Gazetari Artan Hoxha ka komentuar zhvillimet e fundit që lidhen me hetimet e SPAK ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, duke folur për mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe përmasat e dyshuara të abuzimeve.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, ai tha se deri tani është zbardhur vetëm një pjesë e vogël e asaj që mund të jetë një skemë shumë më e gjerë.
Sipas Hoxhës, zbardhja e skemës nis nga telefoni i Ervis Berberit, ish-drejtor i ARRSH-së, të cilin e cilësoi si “pikën zero” të hetimit.
Ai shtoi se ajo që trondit më shumë është shtrirja e kësaj mënyre funksionimi, e cila, sipas tij, përfshin jo vetëm administratën, por edhe lidhje me botën e krimit dhe mediat.
“Sikur e dinim, sikur e kishim thënë, por nuk e kishim menduar kurrë se do veprohej në këtë formë. Duket sikur kemi pasur një qeveri që punonte në grupe mesazhesh.
Një shtet nuk mund të funksionojë kështu. Kjo nuk ndodh as në universitet, jo më në ministrinë më të rëndësishme që menaxhon pjesën dërrmuese të buxhetit të shtetit, me një ministre që ishte edhe zv/kryeministre,” u shpreh Hoxha.
Gazeta RD