Imuniteti i Ballukut/ Zhupa: Rama po i trajton socialistët si kartona!

Deputetja e PD, Ina Zhupa ka deklaruar këtë të hënë se Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, duhet të mblidhet sipas rregullores.

Në mbledhjen e Kryetarëve, Zhupa u shpreh se, opozita ka kërkuar disa herë mbledhjen, por kjo e fundit është zvarritur nga pala socialiste.

Sipas Zhupës, socialistët po përdoren nga Rama si “kartona” duke shkelur rregulloren për mbledhjen e Këshillit.

“Duhet të kesh guxim të tepruar dhe pafytyrësi të thuash që sesioni i kaluar ishte sukses dhe dhënie hapësire për deputetët e opozitës. Treguesi kohor që citon Balla, ku opozita ka folur 48 orë dhe mazhoranca 40 orë, tregon që paskeni folur shumë. Sepse Edi Rama ju trajtoi si kartona dhe ushtarë pa personalitet, teksa ju tha: ju mos diskutoni, por vetëm miratoni projektligje. Edhe në këtë porosi, ku askush nga ju s’e kundërshtoi, ju ftoj që këtë sesion të flisni 4 orë gjithsej, sepse atë rol ua kanë dhënë: si kartona.

Opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve sipas rregullores, ju e shkelni. Opozita kërkon mocion me debat për problemet e shqiptarëve, ju e mohoni. Opozita kërkon interpelanca me kryeministrin, ju s’i lejoni. Për çfarë flisni atëherë?

Mjafton të shikosh edhe këtë projekt-kalendar: asnjë nga projektligjet e deputetëve të opozitës nuk ka një datë për shqyrtim. Zero, asnjë, sa për sy e faqe. Data kanë vetëm projektligjet e qeverisë dhe ato të deputetëve tuaj, që nuk i kanë bërë as vetë, por i sjellin të qeverisë për të shmangur procesin e konsultimit publik.

S’keni as guxim t’i fusni dhe t’i rrëzoni, sepse nuk thoni dot publikisht që kundërshtoni interesin qytetar. Rri në sirtar projektligji im për pagat e mësuesve, heqja e 5-mijë lekëshit të kategorisë. Nuk e fusni, sepse nuk e rrëzoni dot, por as nuk e miratoni, sepse s’ju lë qeveria. Ky është realiteti i një parlamenti që nuk respekton asgjë dhe nuk ka asnjë rol përtej dëshirave dhe vullnetit të Edi Ramës”, u shpreh Zhupa.

About Redaksia

Check Also

“Janë kryengritësit e lirisë”/ Reagon Berisha: Lebetitën Ramaduron dhe kalbësirën rilindje

Kryetari i PD, Berisha i është përgjigjur Ramës që i quajti protestuesit si “jashtëderdhje” duke …