Sekti Rama: heshtje vrastare ndaj minatorëve të Spaçit

Nga Bujar Leskaj

Protesta e minatorëve të minierës së Spaçit ka hyrë në ditën e 32-të. Deri më tani, 62 minatorë janë larguar nga puna, ndërsa 14 të tjerë ndodhen ende në pritje, pa një vendim të qartë për fatin e tyre.

Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike dhe shirave të ditëve të fundit, minatorët vazhdojnë të qëndrojnë në protestë, duke kërkuar një reagim zyrtar nga Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjitikës dhe nga qeveria në tërësi. Po sekti Rama në pushtet bën Sfinksin!

  1. Heshtja vrastare e qeverisë më të papërgjegjshme në historinë pluraliste të Shqipërisë!

32 ditë kaluan dhe shteti vazhdon të heshtë. Hesht pa turp dhe pa shpirt ndaj kërkesave të drejta të minatorëve qeveria e sektit Rama, që pretendon se mbështet punën, zhvillimin dhe drejtësinë sociale!

Heshtin institucionet si Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjitikës, apo Ministria e Ekonomisë, që mbulon punën, që duhej të ishin në terren, përballë njerëzve që çdo ditë zbresin në nëntokë për të siguruar bukën e familjes.

Nën këtë heshtje të papërgjegjësisë së plotë e vrastare fshihet harresa dhe mospërfillja ndaj punëtorit shqiptar. Minatorët e Spaçit janë ngritur në protestë për kërkesa të thjeshta, por jetike të tyre, si rritje e pagave bazë, njohje e viteve të punës në kushte të vështira, përmirësim të kushteve të sigurisë në galeri dhe zbatim të marrëveshjeve të premtuara. Asgjë më shumë. Kërkojnë të drejtën për të jetuar dhe punuar me dinjitet. Por ndërsa minatorët flasin çdo ditë me zë të ngjirur nga lodhja, sekti Rama zgjedh të mos dëgjojë. Asnjë reagim zyrtar, asnjë plan konkret, asnjë përpjekje për dialog të sinqertë.

Miniera e Spaçit është më shumë se një vend pune. Ajo është një simbol i historisë shqiptare, i revoltave historike të të burgorsurve politikë në kohën e komunizmit. Kjo minierë përfaqëson një kujtesë e dhimbshme për punën e detyruar të të burgosurve politikë të diktaturës. Sot, në të njëjtin vend, një tjetër brez punëtorësh po përballet me vështirësi të ngjashme: varfëri, mungesë sigurie dhe harresë.

Duke mos i dëgjuar kumtet e Spaçit, sekti në pushtet harron jo vetëm një kategori punonjësish, por harron të gjithë punëtorët dhe të drejtat e tyre, kujtesën dhe dinjitetin kombëtar. Njëlloj si Kryetari i sektit u drejtohej vite më parë sipëmarrësve në Itali “Hajdeni në Shqipëri, se ne nuk kemi sindikata”!?

  1. Heshtja: qëndrim politik kundër të drejtave të punëtorëve

Kur një protestë zgjat më shumë se një muaj dhe institucionet shtetërore heshtin, kjo nuk është thjesht neglizhencë administrative. Është qëndrim politik!

Rama po përdorer heshtjen si mjet për të lodhur protestuesit, për t’i bërë ata të dorëzohen, për t’i lënë të ndihen të pafusishëm e të dukshëm. Por minatorët e Spaçit po tregojnë të kundërtën: se dinjiteti nuk dorëzohet!

Në vend që të japë zgjidhje, sekti Rama po teston durimin e njerëzve që jetën e tyre e kalojnë nën tokë, në errësirë. Kjo është padrejtësia më e madhe.

Heshtja e shtetit nuk është zgjidhje. Ajo është një formë e re padrejtësie, e cila rëndon mbi shpatullat e atyre që prej dekadash mbajnë barrën më të rëndë të punës.

