Byroja Kombëtare e Hetimit ka zhvilluar një aksion në zonën e Kodrës së Diellit në kuadër të hetimeve për abuzime me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Prokuroria e Posaçme SPAK ka lëshuar urdhër-arreste për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, biznesmenin Ermal Beqiri dhe Ergys Agasin.
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Ndërkohë, për biznesmenin Ermal Beqiri është vendosur masa “arrest me burg”, në kuadër të dyshimeve për përfshirje në skema abuzive me tendera publikë.
SPAK po heton 12 procedura tenderuese me vlera të konsiderueshme, që lidhen me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme shtetërore, ku dyshohet se kriteret janë paracaktuar nga kompanitë pjesëmarrëse për të përfituar miliona euro, ndërsa për Ergys Agasin është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
Raportohet se GJKKO ka dhënë masa sigurie edhe për zyrtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) në AKSHI dhe për disa anëtarë të shqyrtimit të Ankesave.
Karçanaj, Agasi, Beqiri dhe zyrtarë të tjerë, për të cilët është dhënë masa por që ende nuk dihen emrat e tyre, akuzohen për shkelje barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Prej gati 1 viti SPAK po hetonte procedurat e 12 tenderave, që dyshohet se janë bërë në shkelje.
Kush është Ergys Agasi
Emisioni investigativ italian “Report” në RAI 3 ka trazuar përsëri ujërat e politikës shqiptare, duke trajtuar edhe lidhjet e botës së krimit me segmentet e qeverisë shqiptare “Rama”.
Investigimi i RAI 3 që u transmetua në qershor të vitit 2024 ekspozoi një emër: Ergys Agasi.
Një ish-drejtor i Mjedisit në qeverinë Rama 1, Agasi, sipas ish zv-kryeministrit Arben Ahmetaj, që RAI 3 e ka filmuar në fshehtësi, është personi që mban lidhjet e grupeve më të forta kriminale me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.
“A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve”, thotë Ahmetaj.
Rai 3 sjell në vëmendje se Ergys Agasi është një biznesmen nga Durrësi, djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi. Përveç të tjerash ai rezulton pronar i një kompanie që prodhon cigare dhe që merret me logjistikë. Nuk ka qenë kurrë i dënuar apo i hetuar për lidhje me mafian shqiptare, por shpesh mediat kanë folur për lidhje të tij me anëtarë të grupeve kriminale si për shembull narkotrafikantin Xhevdet Troplini.
“Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet” – thotë Arben Ahmetaj.
Takimet me bosët e krimit, zbulon Ahmetaj, Edi Rama i bën në zyrën e tij, në sallën e mbledhjeve.
“Ku i takon Rama? I takon edhe në zyrën e tij, në zyrën e mbledhjeve që ka në selinë e qeverisë. Unë nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pranuar kurrë të përfshihem. I kam parë pothuajse të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani… Po. Kapo të mafias”, rrëfen Ahmetaj për RAI3.
Gazeta RD