Deputeti i PD, Bardh Spahia bëri një panoramë të situatës së sistemit të drejtësisë duke u bazuar në raporte ndërkombëtare dhe të dhëna konkrete. Në foltoren e Kuvendit Spahia paraqiti panoramën shqetësuese të sistemit.
Në foltoren e Kuvendit, duke cituar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për vitin 2024, u theksua se mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve si pasojë e procesit të vetingut ka krijuar një boshllëk të madh, duke vonuar procedurat penale dhe duke cënuar efikasitetin e sistemit.
Raportet ndërkombëtare flasin qartë për një sistem drejtësie që ende vuan nga mungesa e kapaciteteve, nga vonesat e gjata në gjykime, nga mungesa e burimeve njerëzore dhe materiale dhe nga një menaxhim jo efikas i strukturave institucionale.
Tjetër problematikë është dhe harta gjyqësore. E projektuar për të unifikuar cilësinë dhe standardizuar vendimmarrjen, kjo reformë në praktikë prodhoi efekte të kundërta. Kjo solli vonesa, rriti ngarkesën dhe, më e rëndësishmja, kufizoi aksesin në drejtësi.
Spahia propozon të rikonsiderohet harta gjyësore dhe të rihapen gjykatat e Apelit në qytete kyçe si Vlora, Shkodra dhe Korça.
“Pse mos të rikonsiderohet hapja e të paktën tre gjykatave të apelit, në Vlorë, në Shkodër dhe në Korçë?
Për të lehtësuar ngarkesën dhe për t’i sjellë gjykatat më pranë qytetarëve, sepse drejtësia duhet të shkojë te qytetarët, jo qytetarët tek drejtësia.”
Si pasojë e vetingut sistemit i mungojnë plot 44% e trupës së gjyqtarëve dhe 38% e prokurorëve. Ky vakum masiv ka çuar në një pasojë të pashmangshme dhe katastrofike
“Të dhënat mbeten vërtet shqetësuese. Në momentin e zbatimit të hartës gjyqësore, mungonin 44% e trupës së gjyqtarëve dhe 38% e prokurorëve si pasojë e vetingut. Ndërkohë, stoku i dosjeve ka arritur në mbi 150.000 çështje të prapambetura. Këto nuk janë thjesht shifra. Janë jetë njerëzish, familje, prona, të drejta të mohuara”
Nëse qytetari nuk ka besim te gjykata, atëherë edhe demokracia vetë mbetet një ndërtim në rërë”, u shpreh ai, duke e mbyllur fjalimin me thirrjen se drejtësia nuk është luks, por themeli mbi të cilin ngrihet shteti, dhe dështimi i saj është dështim për të gjithë shoqërinë.
Gazeta RD