritjen e USS Mount Whitney në Porto Romano dhe të theksojmë partneritetin e ngushtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Gazeta RD