Balluku merr në administrim edhe transportin publik

Transporti publik nuk do të jetë më në varësi të bashkive, por nga shtatori i vitit 2026, autobusët bashkë me hapësirën ku do të parkohen dhe biletat të cilat pritet të jenë elektronike do të administrohen nga Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar aktualisht nga Belinda Balluku.

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e të mërkurës ngritjen e shoqërisë “MobAI” e cila do të jetë me kapital 100 për qind shtetëror.

“Shoqëria “MobAl”, sh.a., ka si objekt të veprimtarisë operimin e shërbimit të transportit publik rrugor të udhëtarëve, përfshirë destinacionet turistike; operimin e shërbimeve të rregullta të specializuara të transportit të udhëtarëve përfshirë transportin e nxënësve dhe të punonjësve arsimorë; arkëtimin e tarifës së biletave në mënyrë fizike ose elektronike dhe krijimin ose sigurimin e sistemeve e të aplikacioneve elektronike për menaxhimin, informacionin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik rrugor të udhëtarëve.” – thuhet në vendimin e Qeverisë.

Shoqëria e re do të operojë si një strukturë publike, nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila do të përfaqësojë shtetin si aksionar i vetëm. Kapitali fillestar prej 10 milionë lekësh do të transferohet nga buxheti i ministrisë, ndërsa “MobAl” më pas do të funksionojë me vetëfinancim.

“Burimi i të ardhurave të shoqërisë “MobAl” janë të ardhura nga arkëtimi i tarifës së biletës; të ardhura nga tarifa vjetore, që përftohet nga subjektet që kryejnë shërbimin e operimit të shërbimeve të transportit publik rrugor;  të ardhura të tjera të ligjshme, të cilat vijnë nga kryerja e veprimtarive sipas pikës 7, të këtij vendimi dhe grantet, huatë, subvencionet” , thuhet në vendimin e Qeverisë.

Sipas vendimit, shoqëria “MobAl”, sh.a., mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj.

About Redaksia

Check Also

Agron Shehaj mbështet Binajn për Tiranën/ Jam 100% i bindur se mund të fitojmë!

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar mbështetjen e tij për kandidatin e pavarur …