Deputeti i PD, Igli Cara, nga foltorja e Kuvendit akuzoi qeverinë Rama se po rikthen të njëjtin model 12-vjeçar korrupsioni dhe shpërdorimi, duke e zhytur vendin në një krizë të thellë ekonomike dhe sociale.
Cara denoncoi “paketën fiskale”, të cilën e cilësoi si falje skandaloze prej 2 miliardë eurosh për bizneset evazioniste dhe një amnisti të maskuar, e refuzuar nga BE. Sipas tij, kjo paketë i jep kompanive të mëdha imunitet nga kontrollet tatimore për tre vite, duke hapur derën për qarkullim të parave të pista dhe duke goditur rëndë biznesin e ndershëm.
Fjala e deputetit Igli Cara në Kuvend
Në fakt, nuk mund të rri pa thënë që shpesh, në këto diskutime, më duket sikur jemi në Kuvendin e Shqipërisë të viteve para ’90-ës: arritje, arritje, vetëm arritje, çajmë bllokada e me radhë.
Sot hapim një seancë të rëndësishme në Kuvend. Diskutojmë paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2026, pra çfarë do të bëhet me paratë e shqiptarëve, me djersën, punën, sakrificën dhe shpresën e këtij vendi.
Le ta theksojmë që në fillim: edhe këtë vit, qeveria Rama sjell të njëjtin model 12-vjeçar, të njëjtën mendësi të korrupsionit buxhetor, të shpërdorimit, jo zhvillimit; pushtet për pushtetarët, jo për qytetarët.
As procedurat nuk respektohen. Për herë të parë, në mënyrë të paprecedentë, paketa fiskale vjen pas buxhetit.
Dhe në këtë paketë qeveria ka miratuar faljen e mbi 2 miliardë eurove detyrime ndaj shtetit.
Duket e pabesueshme, e paimagjinueshme: 2 miliardë euro para të shqiptarëve të falura për ata që kanë bërë evazion fiskal, kontrabandë, shmangie të TVSH-së, shmangie akcizash, detyrime doganore, korrupsion.
Duket i njëjti koncept qeverisës që kur kjo forcë politike ka ardhur në pushtet. Vlen të kujtojmë vitin 2023, kur borxhi tatimor u rrit me 400 milionë euro dhe u fal pa asnjë shpjegim apo argumentim ekonomik.
Kur deputetët e opozitës në komision kërkuan listën e kompanive përfituese nga “paqja fiskale”, ministri i Financave u përgjigj se “nuk e kam”.
Por me shumë gjasë mendja të shkon se mund të fshihet, sepse aty mund të jenë miqtë e qeverisë, financuesit e fushatave, oligarkët e preferuar, njerëzit që marrin tendera dhe pasi kapen duke vjedhur, ndërrojnë emrin e kompanisë.
Kjo falje është një shuplakë për çdo biznes të ndershëm dhe për çdo sipërmarrës që paguan taksat përditë.
Më tej, e ashtuquajtura “paqja fiskale” nuk është gjë tjetër veçse rikthimi me emër të ri i amnistisë fiskale dhe penale, e cila është refuzuar nga Bashkimi Europian që prej vitit 2020.
Le ta shpjegojmë shkurt se çfarë synon kjo “paqja fiskale”: një kompani që fiton 100 milionë euro në vit, tatohet, bën një marrëveshje me organet tatimore dhe vitin pasardhës paguan vetëm 18% më shumë. Dhe nëse ka fitime më shumë se 18%, diferenca tatohet me vetëm 5%. Kjo është një skemë regresive tatimore, njësoj si në parajsat fiskale.
Pyetja është: pse duhet? Pse duhet të falet? Pse duhet ky sistem?
E paimagjinueshme, por e vërtetë. Dhe qershia mbi tortë është tjetërkund: për tre vitet 2026–2028, këto kompani përjashtohen nga çdo kontroll tatimor. Pra, mund të deklarojnë çfarë të duan, mund të qarkullojnë para cash pa limit, të fryjnë shitjet, të ulin fitimet artificialisht — pa asnjë rrezik dhe pa asnjë kontroll.
Dhe kur të vijë viti 2029–2030, ligji ua ndalon kontrollin për periudhat e mëparshme. Kjo është amnisti, këtë herë e pagëzuar “paqja”, për të fshehur një realitet të ashpër dhe të rrezikshëm për të ardhmen.
E ashtuquajtura “paqja fiskale” vulos ligjërimin e parasë së pistë në ekonomi, legalizimin e qarkullimit të cash-it dhe futjen e kapitalit të huaj jashtë kanaleve bankare.
Kjo nuk është paqe; është kapitullim i shtetit përballë evazorëve. Është kurthi i ideve të këqija: politikat e këqija ushqejnë rritje të keqe, dhe rritja e keqe detyron qeveritë e kapura të prodhojnë politika edhe më të këqija.
