Denoncimi: Ndërtuesi dhe noterja shesin apartamentin dy herë!

Lefteri Malaj, një qytetare nga Vlora, denoncon në emisionin “Stop” një mashtrim të rëndë në rastin e blerjes së shtëpisë së saj. Ajo zbuloi se apartamenti që kishte blerë në vitin 2022 nga ndërtuesi Fejzi Malaj, ishte shitur dy herë. Noterja Luljeta Cenaj e kishte shitur të njëjtin apartament që në vitin 2014, por nuk e kishte regjistruar këtë kontratë.

Kur gazetari i “Stop” kontaktoi ndërtuesin Fejzi Malaj, ai pretendoi se nuk kishte dijeni për shitjen e dyfishtë dhe fajësoi përfaqësuesin me prokurë, Joti Boraj.

Ndërtuesi Fejzi Malaj: Ëëë.., po! Ajo nuk është shitur nga firma, prandaj duhet të kishe marrë informacion të saktë para! Për firmën ka qenë 100% e lirë. Firma s’ka marrë asnjë lekë më përpara për atë apartament. Kemi pasur ne një punonjësin tonë (nipi i ndërtuesit), ai punonjësi.., ai, që pretendon që e ka blerë dhe që hodhi në gjyq këta, ai i ka derdhur lekët tek ky punëtori.

Gazetari: Një pyetje që të ishim të qartë: veprimet janë bërë tek e njëjta notere?

Ndërtuesi Fejzi Malaj: Jo nuk e di, s’e besoj. Nuk e di, të them të drejtën…

Gazetari: A i keni tek e njëjta notere këto, te Luljeta Cenaj?

Ndërtuesi Fejzi Malaj: Unë po, mund t’i ketë bërë dhe ai tek Luljeta.

Gazetari: Sepse nëse janë bërë tek i njëjti noter, i bie që përgjegjësia është e noteres se duhet ta kishte të regjistruar shitjen e parë në regjistrin special që ka noterja.

Ndërtuesi Fejzi Malaj: Po ajo duhet ta kishte futur në sistem, o burrë i dheut! Euuu… sa gafa ka aty! Aty ka gafa për në burg o burrë!

Joti Boraj hodhi poshtë këto pretendime duke thënë se Fejzi Malaj ishte në dijeni të plotë dhe se blerësi i parë kishte fituar një betejë ligjore në gjykatë.

Ortaku Joti Boraj: Një sekondë vëllai të ta sqaroj! Unë jam bashkëortak 49% me atë administratorin (Fejzi Malaj). Kam prokurë të posaçme për shitje, njërën, tjetrën, sipas ligjit. Ky zotëria, Dashnor Veizi, (blerësi i parë) që në 2014-ën dhe në momentin final të ndarjes me ortakun tim, ai çfarë bëri? Unë bëra një për ndarjen e fitimit në fund, ai zotëria nuk pranoi as për ndarje, as për gjëra dhe filloi të ndante certifikatat, pa bërë ndarjen.

Gazetari: Ndërkohë që ju e kishit shitur këtë se ai thotë që ka marrë lekët në llogarinë e vet, ndërkohë prokura duhet t’i kalonte…

Ortaku Joti Boraj: Jo, jo ka qënë në zyrë të përmbarimit e ka të bllokuar atë, e ka kaluar tek privatja ai zotëria atje, Dashnor Veizi për këtë arsye ka qenë edhe kjo është e gjithë problematika. Unë kam qënë edhe në gjyq me atë pjesë. Dashnor Veizi e ka fituar atë se ka qenë i pari prenotues. Kurse administratori ka qenë në dijeni 100% për këtë gjë. E shikon, ç’më bëri për inat, për të më futur mua në konflikt me të tjerët më bëri këtë. Ia shiti tjetrit me certifikatë, e nxori Dashnorin.

Gazetari: Domethënë ka qenë në dijeni z. Malaj për shitjen?

Ortaku Joti Boraj: Ka qenë në dijeni 100%. E di shumë mirë edhe Luljeta Cenaj sepse unë e bëja direkt me dijeninë e tij. E kupton?

Problemi kryesor qëndron te noterja Luljeta Cenaj, e cila nuk e regjistroi kontratën e parë të vitit 2014 në regjistrin e posaçëm, një detyrim ligjor ky për zyrat noteriale.

About Redaksia

Check Also

Bardhi: Do të bëjmë kallëzim penal ndaj presidentit për pasurinë! Sot është duke ndërtuar 3 vila!

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita ka nisur zyrtarisht procedurat …