Kryetari i PD, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat u shpreh se, opozita ka vetëm një rrugë për t’i imponuar këtij narkoregjimi ligjin dhe Kushtetutën: protestën.
Berisha akuzoi kryeministrin Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi se, kanë mbyllur qëllimisht seancën parlamentare për të fshehur, vjedhjet dhe shpërdorimet monstruoze të qeverisë, si dhe lidhjet e tmerrshme të ministrave e deputetëve socialistë me botën e krimit.
“Siç e patë ju, parlamentin e mbylli Edi Rama me Niko Peleshin, të cilët donin me çdo kusht që shqiptarët të mos kuptonin, të mos njiheshin me vjedhjet, shpërdorimet monstruoze të Edi Ramës, familjes dhe ministrave të tij.
Shqiptarët të mos njiheshin me lidhjet e tmerrshme të krimit të ministrave dhe deputetëve të Edi Ramës.
Shqiptarët të mos njiheshin me mashtrimet e mëdha që Edi Rama kishte përgatitur ntë ashtuquajturin program të tij.
Ndaj dhe përdorin dhunën, shkelmimin e Kushtetutës, shkelmimin e rregullores për të mbyllur seancën.
Kjo është një betejë në vazhdim. Ne do të insistojmë me të gjitha mënyrat.
Është bërë një vendim që të kërkohet një mocion mosbesimi për Peleshin e Ramës dhe do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese.
Tani unë u garantoj ju se protesta dhe vetëm protesta është rruga e vetme që ka opozita për t’i imponuar këtij narkoregjimi ligjin dhe Kushtetutën”, tha Berisha.