Deklarata e drejtueses së Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula:
Sot Shqipëria u zgjua me një tjetër lajm të zi. 15-vjeçari Erjon Boba humbi jetën, pasi kaloi disa ditë në koma, nga plagët e marra në konfliktin me një bashkëmoshatar në Durrës.
Edhe një bir më pak, edhe një familje e tronditur.
Siç është dhimbja e tyre e përligjur, po kaq tragjik është modeli, ku fëmijë e të rinj ushqehen, ku i forti, i dhunshmi, ai që kërcënon dhe godet, duket se triumfon gjithmonë.
Shoqëria shqiptare gjithnjë e më shpesh viteve të fundit po përballet me dhunë dhe konflikte me pasoja fatale mes adoleshentëve.
Besimi te institucionet, shkolla, policia, spitali dhe së fundmi familja, po humbet.
Pasiguria e jetës dhe vrasjet- humbja e vlerës së jetës, ka mbërthyer adoleshentët e fëmijët, që janë qëllimi dhe përkushtimi për çdo familje shqiptare, shpresa për progresin e kombit.
Ikja pa kthim e Erjonit është një tragjedi që i shtohet dhjetëra ngjarjeve fatale që kanë prekin themelet e arsimit dhe shoqërisë tonë- që kalojnë pa përgjegjësi, pa reflektim nga institucionet që duhet të mbrojnë fëmijët: nga ministria e arsimit, e Brendshmja, e deri te stafet përgjegjëse në shkolla.
Humbja e jetës së adoleshentit pas kaq shumë të ngjashmesh, ndër bashkëmoshatarë apo fëmijë, është alarm për çdo prind, revoltë për t’u ngritur, për të protestuar për sigurinë e fëmijëve në shkolla, për të cilat narkoshteti nuk afron shërbimet e duhura sipas ligjit dhe as mban përgjegjësi.
Përveç raporteve ndërkombëtare, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka pasqyruar problemet e mprehta të shkollave tona lidhur me mungesën e sigurisë, mungesën e mbështetjes për fëmijët që bullizohen e diskriminohen, mungesën e strukturave që parandalojnë konfliktet – por asgjë nuk është bërë.
Mjafton të kujtojmë se 70% e shkollave në vend nuk kanë oficer sigurie, një shifër që tregon qartë se shumë prej këtyre ngjarjeve do të ishin parandaluar, nëse shteti do të kishte zgjedhur t’i mbronte fëmijët, para se të fliste për barazi, strategji dhe reforma në letër. Por, kur e keqja nuk parandalohet, menaxhimi i saj bëhet pothuajse i pamundur, sepse dhuna sjell dhunë.
Nuk ka fjalë që mund të lehtësojë rrënimin e familjes Boba për përcjelljen e fëmijës në banesën e fundit.
Në emër të Partisë Demokratike, të komunitetit të mësimdhënësve, ngushëllime, dhe Zoti ju dhëntë forcë në këtë kohë dhimbjeje të pamatë!
Gazeta RD