Deputetja e PD, Denisa Vata ka denoncuar një skandal lidhur me ujësjellësin e fshatit Kurdari në Bashkinë Klos, ku sipas saj, qytetarët janë duke konsumuar ujë vaditjeje në vend të ujit të pijshëm, pas një investimi prej 2.5 milionë euro.
Projekti, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkëfinancuar nga bashkia, është kthyer në një farsë higjieno-sanitare shkruan deputetja Vatan ë FB, ku tubat për ujë të pijshëm janë lidhur me kanalet ku pinë bagëtitë.
Vata i bën thirrje Prokurorisë së Qarkut Dibër të nisë menjëherë hetimet për këtë që e cilëson si një abuzim me fondet publike dhe një krim ndaj shëndetit të qytetarëve.
Reagimi
Skandali i ujësjellësit të Kurdarisë ,qytetarët pinë ujë vaditjeje për 2.5 milionë euro!
Ujësjellësi i Kurdarisë ka nisur ndërtimin rreth viteve 2018–2019 dhe ka përfunduar vetëm 2–3 vite më parë, me një kosto prej 2.5 milionë euro. Investim i madh, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe me 10% bashkëfinancim nga Bashkia Klos, me premtimin për furnizim të sigurt me ujë të pijshëm.
Por realiteti i sotëm është i trishtë: në gusht, banorët e Kurdarisë, Skënderajt, Suçit, Kujtimit dhe Shulbaterrit më denoncuan mungesën e ujit. Pas kontaktit tim me Drejtorinë e Ujësjellësit me qendër në Bulqizë, më siguruan se “problemi do të zgjidhej”.
Dhe “zgjidhja” ishte kjo: të fusin në ujëmbledhësin e ujësjellësit ujin që përdoret për vaditje, nga një kanal natyror ku pinë edhe bagëtitë.
Pastaj nisi komedia e hidhur:
Njëri punonjës tha se po “lanin ujëmbledhësin e ujit të pijshëm me ujin e vaditjes”. Pra, qytetarët do të pinë “ujë të larë”!
Një tjetër tha se “banorët e kanë vjedhur ujin historikisht për vaditje”. Pra, sipas tij, faji është i qytetarëve!
Ndërsa përgjegjësi i ujësjellësit në Klos, Kastriot Pjetri, deklaroi se “tubi plastik është përdorur historikisht për vaditje”.
Pyetja është:
Nëse tubi qenka për vaditje, pse është futur brenda në ujëmbledhësin e ujit të pijshëm?
A vadisin qytetarët me “ujin e pijshëm” që paguajnë çdo muaj faturën?
Ironi më të rëndë ndaj inteligjencës së banorëve nuk ka!
I bëj thirrje Prokurorisë së Qarkut Dibër të nisë menjëherë hetimet për këtë rast, sepse banorët e Kurdarisë nuk po gjejnë qetësi.
Ky është një abuzim i rëndë me fondet publike dhe një krim higjeno-sanitar ndaj qindra familjeve.
Dhe mos harrojmë: pak muaj para zgjedhjeve, një leje për ndërtimin e një HEC-i iu dha ish-kandidatit të PS, z. Doma, pa asnjë dëgjesë publike.
Edhe HEC-et, edhe Drejtoria e Ujësjellësit janë në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pra në varësi direkte të ministres Belinda Balluku.
Qytetarëve u mohohet uji i pijshëm, ndërsa uji i lumit jepet me koncesione politike.
Për ta provuar këtë që them, po publikoj edhe videot e bëra disa orë më parë në vendngjarje.