Gjekmarkaj: Opozita po përjashtohet sistematikisht, po i hiqet e drejta për përfaqësim real në komisione

Deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ka akuzuar mazhorancën për përpjekje të vazhdueshme për të minuar rolin e opozitës dhe për të shkatërruar institucionet demokratike në vend.

“Më nxiti zoti Balla ta merrja fjalën sepse foli si shkrimtar. E dini që shkrimtarët nuk kanë detyrim të jenë të vërtetë, sepse krijojnë realitete virtuale. Po edhe fjala e tij ishte e tillë, për suksese, transparencë, hapësira për opozitën… që nuk ekzistojnë”, u shpreh Gjekmarkaj me ironi në nisje të fjalës së tij.

Gjekmarkaj tha se, e vërteta është ndryshe nga ajo që përshkruan mazhoranca. Sipas tij, opozita po përjashtohet sistematikisht nga proceset parlamentare, duke iu hequr të drejtën për përfaqësim real në komisione.

“Nga tre komisione që kishim, na latë një e gjysmë, duke i ndarë edhe ato në katër pjesë. Kjo është një vjedhje institucionale e hapësirës opozitare. Arritjet tuaja, transparenca dhe monitorimi për të cilat flisni, janë përkufizuar saktë nga raporti i DASH: korrupsion, ligje ‘ad personam’ për oligarkët, ndikim i krimit të organizuar”, vijoi më tej ai.

Në këtë kuadër, Gjekmarkaj propozoi thirrjen e një seance me debat në Kuvend për të diskutuar raportin e DASH dhe për të adresuar shqetësimet e ngritura për gjendjen e demokracisë në vend. Duke iu referuar propozimit të shumicës për një “superkomision” për nismat qytetare, Gjekmarkaj deklaroi se ky është një tjetër veprim që synon kontrollin total të Kuvendit, përfshirë edhe drejtimin e komisioneve parlamentare.

“Pas një kryetari Kuvendi të zgjedhur nga zgjedhje farsë, tani doni edhe një kryetar për kryetarët e komisioneve! Kjo është zhbërje e institucioneve. Ne do ta kundërshtojmë me vendosmëri, në emër të qytetarëve dhe votuesve”, u shpreh Gjekmarkaj.

About Redaksia

Check Also

“Duart e pastra” dhe heqje imuniteti/ Ish-ministri socialist paralajmëron largimin e Ramës nga Shqipëria

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, i ftuar në A2CNN, deklaroi se Shqipëria sot ngjan me …