Deputetja e PD, Ina Zhupa, përpara se të futej në Kuvend, komentoi rregullat e reja që pritet të vendosen lidhur me informimin e medias brenda dhe jashtë ambienteve parlamentare.
Zhupa theksoi se, masat e propozuara synojnë të kufizojnë punën e gazetarëve, duke i cilësuar ato si një formë censure.
“Ka detyrimin e transparencës dhe të drejtën e qytetarëve për tu informuar, ashtu si të drejtën tuaj për të transmetuar për gjithçka ndodhet këtu. Kufizimi që mendohet për të mos ju lejuar në lozhat e Kuvendit për të filmuar dhe për të mos ju lejuar në oborrin e Kuvendit që të pyesni dhe ti drejtoheni deputetëve, është një masë e papranueshme, është një masë represive, është një masë e cila na bën regres në standardet e Bashkimit Evropian.
Ja u kujtoj të gjithëve që Parlamenti Evropian është i haur për gazetarët. Në PE, gazetarët kanë vendet e tyre dhe në korridoret e parlamentit për të intervistuar, marrin pjesë në seancat plenare, marrin pjesë në komisionet e PE dhe sigurisht është një nga kriteret kryesorë të klasterit të parë që diskuton Shqipëria për procesin e negociatave.
Kjo urrejtje ndaj gazetarëve dhe ky intimidim është thjesht sepse këtu duhet të instalohet një Republikë Censure, një republikë e cila ti mbajë të mbyllur çdo informacion. Ju e dini shumë mirë që çdo informacion është arma më e rëndë kundër pushtetarëve që keqqeverisin dhe duan të ndërtojnë diktaturën. E keni parasysh librin ‘Fire Night 551’, ku zjarrëfikësit nuk shuanin zjarre por digjnin libra. Edhe ky Kuvend tani nuk bën ligj për të zgjeruar të drejtat tuaja dhe të drejtat e qytetarëve, por merr vendime sesi të mos bëni transparent dhe standardet e një parlamenti të hapur.
Ndaj ne do ta kundërshtojmë. Është në vazhdën e të gjithë aksioneve që është bërë kundër gazetarëve”, deklaroi Zhupa.
Gazeta RD