Vangjeli: Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi i jep tenderin kushëririt të tij në kundërshtim me vendimin e KPP

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Partia Demokratike denoncon një tjetër skandal në Bashkinë e Tropojës, ku shkeljet ligjore dhe abuzimet me tendera vijojnë të përsëriten, të inkurajuara nga pandërshkueshmëria që u jep titullarëve guxim të veprojnë hapur kundër ligjit dhe në kundërshtim me vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), të cilat kanë efekt detyrues për Autoritetin Kontraktor.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt: ‘Ndërtim i rrugës Auto Kika-Gj. Dragobisë-Qafë Paje’, me fond limit 82.9 milionë lekë.

Në këtë garë morën pjesë 11 ofertues, por në mungesë konkurrence, fitues u shpall oferta e vetme e mbetur pas skualifikimeve.

Autoriteti Kontraktor, skualifikoi 6 oferta me çmim më të ulët se fituesi, duke favorizuar kompaninë ‘Vllaznimi’ shpk, e denoncuar më herët për lidhje familjare me kryetarin e Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi.

Edhe këtë herë, Bashkia ka shpallur fituese një kompani në pronësi të kushëririt të kryetarit Byberi, duke përsëritur skenarin e klientelizmit familjar.

Por skandali nuk ndalet këtu.

Operatori i skualifikuar që paraqiti ofertën më të ulët, e cila do t’i kursente Bashkisë 17 milionë lekë, dorëzoi ankesë pranë KPP-së.

Me vendimin e datës 3 shtator (2025), KPP konstatoi se arsyet e skualifikimit nuk qëndrojnë dhe urdhëroi rivlerësimin e procedurës.

Pavarësisht këtij vendimi detyrues, Bashkia Tropojë ka lënë përsëri të skualifikuar për here të dytë ofertuesin në fjalë, duke shtuar arsye skualifikimi në tejkalim të kompetencave që parashikon ligji e injoruar hapur autoritetin e KPP-së.

Ky mosrespektim i vendimit të KPP-së, sipas nenit 119, pika d e Ligjit për Prokurimet Publike, e bën kontratën të pavlefshme.

Partia Demokratike kërkon menjëherë disiplinimin e Autoritetit Kontraktor në zbatimin e ligjit dhe apelon organet e drejtësisë që të hetojnë dhe të penalizojnë shkelësit e ligjit.

About Redaksia

Check Also

PD: Asnjë urdhër për bojkotin e mitingut në mbështetje të UÇK-së! Kauza e saj është krenari kombëtare

Partia Demokratike nuk ka dhënë asnjë urdhër, verbal apo me shkrim, që përfaqësues apo mbështetës …