“Karta e Kopenhagen” nuk u respektua/ Kodi që përdori OSBE-ODIHR për të rrezuar 11 majin

Çfarë është Karta e Kopenhagen dhe pse mosrespektimi i saj do të thotë rënie e zgjedhjeve të lira

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri ka publikuar raportin përfundimtar, ku theksohet se procesi zgjedhor, megjithëse u zhvillua në mënyrë paqësore, nuk i përmbushi standardet demokratike të përcaktuara në Kartën e Kopenhagenit.

Në raport, OSBE/ODIHR vëren se partia në pushtet ka keqpërdorur burimet publike dhe pushtetin institucional gjatë fushatës, ndërsa janë regjistruar presione ndaj punonjësve të administratës publike dhe votuesve. Po ashtu, media nuk ofroi kushte të barabarta për të gjitha partitë, duke ndikuar në konkurrencën e drejtë politike.

Përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore dhe presioni mbi votuesit dëmtoi ndarjen e qartë mes shtetit dhe partisë në pushtet,” thuhet në raportin e OSBE/ODIHR, i cili shton se ankesat dhe apelimet zgjedhore nuk u trajtuan në mënyrë efektive, në kundërshtim me angazhimet e marra nga shtetet pjesëmarrëse në Kopenhagë, më 1990.

Praktikisht, Raporti përfundimtar I OSBE/ODIHR tregon se opozita shqiptarë ka patur përballë në zgjedhje, jo partinë në pushtet, por shtetin.

Çfarë është Karta e Kopenhagenit dhe pse përmendet?

Karta e Kopenhagenit është një dokument themelor i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), miratuar në vitin 1990. Ajo përcakton standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për respektimin e të drejtave të njeriut dhe pluralizmit politik.

Në thelb, Karta kërkon që:

-Zgjedhjet të jenë të lira, të fshehta dhe të ndershme;

-Kandidatët të kenë mundësi të barabarta për të garuar;

-Media të jetë e lirë dhe e paanshme;

-Shteti të mos përdorë burimet publike për përfitime politike;

-Dhe çdo qytetar të ketë të drejtë efektive për ankimim në rast shkeljesh.

Kur OSBE/ODIHR thotë se “nuk janë respektuar plotësisht parimet e Kartës së Kopenhagenit”, kjo nënkupton se procesi zgjedhor nuk ka qenë në përputhje me standardet minimale të demokracisë evropiane, që Shqipëria si shtet anëtar i OSBE-së është zotuar t’i zbatojë. Pra, siç shihet, Shqipëria nuk ka përmbushur as standardet më minimale të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Pse është e rëndësishme kjo?

Përmendja e Kartës së Kopenhagenit në raport nuk është thjesht një referencë teknike — ajo është një matës i legjitimitetit demokratik. Kur një vend nuk e respekton plotësisht këtë dokument, nënkupton se zgjedhjet mund të kenë qenë të ligjshme në formë, por jo të drejta në përmbajtje.

About Krye Redaktor

Check Also

Bota foli për 11 Majin, tani është radha jonë

Gjin GJONI Vetëm me një shikim të shpejte dhe nisur nga konstatimet e terminologjia e …