Kalojmë më tej.
Ekonomia shqiptare është kthyer në një balon të madhe ndërtimi e luksi që mbahet me bombola oksigjeni. Një ekonomi që s’prodhton asgjë: pa eksporte, pa industri, pa bujqësi, pa shërbime cilësore. Vetëm beton, kulla, resorte dhe qarkullim cash-i.
Dhe ndërsa qeveria fuqizon oligarkët, shqiptarët largohen. Qeveria ndërton kulla, ndërsa qytetarët s’kanë para të paguajnë këstin e shtëpisë. Qeveria shet luks, ndërsa pensionistët s’blejnë dot ilaçet e muajit.
Duke vijuar me pensionistët: kryeministri përpiqet t’ua shesë indeksimin si rritje historike. Indeksimi nuk është nder, as dhuratë është detyrim. Dhe hileja me shpërndarjen e bonusit në 12 muaj është tallje. Pensionistët nuk kërkojnë lëmoshë, por atë që u takon për vitet e punës dhe kontributin e tyre.
Shëndetësia, e premtuar falas, sot është më e shtrenjta në Europë. Qeveria shpenzon vetëm 2.9% të PBB-së, ndërsa premtoi 5%. Në 2005 qytetarët paguanin nga xhepi 49.3% të shpenzimeve shëndetësore; në 2023 paguajnë 59.7% niveli më i lartë në Europë.
Ky nuk është sistem shëndetësor; është braktisje dhe privatizim i heshtur mbi kurrizin e shqiptarëve që s’kanë mundësi.
Bujqësia dhe industria janë dy ura që po shemben. Bujqësia ka vetëm rënie. Fermerët janë braktisur, subvencionet më të ulëta në rajon.
Fondet e IPARD-it janë shpërdoruar dhe BE ka bllokuar 113 milionë euro për shkak të korrupsionit.
Edhe kursi i këmbimit godet prodhimin dhe eksportet, duke bërë produktet shqiptare jo konkurruese.
Industria e lehtë është po ashtu në krizë. Kursi i këmbimit ka goditur fasonët, ndërsa qeveria u del vetëm me premtime boshe. Premtuan partneritet, por ato kompani sot janë në prag falimentimi. Rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë në parim e drejtë bëhet pa asnjë kontribut real nga shteti. Për 9 muaj qeveria paguan vetëm tatimet sociale; pjesën tjetër e mbajnë sipërmarrjet gjatë gjithë kohës.
Ndërkohë qeveria rrit administratën pa fund, në kurriz të biznesit të ndershëm.
Këto kompani gjenerojnë rreth 800 milionë euro në vit për ekonominë, pa llogaritur miliardat e sjella ndër vite. Dhe mbi të gjitha, këtu ka një dimension social: 85 mijë punonjës që rrezikojnë punën.
Kursi i këmbimit është jo real. E dimë të gjithë. Është mënyra se si qeveria vjedh familjet. Në 2013, 100 euro sillnin 140 mijë lekë te familjet shqiptare; sot sjellin vetëm 96 mijë lekë — pa llogaritur rritjen e çmimeve.
Remitancat janë vjedhur me 40%.
Ndërkohë që popullsia bie, administrata rritet. Si është e mundur? Dikur kishim 1 milion shqiptarë më shumë dhe një administratë 40% më të vogël. Sot, më pak shqiptarë, më shumë burokratë.
678 punonjës të rinj vetëm këtë vit në 17 institucione. Dhe gjithë kjo për qoka politike, për patronazhistë. Kjo ka vrarë shpresën.
Edhe pushteti lokal: nga 19 mijë punonjës, sot ka 39 mijë dyfish. Më pak qytetarë, më shumë militantë.
Arsimi matet me dije, jo me ndërtime. Qeveria s’ka përfunduar ende shkollat e nisura me 52 milionë euro, ndërsa qytetarët s’kanë marrë prej tre vitesh bonus qiraje.
Aksi Durrës–Tiranë nuk përfundon deri në 2029, duke shtuar kostot dhe kaosin e trafikut.
Porti i Durrësit ka 152 milionë euro të tjera shpenzim. U grabit porti ekzistues për t’iu dhënë një miku si Alabari, me një vlerë 3 miliardë euro.
Tre vjet me radhë, 152 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve, dhe në vitet e tjera 2 miliardë euro të tjera 5 miliardë në total, pa llogaritur 231 milionë euro taksa të pushtetit lokal.
Ku i gjeti Rama? Në kopshtin e vet? Paratë e shqiptarëve dhe të qytetarëve të Durrësit ia fal një klienti.
Vjedhje në mes të ditës.
152 milionë euro do të hidhen për një port të ri që s’dihen as afatet, as përfitimet.
Gazeta RD