Heshtja shtetërore ka pasoja që shkojnë përtej ekonomisë. Ajo dëmton moralin shoqëror, krijon ndjenjën e padrejtësisë dhe rrit hendekun mes qytetarit dhe institucioneve. Nëse shteti nuk reagon ndaj atyre që punojnë më shumë e fitojnë më pak, çfarë mesazhi i jep ky sekt në pushtet pjesës tjetër të shoqërisë? Se vlera e punës nuk ka rëndësi? Se sakrificat nuk shpërblehen?

Një shoqëri që nuk mbron punëtorët e saj të nëntokës, është një shoqëri që humbet dritën e vet mbi tokë.

III. Nevoja për përgjegjësi dhe dialog të vërtetë: të gjithë të mbrojmë minatorët e Spaçit!

Minatorët nuk kërkojnë asgjë të pamundur. Ata duan që shteti të bëjë detyrën e tij: të mbrojë punëtorin, të sigurojë zbatimin e ligjeve, të garantojë standardet e sigurisë dhe të respektojë marrëveshjet e firmosura.

Opozita duhet të jetë e pranishme çdo ditë në Spaç. Të kërkojë me forcë një tryezë të hapur dialogu, me praninë e sindikatave , përfaqësuesve të qeverisë dhe vetë opozitës. Ta kërkojë këtë po me forcë në çdo seancë parlamentare.

Në një shoqëri që shpesh flet për investime, turizëm dhe rritje ekonomike, protesta e minatorëve të Spaçit na kujton kush e mban realisht në këmbë ekonominë: punëtorët e zakonshëm!

Mbrojtja e të drejtave të tyre nuk është vetëm detyrim ligjor, por akt moral dhe politik. Një vend që nuk mbron punëtorin, nuk mund të quhet as demokratik, as i drejtë, dhe as modern.

Fitorja e kërkesave të minatorëve të Spaçit do të jetë fitorja e të gjithë punëtorëve të Shqipërisë. Një hap drejt një shoqërie më të drejtë, më njerëzore dhe më solidare.

Protesta e minatorëve të Spaçit është një pasqyrë e realitetit të vërtetë social të Shqipërisë së sotme. Një vend të qeverisur nga sekti Rama, ku punëtorit ende i duhet të protestojë për të drejtën më themelore: të trajtohet me dinjitet.

Ndërkohë që grupet e minatorëve nga zona të tjera kanë shprehur mbështetje për protestën e Spaçit, reagimi publik i yni mbetet shumë i vakët. Kjo dëshmon për një mungesë të ndjeshmërisë shoqërore ndaj një grupi që historikisht ka qenë ndër më të sakrifikuarit, por edhe ndër më të harruarit.

Protesta e tyre është edhe një thirrje për solidaritet. Për të rikthyer në vëmendje punëtorin e ndershëm, që pa zë mban ekonominë shqiptare në lëvizje.

xxx

Protesta e minatorëve të Spaçit është më shumë se një konflikt sindikal. Ajo është një provë për mënyrën se si shteti trajton punën e ndershme dhe kategoritë e vështira.

Nëse kërkesat e tyre nuk gjejnë përgjigje, rreziku është që zhgënjimi të thellohet dhe të përshkallëzojë tensionet sociale në sektorë të tjerë të ekonomisë.

Çdo ditë që kalon pa zgjidhje, është një ditë që shton peshën e harresës. Ndaj zëri i minatorëve protestues të Spaçit duhet dëgjuar nga të gjithë Ne, me përjashtim të sektit Rama të papërgjegjshëm dhe të pashpirt në pushtet. Duhet dëgjuar nga shoqatat e tjera të punëtorëve, nga opozita, nga media, sepse aty, në nëntokë, pulson ende zemra e punës dhe e dinjitetit tonë kombëtar.

About Redaksia

Check Also

Ironike: Kosova shkollë demokracie, Shqipëria dhe Serbia më “afër” BE-së!

Nga Enver BYTYÇI Ora 21.40 e datës 9 nëntor 2025. ‘Gugulloj’ në internet me qëllim që …