Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vendosur t’i dhurojë kryeministrit Edi Rama një avion privat tip “Airbus”.
Sipas raportimit të mediave turke, kompania ajrore kombëtare, Turkish Airlines do t’i transferojë qeverisë shqiptare pronësinë e avionit Airbus A319?115J, një avion i konfiguruar nga qeveria me vlerë rreth 11.9 milionë dollarë.
”Dhurata pasqyron angazhimin e përbashkët të dy vendeve për të thelluar partneritetet institucionale në aviacionin civil, logjistikën e mbrojtjes dhe sektorë të tjerë strategjikë më të gjerë, duke shërbyer njëkohësisht edhe si një gjest simbolik i mbështetjes së Turqisë për zhvillimin rajonal dhe përpjekjet integruese të Shqipërisë. Avioni do të dorëzohet pa asnjë detyrim financiar për palën përfituese, ndërsa Turqia do të mbulojë të gjitha kostot e transferimit”,- thuhet në artikullin e mediave turke, ndërkohë që kjo dhuratë e Erdogan vjen në një kohë kur qeveria e Ramës është e mbuluar nga hijet e skandaleve dhe korrupsionit.
Vetëm pak ditë më parë në media qarkulluan përgjimet nga dosja hetimore e vartëses së tij, Belinda Balluku në të cilat pretendohej se favorizonte kompanitë turke për tenderat e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë.
Sipas hetimeve, Balluku komunikonte intensivisht me përfaqësuesit e tyre, duke i udhëzuar njerëzit e saj si t’i prisnin, t’i orientonin dhe t’u hapnin rrugën kompanive turke për tenderat.
Sipas SPAK, Balluku bënte favorizim të hapur dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë në çdo hap, vetëm që tu çonte turqve fitoren në xhep, shumë përpara se tenderi të hapej zyrtarisht.
Nisur nga këto zhvillime, janë ngritur dyshime mbi dhuratën që Erdogan ka vendosur ti bëjë Ramës, ku thuhet se avioni do të dorëzohet pa asnjë detyrim financiar për palën shqiptare dhe se Turqia do të mbulojë të gjitha kostot e transferimit.
Nuk dihet ende nëse ky është një ‘shpërblim’ që Erdogan i ka bërë Edi Ramës, për të cilin thuhet se ishte ky i fundit ai i cili i njihte kompanitë turke dhe se Balluku vetëm zbatonte urdhërat e tij.
Megjithatë mbetet për tu parë se për çfarë do ta përdorë Edi Rama avionin, pasi kjo dhuratë vjen gjithashtu në një kohë kur kompania e tij e besuar “Air Albania” ka shpallur falimentin duke mos siguruar më udhëtime private për të.
Gazeta RD