Nga Alba KEPI
Romë
Të dhënat e publikuara nga Raporti i Antidrogës Italiane mbi fushatën e mbikëqyrjes ajrore të Guardia di Finanza mbi territorin shqiptar dokumentojnë një rritje dramatike të plantacioneve të mbjella me kanabis nga viti 2018 deri në 2025.
Gjatë gjithë periudhës, numri i operacioneve ajrore dhe orët e fluturimit mbi Shqipëri kanë mbetur afërsisht të njëjta, megjithatë shifrat e bimëve të zbuluara dhe të eradikuara tregojnë një shkallëzim eksponencial të kultivimit të kanabisit.
Në vitin 2018, gjatë 69 misioneve fluturimi me gjithsej 187 orë, u identifikuan vetëm 27 plantacione, dhe u shkatërruan 675 bimë kanabisi, në një sipërfaqe prej 8.543 metra katrorë.
Në vitin 2019, me 82 misione dhe 225 orë fluturimi, numri i plantacioneve të identifikuara u rrit ndjeshëm në 1.109, ndërsa bimët e asgjësuara arritën në 25.719, në një sipërfaqe prej 38.515 metra katrorë.
Në vitin 2020, me 67 misione dhe 185 orë fluturimi, u identifikuan 1.607 plantacione dhe u shkatërruan 58.423 bimë, në një sipërfaqe prej 72.772 metra katrorë.
Në vitin 2021, gjatë 70 misioneve dhe 182 orë e 20 minuta fluturimi, u identifikuan 1.119 plantacione dhe u shkatërruan 92.428 bimë kanabisi, duke përfshirë një sipërfaqe prej 376.010 metra katrorë.
Në vitin 2022, me 63 misione dhe 182 orë fluturimi, u identifikuan 1.094 plantacione, dhe u shkatërruan 40.921 bimë në një sipërfaqe prej 262.593 metra katrorë.
Në vitin 2023, gjatë 64 misioneve dhe 185 orë fluturimi, u identifikuan 1.793 plantacione dhe u shkatërruan 108.282 bimë, në një sipërfaqe prej 493.376 metra katrorë.
Në vitin 2024, me 62 misione dhe 185 orë fluturimi, u raportuan 1.239 vende të dyshuara, nga të cilat 595 rezultuan reale për kultivim kanabisi. Gjatë këtij viti u shkatërruan 109.104 bimë në një sipërfaqe prej 185.038 metra katrorë.
Këto të dhëna tregojnë se, nga 2018 deri në 2024, numri i plantacioneve të identifikuara ka pësuar një rritje dramatike, ndërsa numri i bimëve të asgjësuara dhe sipërfaqet e kultivuara janë rritur ndjeshëm, pavarësisht që misionet ajrore dhe orët e fluturimit kanë mbetur relativisht të qëndrueshme. Ky evolucion pasqyron si adaptimin e rrjeteve kriminale në metodat e kultivimit dhe gjeografinë e plantacioneve, ashtu edhe përmirësimin e kapaciteteve të survejimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional mes autoriteteve shqiptare dhe italiane.

Gazeta RD