Berisha: Gjendja e Shqipërisë është dramatike dhe ato që paguajnë çmimin më të shtrenjtë janë gratë dhe vajzat!

Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencën “Të bësh ndryshimin; nga influencues në vendimmarrës”, organizuar nga Partia Demokratike në bashkëpunim me fondacionin suedez “Jarl Hjalmarson”, tha se, gjendja e Shqipërisë është dramatike dhe ato që paguajnë çmimin më të shtrenjtë janë gratë dhe vajzat!

Berisha vlerësoi rëndësinë e fuqizimit të grave në shoqëri dhe solli në vëmendje masat e marra gjatë qeverisjes së tij për të luftuar pabarazinë gjinore, ndërsa kritikoi ashpër gjendjen aktuale, duke e konsideruar dramatike.

“Mirëdita, dhe një përshëndetje të përzemërt për të gjitha ju këtu, zonja, zonjushe të nderuara. Një përshëndetje të veçantë për Albanën për organizimin e kësaj konference dhe punën e saj të palodhur. Një mirënjohje të veçantë kam për fondacion Jarl Hjalmarson, presidenten e tij, Eva Gustavsson, mikeshë e çmuar e PD.

Mirënjohje të veçantë kam për znj. Margareta Cederfelt, për znj.Ëickland, për znj.Li Borgs, të pranishme në këtë konferencë për mbështetjen shumë të rëndësishme që i japin Lidhjes Demokratike të Gruas, përpjekjeve tona në kushtet shumë të vështira që veprojnë sot.

Është shumë themelore tema e konferencës dhe trajtimi i rolit të gruas në shoqërinë shqiptare.

Në shoqërinë tonë, por edhe në çdo shoqëri, edhe në ato më të avancuarat operon prej shekujsh dhe mijëvjeçarë muri i patriarkisë. Dhe ne, nuk do të harrojmë kurrë se çështja e rolit të gruas, çështja e barazisë gjinore, është para së gjithash një cështje e të drejtave të njeriut. Kjo pabarazi e kristalizuar në shekuj, dhe që ka forma nga më të shëmtuarat të shfaqjes së saj, fatkeqësisht është armiku kryesor sot i të drejtave të njeriut, i vajzave dhe grave, në Shqipëri, Europë dhe në botë.

Gjendja sot e grave dhe vajzave, në Shqipëri, është dramatike, siç është dramatike gjendja e shoqërisë shqiptare, por ato që paguajnë çmimin më të shtrenjtë në këtë mes janë gratë dhe vajzat, pasi Shqipëri është vendi i parë dhe i vetëm në të cilin sundon një narkoregjim, një diktaturë autoritare e bazuar në drogë, e bazuar në krimin dhe lidhjet e pushtetit me krimin.

Në qeverisjen tonë, ne u përpoqëm dhe shënuam hapa të rëndësishëm në betejën tonë kundër pabarazisë, në betejën tonë kundër murit të patriarkisë.

E kam theksuar dhe e theksoj, ne arritëm që, nga një diferencë prej 36% në paga që ekzistonin midis burrave dhe grave, ta ngushtojmë këtë diferencë në 17.8%.

Arritëm që, vajzat dhe gratë shqiptare, pabarazinë financiare dhe ekonomike, e cila është një pabarazi jashtëzakonisht e dhimbshme, ne arritëm që këtë pabarazi, jo vetëm ta ngushtojmë, por vajzat dhe gratë shqiptare nuk ishin më më të keqpaguarat në rajon, por ishin më të mirëpaguara në të gjitha vendet e rajonit. Kjo arritje u rrokullis me shpejtësi”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Agron Shehaj mbështet Binajn për Tiranën/ Jam 100% i bindur se mund të fitojmë!

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar mbështetjen e tij për kandidatin e pavarur …