Nga Ina ZHUPA
Arta Dollani, ish-drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, e përfshirë në hetim për “shpërdorim detyre” lidhur me skandalin e eksportit të mbetjeve drejt Tajlandës nga kompania Sokolaj sh.p.k. Më përpara Drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës, e njohur për lejen e ndërtimit që i dha sallamerisë Hako për të ndërtuar në Butrint bar-kafe në, pranë Kullës Veneciane, zonë e mbrojtur dhe pasuri kombëtare.
Pavarësisht këtyre skandaleve, të realizuara bashkë me Kumbaron, tashmë Dollani emërohet në një tjetër institucion që drejton po Kumbaro, drejtoreshë e arsimit parauniversitar duke treguar qartë se përgjegjësia dhe integriteti nuk janë më kritere për drejtim të institucioneve shtetërore.
Në të njëjtën ditë që u lirua nga detyra në AKM, ajo zhvilloi “konkursin” në Ministrinë e Arsimit, ku ishte kandidatja e vetme. Edhe kriteret e shpallura për këtë pozicion duket se ishin hartuar posaçërisht për ta favorizuar, duke kërkuar mbi 10 vite eksperiencë në drejtim institucioneve publike, përvojë që ajo e kishte, falë rotacionit të vazhdueshëm në poste të ndryshme nën kujdesin e Mirela Kumbaros.
Ky është tashmë një model i përsëritur: nga Kultura, te Mjedisi, e tani te Arsimi, ministrja Kumbaro i merr me vete të njëjtët drejtues, të cilët nuk ndahen as nga aferat, as nga mënyra e drejtimit klientelist. Dollani pra ka qënë drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës, pastaj u bë Drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe tashmë Drejtoreshë e Arsimit Parauniversitar. Po cfarë aftësie dhe njohurie ka Dollani për të drejtuar arsimin parauniversitar?!
Paaftësia dhe klientelizmi kanë kapur shtetin shqiptar. Konkurset publike janë kthyer në formë pa përmbajtje, ku fituesit dihen paraprakisht dhe profesionalizmi nuk ka më asnjë vlerë. Rastet i Dollanit, por edhe shumica e stafit të Kumbaros, janë shëtitës pas ministrive të saj, tregojnë se besnikëria ndaj ministres dhe bashkëpunimi në afera janë më të rëndësishme se aftësia apo përvoja profesionale.
Në një shtet normal, rotacioni i drejtuesve midis fushave tërësisht të ndryshme do të ishte i pamundur; në Shqipëri është kthyer në rregull. Ministri është njeri politik, drejtorët duhet jënë profesionist të fushës!
Rasti Arta Dollani është vetëm simptomë e një sistemi të kalbur, ku paaftësia dhe klientelizmi kanë zëvendësuar kompetencën dhe përgjegjësinë.
Gazeta RD