Në vend të një portreti solemn të kabinetit të ri qeveritar, pas ceremonisë së betimit, Shqipëria mori një leksion të gjallë mbi mënyrën se si funksionon afërsia me pushtetin me bërryla. Teksa ministrat e qeverisë Rama 4 pozicionoheshin për fotografinë para Kryeministrisë, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ndryshe e njohur si Mamica vendosi të përdorë më shumë diplomaci fizike sesa politike, duke larguar kolegen e saj ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, për të zënë ajo vendin më të lakmuar, afër Ramës.
Kumbaro shihet teksa reagon me një buzëqeshje të ngrirë. Ajo zhvendoset pak pas Spiropalit dhe duke parë dhe mimikën e saj që shpreh qartë pas shtyrjes nga Spiropali, Kumbaro vendos para saj ministrin e financave Petrit Malajn, si një ‘mur’ mes saj dhe Spiropalit pas gjestit për të qenë afër kryeministrit.
Në një skenë që foli më shumë se çdo deklaratë politike, fotografia e parë e kabinetit Rama 4 u kthye në një metaforë perfekte të realitetit politik shqiptar se kush shtyn më fort, del më afër pushtetit. Dhe nëse diplomacia e jashtme matet me pozicionin në krah të Kryeministrit, atëherë duket se bërryli është bërë më efektiv se çdo marrëveshje ndërkombëtare. Në këtë teatër të heshtur, ku çdo centimetër pranë Ramës ka peshë simbolike, bëhet e qartë se në politikën shqiptare, nuk ka rëndësi vetëm çfarë thua, por ku qëndron në foto.
Gazeta RD